Home Aktualitet Nacionalizmi ...

Nacionalizmi etnik kërcënon rrugën drejt Europës të Ballkanit Perëndimor

8
0

Herën e fundit që Evropa mendoi se ishte pranë arritjes së një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, gjërat nuk shkuan mbarë. Në gusht 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç befasuan së pari duke u ulur pranë njëri-tjetrit në një panel në Austri, dhe më pas teksa konfirmuan se dialogu, që pritet t’i japë fund ndasive të dy dekadave, ishte duke dhënë rezultat.

Befasi shtesë ishte pjesa që dialogu “mund të përfshinte korrigjimin e kufirit”, i cili mund të shihte zonën e veriut të Kosovës me shumicë serbe t’i dorëzohej Serbisë në këmbim të pjesëve me etni shqiptare të Serbisë. Kosova është shtëpi për rreth 120 mijë serbë nga popullsia e saj prej rreth 1.8 milionë banorëve. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u tha gazetarëve se “çfarëdolloj dakordësie që do të dalë nga dialogu do të marrë mbështetje”, gjë që u interpretua gjerësisht se do të mbështetej edhe shkëmbimi i territoreve. Ajo gjithashtu njoftoi për bisedimet në Bruskel mes dy udhëheqësve muajin që pasoi.

Thaçi nuk humbi kohë duke hedhur poshtë komentet e tij, teksa tha në një konferencë shtypi disa ditë pas eventit në Austri se pretendimet se ai mbështeste shkëmbimin e territoreve ishin “lajme të rreme” (fake news). Përgjigja ndërkombëtare ishte e shpejtë. Kancelarja gjermane Angela Merkel i përshkroi “të rrezikshme” bisedimet për shkëmbime territoresh, teksa tre ish-përfaqësues të lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën dolën kundër idesë në një letër drejtuar përfaqësueses së lartë Mogherini. Disa ditë përpara se Vuçiç dhe Thaçi të takoheshin në Bruksel, bisedimet u ndërprenë papritur.

Pastaj erdhi ndërhyrja po aq e papritur – dhe përfundimisht e çuditshme – e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili dërgoi si emisar në rajon Richard Grenellin. Në qershor 2020 u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë “Marrëveshja e Uashingtonit” mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Vuçiçit, teksa Trump i marrë krahë, dukej se besonte se dy vendet ishin ende të përfshirë në konflikt të hapur.

Marrëveshja befasoi negociatorët evropianë, por privatisht u pranua se ajo kishte pak përmbajtje dhe nuk i afroi dy vendet drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ajo nuk ofroi zgjidhje ndaj dy problemeve kryesore: Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe e ardhmja e pakicës serb në një shtet me shumicë me kosovarë. Ndërkohë Mogherini ishte lëvizur me detyrë dhe BE-ja kishte emëruar Miroslav Lajçakun si përfaqësues të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu kishte nisur prej vitit 2008, por kishte sjellë pak rezultate të prekshme. Shpresohej që Lajçak, një veteran i Ballkanit, folës i serbo-kroatishtes dhe ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, mund të zhbllokonte ngërçin.

Tashmë Lajçak është i bindur se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës – e cila bëri luftë të përgjakshme në periudhën 1998-99 pasi forcat serbe pushtuan provincën me shumicë etnike shqiptare – është realist, madje i pashmangshëm. Pati ndryshim të qeverisë në Uashington duke sjellë Presidentin Joe Biden në pushtet, por edhe në Kosovë, ku Albin Kurti fitoi shumicën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të shkurtit 2021. Kjo shënoi ndryshimin e gardës [politike] në Kosovë, veçanërisht shoqëruar pas dorëheqjes si President nga Thaçi prej akuzave për krime lufte në kohën kur ishte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim, zgjedhja e Kurtit nuk dukej diçka e mirë për dialogun. Ai ka bërë thirrje që Serbia të dëmshpërblejë dhe kërkojë falje për krimet e luftës teksa qeveria e tij do ta padisë Beogradin për gjenocid në vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve. Vuçiç ndërkohë, nuk i është shmangur retorikës nacionaliste të cilat e paraqesin Kosovën si tërësi thelbësore territoriale të Serbisë. Sidoqoftë Lajçak i tha Euronews-it se ai ishte optimist, duke theksuar se ajo çka dy udhëheqësit thonë në publik dhe ajo që ata thonë në tryezën e bisedimeve janë gjëra të ndryshme. “Si Vuçiç, po ashtu edhe Kurti e dinë,” – tha Lajçak, – “Se rrugëtimi drejt integrimit në BE [të cilin të dy vendet e synojnë] vjen përmes dialogut”. Sa i përket rolit që “Marrëveshja e Uashingtonit” do të luajë në bisedimet e ardhshme, Lajçak u rezervua [në deklarata]. “Nuk ndihmoi, nuk dëmtoi,” – tha ai.

“Ne e shohim atë [marrëveshje] si një akt që nuk është i lidhur me procesin dhe ajo që është më me rëndësi për ne, është që dialogu të ndërmjetësohet nga BE-ja. Ky është një dialog që bazohet në vlerat evropiane, normat dhe standardet… dhe sigurisht në të ardhmen e anëtarësimit evropian,” – vijoi Lajçak. Lajçak është qartësisht i lehtësuar teksa sheh Bidenin në Shtëpinë e Bardhë, një njeri me një histori personale në Ballkan, dhe sidomos në Kosovë. Biden ishte mbështetës i zëshëm i fushatës së bombardimeve të NATO-s, të cilat detyruan Serbinë të tërhiqej nga Kosova në vitin 1999 dhe djali i tij i ndjerë, Beau, ka një rrugë me emrin e tij pasi Prishtina zyrtare i ka njohur rolin si ndërmjetësues pas konfliktit.

“Biden ka vizituar rajonin disa herë, i njeh çështjet, e njeh problemin, i njeh njerëzit, por edhe emërimet e tij të larta në administratë janë me njerëz të cilët e dinë historinë dhe ndjejnë përgjegjësinë dhe gjithashtu trashëgiminë,” – tha Lajçak. Ndryshe nga paraardhësi i tij si i dërguar në Ballkan, Lajçak ka refuzuar publikisht idenë e shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje për ngërçin Kosovë-Serbi. Ose, ndryshe, për çdo ngërç politik në rajon, sikurse në zonën me shumicë serbe në Bosnje, Republika Srpska, ku udhëheqësi Milorad Dodik ka bërë thirrje hapur për shkëputje nga Bosnje e Hercegovina. Lajçak thotë se në një rajon ku tre dekada më parë pati konflikte të përgjakshme etnike, bisedimet për përcaktimin e shteteve sipas përkatësive etnike jo vetëm janë të rrezikshme, por Evropa është zotuar t’i ndihmojë shtetet e Ballkanit të bëhen më evropiane dhe “nacionalizmi etnik është anatemë e idealit evropian”.

“S’mund të kemi demokraci multi-etnike në shtetet anëtare dhe më pas shtete etnike në Ballkanin Perëndimor. Çfarë mesazhi do të përçonim? Që nuk mund të jetoni me fqinjët tuaj, me të cilët ju keni jetuar me shekuj – dhe në të njëjtën kohë, pretendoni se jeni në gjendje të jetoni në familjen më të gjerë evropiane? Ideja është e gabuar qysh në nisje,” – tha Lajçak.

“Është tejet e rrezikshme dhe qartësisht jo evropiane”. BE është kritikuar se e ka pasur një qasje shumë të butë ndaj Dodikut, i cili aktualisht mban postin e presidentit në presidencën e radhës në Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht duke pasur parasysh që SHBA së fundmi vendosi sanksione ndaj tij. Kjo kritikë i është drejtuar personalisht Lajçakut, marrëdhëniet e të cilit me Dodikun kanë zanafillë vitet 2000 kur ai ishte përfaqësues i BE-së në Bosnje. Ai nuk do të konfirmojë nëse BE i ka konsideruar sanksionet ndaj Dodikut, por theksoi se rruga evropiane për Bosnjë dhe Hercegovinën është bashkimi multietnik në një shtet, pjesë e të cilit është edhe Republika Srpska. Ky është një mesazh që i është përçuar Dodikut.

“Unë [u takova] me Z. Dodik së fundmi dhe i thashë atë që sapo ju thashë dhe juve: Që për Bosnjë dhe Hercegovinën oferta për të ardhmen evropiane është në formën aktuale si aktualisht ashtu edhe në të ardhmen,” – tha Lajçak. “Nuk besoj se mund të ketë ndryshim të integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Bashkimi Evropian e dënon me forcë çdo retorikë përçarëse – lëre më retorikën separatiste. Kjo nuk është ajo që ne mbështesim dhe nuk do ta mbështesim kurrë,” – thotë Lajçak.

Kritika tjetër ndaj BE-së për gjithë Ballkanin Perëndimor është se gati dy dekada që prej nisjes së proceseve për anëtarësim në BE, vetëm Kroacia është bërë vend anëtar. Në vitet e fundit, kundërshtia ndaj zgjerimit nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai holandez Mark Rutte ka lënë në ngërç procesin integrues të shteteve të Ballkanit Perëndimor, teksa Maqedonia e Veriut është ndalur nga fqinji i saj Bullgaria prej një mosmarrëveshje me të. Kritikët kanë lidhur dështimin për t’iu bashkuar BE-së me rritjen e nacionalizmit – dhe shpesh të nacionalizmit etnik – të politikës së rajonit, nga Dodik në Republika Srpska te Vuçiç në Serbi dhe te qeveria e re në Malin e Zi, e cila përfshin nacionalistë serbë që rrëzuan një qeveri “pro-evropiane” e cila kishte udhëhequr vendin për rreth tre dekada. Kjo ndodh pavarësisht se ka një mbështetje të gjerë të popullsive të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE, në Shqipëri mbi 90%, në Mal të Zi 80% dhe Serbi mbi 60%.

Marrë nga “Euronews Albania”

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit