Home Aktualitet Ministri Ball...

Ministri Balla në Hagë me zyrtaren e EUROPOL: Bashkëpunim për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit

20
0

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Hagë me Drejtoreshën Ekzekutive të EUROPOL, Catherine De Bolle. Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit me EUROPOL për të çuar përpara procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit. Sipas Ballës, revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.

“Është një proces i rëndësishëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e besueshmërisë së Policisë së Shtetit tek qytetarët, dhe për këtë qëllim do të vazhdojmë të shkëmbejmë informacion të vlefshëm që lidhet me këtë proces, për të ndarë një herë e përgjithmonë ata punonjës policie që punojnë me ndershmëri dhe devotshmëri në interes të objektivave dhe qëllimeve të Policisë së Shtetit, me ata punonjës të Policisë së Shtetit që gjatë aktivitetit apo ushtrimit të detyrës së tyre ndajnë informacion ose dëmtojnë punën e Policisë së Shtetit me grupet apo individë kriminal”, nënvizoi Balla, i cili e cilëson këtë angazhim si revansh të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar dhe që po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë e drejtësinë.

Ai tha se në fokus gjithashtu do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, si dhe ajo kundër krimit kibernetik. EUROPOL do të ofrojë në këtë aspekt, ekspertizën më të mirë për Policinë Shqiptare.

“Bashkëpunimi me EUROPOL gjatë vitit 2024 do të njohë një nivel tjetër, duke e shtrirë këtë në 120 aktivitete operacionale të përbashkëta ku Shqipëria do të jetë pjesë e rëndësishme të zbatimit të tyre në territorin europian, pra jo vetëm në Shqipëri por edhe në një pjesë të rëndësishme të vendeve anëtarë të BE”, theksoi ministri i Brendshëm, pas takimit të nivelit të lartë. EUROPOL ka strukturë të shtrirë, jo vetëm në BE por edhe në vende të tjera, në luftën kundër aktiviteteve kriminale, përfshirë trafikimin e paligjshëm të qenieve njerëzore. E megjithë faktin se rajoni ynë është korridor i rëndësishëm, Shqipëria është vlerësuar maksimalisht nga vendet partnere për rezultatet e dukshme që ka arritur në këtë fushë”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit