Home Aktualitet Monotonia e n...

Monotonia e një shteti ku fshihet realiteti!

88
0

Nga Denis Dyrnjaja

Për pak muaj mbush 25 vjet në profesionin e gazetarit. Të paktën në dy dekadat e fundit më kanë ftuar rëndom në këto ceremonitë zyrtare të karakterit burokratik protokollar në të cilat kam refuzuar të shkoj, përjashtuar dy herë ku kuptova se ishte e njëjta histori, të njëjtat rituale, e njëjta formë, por aspak përmbajtje.

S’e di pse nuk i jemi larguar dot si mendësi “BLLOKUT TË ISH-UDHËHEQJES KOMUNISTE”, ku disa ishin dhe sërish sot janë të privilegjuarit dhe të tjerët janë masa, janë ata që kanë të drejtë vetëm të përfytyrojnë. Kjo lloj mendësie është kryesisht karakteristikë e vendeve me tipologji autokratike ose diktatoriale që kryesisht gjenden në pjesën lindore të Europës.

Mjafton të shohësh mënyrën e organizmit, të ftuarit dhe gjithë ndodhinë që pason në të tilla evente. Në raste festash, udhëheqësi në këtë rast presidenti që është kryetari i shtetit, thërret me demek njerëz publike, por edhe persona të rëndësishëm të sipërmarrjes, besimeve fetare, medias, trupit diplomatik etj. Kryesisht këto pritje ndodhin me rastin e festave kombëtare ose festave të fundvitit.

Për ju që nuk e dini ose keni përfytyrime të ndryshme sikur është diçka e këndshme, ju them se pjesëmarrja në këto ceremoni është diçka tepër bajate dhe false. Anglezët përdorin fjalën boring për të tilla rrethana apo situata. Pra janë ngjarje pa ngjarje brenda, të mërzitshme. P.sh., fjalimet e organizatorëve janë shabllon, ndërsa të ftuarit bëjnë muhabet pa pikë interesi, ndërsa udhëheqësi po lexon fjalimin që ka përsëritur disa herë gjatë ditës për ta lexuar pa gabime para të ftuarve.

Dhe meqë kjo tablo përsëritet thuajse çdo herë, do të ishte shumë më e vlefshme që të ndryshonte formati i këtyre ceremonive të lodhshme e pa pikë bereqeti, përveç gëzimit që ju përcjell zengjinllarëve të rinj për të demonstruar asetet luksoze të veshjeve, automjeteve apo akoma dhe më keq për ata që e kanë sëmundje hamësinë (janë ata që vdesin të hanë e pinë qyl).

Këto raste të cilat bëjnë bashkë shumë kategori të shoqërisë do të duhej të shërbenin që të gjithë të flisnin me të gjithë në një formë të hapur dhe gjithçka të ndiqej live nga publiku. Festa e pavarësisë është e popullit e vendit dhe e kombit dhe nuk është party privat i llagapëve të shtetit që bëjnë sikur kanë katër breza me gjak blu. P.sh. a është më shumë rasti për të festuar apo reflektuar në 110-vjetorin e pavarësisë?! Vendi është më i ndarë apo më i bashkuar?! Shqiptarët kanë më shumë shpresë apo më pak shpresë në vendin dhe për të ardhmen e tyre?! Politika po shërben për keq apo për mirë?! Është ulur apo rritur besimi ndaj saj? Po komunitetet fetare çfarë roli luajnë, po shoqëria civile e kështu me radhë çdo kush te ndjente të paktën një herë në vit përgjegjësinë e asaj që përfaqëson…

Njerëzit kanë nevojë për të dëgjuar e patur një forum të hapur mendimesh dhe më mirë se kudo e kurdo kjo mund të ndodhë në të tilla raste se ndryshe nuk ka shanc të bëhet, sepse çdokush sheh interesat e tij personale ose të grupit ku bën pjesë e shqiptarëve iu nxjerrin herë Rita Orën e herë Dua Lipën të hutohen nga shkëlqimi i gënjeshtërt i ngjyrave muzikës e dritave për pak orë se pastaj iu duhet të kthehen në shtëpi të lajnë rrobat me 30 gradë, ndërsa pseudoelita del nga Pallati i Brigadave, krekosur e llangosur me fuoristrada e limuzina luksoze për të pritur radhën e ardhshme të krekosjes vanitoze të neveritshme por që për ta është shumë serioze!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit