Home Aktualitet Një metaforë ...

Një metaforë therëse dhe misteri i profecisë në “Komplotin” e Ben Blushit

68
0

Nga Johana Lubonja

Ka ngjallur shumë kureshtje romani i ri i Ben Blushit me titullin “Komploti”.

Narrativa e shkrimtarit “heretik” këtë radhë është rikthyer në thumbin helmues, duke u futur në “wudunë” që çmend Edi Ramën. E sërish ia del. Librin e kanë quajtur me të drejtë një metaforë therëse, që ka brenda edhe një dozë të rëndësishme analize politike që i ofrohet lexuesit në një formë të veçantë stilistike e letrare.

Veç të tjerave, libri ka brenda një thuajse profeci mbresëlënëse. Është vërtetë i habitshëm fakti që libri është dërguar në botim, përpara se të firmoset akordi ndërmjet Ramës dhe Melonit, por në libër flitet pikërisht për një Shëngjin të populluar… nga refugjatët!

Madje pas 20 vitesh njëri prej tyre zgjidhet kryebashkiak e më pas ministër.

Ngjarjet e Komplotit zhvillohen në vjeshtën e vitit 2043 dhe në pranverën e vitit 2044, pra 20 vjet më vonë, kur për shkak të ndryshimeve demografike popullsia e Shqipërisë është zvogëluar, ndërkohë që shumë refugjatë kanë ardhur të jetojnë me ne. Ata janë kryesisht afganë, por dhe sirianë e iranianë, të vendosur në qytetin e Shëngjinit, i cili këto ditë u ‘pagëzua’ realisht një zonë ku do strehohen refugjatët që nuk e kalojnë dot Adriatikun.

Meqë popullsia e tyre, pra e emigrantëve shtohet me ritme të larta, ndërkohë që shqiptarët lindin më pak dhe emigrojnë më shumë, në vitet 2040, të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkie një afgan. Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të Qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

Këtu fillon Komploti.

Afgani, pra Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë vendos të çlirojë Kosovën e cila për shkak të ndryshimit të konjukturave është pjesërisht e pushtuar nga serbët që janë inkurajuar nga avancimi i Rusisë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Për të penguar çlirimin e Kosovës nga afganët, tre hebrenj që bëhen bashkë për arsye të ndryshme, thurin një Komplot. Ata të tre kanë pikëpamjet e tyre sa i takon Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe sidomos Izraelit dhe konfliktit të tij me Palestinën. Njëri prej tre çifutëve është sionist, tjetri është komunist dhe i treti është një aventurier që shpesh krijon kaos pa shkak. Komploti përfundon me një tentativë të afganëve për grusht shteti, pra një përpjekje për të marrë Qeverinë e Shqipërisë dhe për ta kthyer atë në një Afganistan të vogël në mes të Europës. Këtë përpjekje të afganëve, shqiptarët arrijnë ta shmangin me ndihmën e tre cifutëve dhe përmes një veprimi të çuditshëm.

Kush janë tre “çifutët”: Sionisti, shqiptari dhe komunisti? Bastet kanë nisur që tani: njëri është Rama, tjetri Albin Kurti e tjetri Dritan Abazoviç!

Shkrimtari thotë në një shpjegim të tij se “Për të qetësuar të gjithë ata që mund të gjejnë paralele apo ngjashmëri mes Shqipërisë së vitit 2044 dhe Shqipërisë së sotme, dua të them se ky roman është një fiction, pra fantazi dhe asgjë më shumë”.

Por libri në fakt duket sikur bën fjalë jo për 2044 po për 2024-n!

Me të drejtë një gazetar i njohur shkruan se “Komploti” i Blushit nuk është një libër lokal. Ai është tërësisht një libër internacional që do përkthehet në disa gjuhë. Blushi në ketë roman është në nivelin e tre romancierëve nga më në zë në historinë e letërsisë botërore. I pari, francezi Alber Kamy me “Mitin e Sizifit” në të cilin shfaq idetë absurde të ekzistencës së njeriut. I dyti, afgano-amerikani Khaled Hosseinin me historitë befasuese dhe që të mban në ankth nga fillimi deri në fund me kryeveprën e tij “Gjuetari i balonave”. Dhe i treti, Franca Kafka, me transformimin që pësojnë personazhet në kryeveprën e tij “Metamorfoza”.

Për dikë tjetër, analist të njohur me të shkuar politike, është e pamundur të ndërpresësh leximin e këtij libri, pasi ai është një trill fantastik që i zhvendos ngjarjet në kohë të ardhme dhe, përshkak të ndodhive që i shohim sot, të krijohen pritshmëri përceptive përgjatë leximit. Analiza e të gjitha aspekteve të kaosit politik, social e moral në Shqipëri është brilante. Shtjellimi i tezës së shpopullimit të vendit dhe e popullimit me të huaj është domethënës. Blushi e ka shtjelluar disa herë këtë tezë në publiçistikën e tij.

Që prej vitit 2009, kur botoi romanin “Të Jetosh në Ishull” autori nuk po ndahet nga seria e tij, e veprave letrare me tema të “rënda” politike. Më pas Blushi shkroi: “Otello, Arapi i Vlorës”, një “sfidë” me një gjigand botëror që edhe pse nuk jeton më, mbetet numri 1 i mendimit botëror. Është fjala për Uilliam Shekspirin, dhe veprën e tij “Otello”, të cilin Fan Noli e shqipëroi me titullin “Arapi i Venedikut”.

“Otelloja” i Blushit, që mori çmimin europian për Letërsinë, është një dramë politike që ka të gjitha intrigat e kryeveprës shekspiriane, veçse më e aktualizuar, më ballkanike, më e afruar me kohën dhe realitetin vendas.

Si “Ishullin…” por dhe “Otellon…”, Blushi i shkruajti në një kontekst politik të caktuar kur nisi një betejë të fortë me Edi Ramën.

Më pas vjen “Kandidati”. As një vit më vonë, Blushi shkruan romanin e radhës “KM”-kryeministri, ku personazhin kryesor e vret nga snajperë të lidhur me të.

Romani 41, që erdhi për lexuesin një vit më parë, është jo vetëm një risi për letërsinë shqiptare e ballkanike, por edhe një galeri e rëndësishme enciklopedike, e një Shqipërie që askush nuk e tregon.

Kureshtja tashmë është e gjitha te “Komploti”, i cili është prezantuar nga vetë autori në Kosovë dhe për të cilin janë shkruar që tani, recensione fantastike.

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit