Home Aktualitet Një vështrim ...

Një vështrim mbi historinë e Mirditës

1179
0
Kendi i studiuesit:
NJË VËSHTRIM MBI HISTORINË E MIRDITËS
Si mbiemër, Mirdita ndeshet për të parën herë në kadastrën venedikase të Shkodrës, në fillim të shekullit XV. Në katundin Menshabardh të krahut të Nënshkodrës banonin me 1416-1417 Gjon e Pjetër Mirdita. Këta njerëz kishin ardhur këtu nga viset ndërmjet Fanit e Matit. Një gjysëm shekulli më vonë, më 1467, në katundin Suhadoll të Dibrës së Poshtëme banonte Ndre Mirdita, ndërsa në katundin Shipshan, Gjon Mirdita. Po në këtë periudhë një Gjon Mirdita banonte në Selitë dhe Pjetër Mirdita në Bërzanë. Përmendet dhe njëfarë Gjeç Bardhi i Mirditës (Gieci Bardia di Miradita) si pjesëmarrës i një kuvendi të udhëheqësve të fiseve sllave dhe shqiptare, i cili përpiqej t’i paraqiste Mbretit të Spanjës një projekt për çlirimin e gadishullit të Ballkanit prej sundimit turk.
Emri “Mirditë” është i vonë. Eqerem Çabej shkruan: “ Ato emra krahinash, qytetesh, lokalitetesh, lumenjsh të formuar me lëndë vendi si: Lim, Kelmend, Dukagjin,…Mirditë, Bulgër, Kthellë, Blinisht …vertetë janë të njëfarë moshe porse, pas gjithë gjasash, nuk janë të kohës antike dhe as nuk dalin në burimet e asaj kohe.
Me interes janë të dhënat rreth popullsisë që dalin së pari në regjistrat kadastralë osmanë. Pavarësisht se nuk e nënshtroi këtë vend, pushtuesi formalisht e përfshiu në administratën e tij dhe e ndau në njësi administrative që quheshin “nahije”. Nahija e Fanit të Madh numëronte tetë fshatra. Në vitin 1529 kishte gjithsejt 129 shtëpi; në vitin 1571 numëronte 137 shtëpi, kurse në vitin 1591 kishte 108 shtëpi. Fshatrat që e përbënin ishin: Rihas dhe mëhalla Mashta, Todhri, Lkani (Lekani), Mundell dhe mhalla Kimza, Terthot (Terzot), Shkoza, Shmik dhe Dom. Kurse nahija e Fanit të Vogël kishte 11 fshatra: në vitin 1529 me 240 shtëpi; më 1571 me 7 shtëpi (?) e më 1591 ishin 220 shtëpi. Fshatrat e nahijes së Fanit të Vogël kishin këta emra: Bejn, Bera, Katr, Gonëm ose Skurin, Grisht, Shingjergj, Shinmark, Kogjin, Mirqisht, Oshtrojka dhe Konid.
Uniteti krahinor i Mirditës ka qenë një proces që ka zgjatur në kohë. Sipas regjistrit kadastral osman, në vitet 1565, 1621, 1633, 1650, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, krahas Mirditës, përmenden si unitete krahinore më vete.
Nahija e Mirditës u formua nga shkëputja e territoreve prej nahijes së Fanit të Vogël, fillimisht me pak fshatra. Në një shënim të Defterit të sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571, gjendet sqarimi se “nahija e Mirditës në regjistrin e vjetër është shënuar e varur nga Fani i Vogël, por meqenëse midis tyre ka male dhe lugina që njihen me emrin “Mirditë” në regjistrin e ri u shënua në veçanti, duke përdorur dhe emërtimin tjetër “Nahija e Mirditës”. Në këtë nahije u përfshinë 9 fshatra: Plakëza e Poshtme, Plakëza e Sipërme, Mirdita, Aramiza, Gursh (Gurisht); Vila ose Blisht, Blesh (Plesh); Shin Konstandin; Tikmesh”. Këtu Mirdita del katund dhe krahinë (një bashkësi katundesh) më përpara se të krijohet si nahije. Si emër katundi dhe krahine, Mirdita gjendet në regjistrat osmane të sanxhakut të Dukagjinit të viteve 1533-1536, 1571 dhe 1591.
Në vitet 1533-1536 si katund Mirdita kishte 41 shtëpi dhe si krahinë përfshinte 9 katunde me 161 shtëpi. Për vitin 1571 regjistri turk nuk përmban të dhëna, sepse mirditasit nuk kishin pranuar të regjistrohen. Në vitin 1591, përmendet si katund me 46 shtëpi dhe si krahinë e 9 katundeve me 168 shtëpi. Nga këto të dhëna del se si krahinë Mirdita ishte formuar në vitin 1533, çka do të thotë se procesi i formimit të saj kishte nisur më parë, sapo ishte shpërbërë uniteti krahinor i Dukagjinit. Pra, që në atë kohë, mund të flitet për bashkimin e disa fshatrave rreth katundit Mirditë, i cili me sa duket ishte qendra e krahinës në formim e sipër. Krahina Mirditë na del me emrin e dy nënnjësive, Në dokumentin që mban datën 26-27 shkurt 1565, ku bëhet fjalë për një kryengritje antiosmane përmendet Mirdita e Madhe dhe Mirdita e Vogël, ku çdonjëra prej njësive përbëhej prej disa fshatrave. Kjo len të kuptohet se Mirdita ishte rritur mjaft.
Në lidhje me fshatin e dikurshëm me emrin “Mirditë” dhe kalimin në emër krahine, ka shkruar Prend Doçi në vitin 1892: “Vërtetë Mirditë quhej dhe quhet ende Oroshi, se qytezë e mirditasve është Oroshi e pikërisht Gryka e Oroshit”. Po kështu, në një dorëshkrim të vitit 1937 Dom Prend Suli shkruan: “Aty ku motit quhej Mirditë, në Grykë të Oroshit, nën Gurë të Qershisë”. Dhe më tej vazhdon: “Se një pjesë e Oroshit quhej Mirditë, sikurse dëshmohet nga të moshuarit, e tregon kujtimi që ruhej dhe dëgjohej në vend edhe në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli. Në mbështetje të këtij mendimi Gaspër Jakova-Mërturi ka thënë se “emri Mirditë është emër i përveçëm i një pjese të Oroshit.
Nga shqyrtimi i këtyre të dhënave dhe krahasimi me toponiminë, topografinë dhe të dhënat gojore arrihet në përfundimin se në Orosh, në vendin e quajtur Gryka e Oroshit e rreth Kodrës së Mashtërkorëve, ka qenë një katund i quajtur Mirditë. Këtë vendbanim, në vitin 1621, Pjetër Budi e shënon si një nga qytezat e popujve të Dukagjinit. Prej atëherë ky emër përmendet vazhdimisht në dokumentet historike. Në vitin 1629 flitet për “popuj të quajtur mirditas, shqiptarë, por armiq të turqve”. Më 1637, Mark Skura shkruante: “Mbërrita në Mirditë dhe po i lëshoj të gjithë katundet e Mirditës së Epër me atë të Zajsit përzhitas”. Katër vjet më vonë, dokumentohet përsëri si emër: “ …përmbi Lezhë, në rrjedhën e poshtëme të lumit Mat dhe rreth Kurbinit, shqiptarë të maleve: mirditasit, bulgrakët e selitasit, të cilët turqit i quajnë kryengritës e tradhëtarë”. Gjithashtu në një njoftim të vitit 1648 shkruhet: “Me qenë se filluan ndjekjet, ai iku në Dibërr, pra midis mirditasve”. Një vit më vonë, Francesco Bolica e përsërit këtë emërtim kur thotë: “Misioni i Mirditës përfshin vetë Mirditën, Fanin e Vogël, Kthellën, Selitën, Macukullin, Prellin, Lurën, Vlashajt e Qidhnën, të gjitha ndër male, ku ka shumë popuj tepër të rreptë dhe të egër. … Ndër male pastaj kemi nxjerrë këto fryte: ata të Dibrrit nuk vjedhin ma ose nuk shkojnë me plaçkitë, ose nuk shesin skllavë… .Mirdita me Fand, Selitë, etj. nuk shesin ma skllav”.
Për Mirditën flet në vitin 1650 Benedikt Orsini: “Po mbahem në mëshirë të klerikëve të Mirditës”. Në vitin 1666 e përmend edhe Pjetër Bogdani: “Popujt e maleve të Mirditës, të Kurbinit dhe të Arnit”. Pastaj në vitin 1671, Shtjefën Gaspëri: “U nisa nga Blinishti dhe mbërrita në Mirditë, e cila kishte kishën e Shën Kollit, por u dogj dhe u rrafshua nga turqit. Peshkopi ka ndërtuar aty një shtëpi të gjatë 13 kut të gjërë 7, të lartë 4 dhe me pak mirësjellje kremton aty ku fle. Peshkopi nuk ka dashur kurrë ta mbulojë kishën, e cila ka përpara portën e shtëpisë. Mirdita si famulli ka katundet Orosh, Lagesi (Lagje), Mastrecori (Mashtërkorë), Shën Mëria (Shëmri), Tunerishi (Tunrishi dhe numëron 97 shtëpi me 825 frymë. Kisha e Shën Kollit gjendet në breg të lumit Fani i Vogël, në rrëzë të shpisë së Ndue Llesh Ndokës. Katër milje larg banesës së priftit është Abacia mbi mal”.
Në hartën e Koronelit të vitit 1688 dhe në atë të Kantelit, të botuar një vit më vonë, shënohen “popujt e mirditasve”, në një rend me ata të Dibrrit e të Iballës.
Krahas unitetit krahinor të Mirditës, u formua dhe uniteti krahinor i Malësisë së Madhe në veri të lumit Drin. Në fund të shekullit XVII, Mirdita përfshinte si krahinë tre bajrakë: Orosh, Spaç e Kuzhnen. Në vitin 1772 iu bashkuan bajraku i Fanit që varej nga Prizreni, rreth vitit 1810 Dibrri, që quhej ndryshe Zadrima e Epërme, që shkonte më pare me Lezhën. Pastaj, rreth vitit 1820 Selita, Kthella dhe Rraza, ndërsa dhjetë vjet më vonë edhe Bulgëri, Vela, Kryezezët dhe Manatia. Kështu në një hapësirë kohore prej gjashtëdhjetë vjetësh, treva e Mirditës njësohet në një krahinë dymbëdhjetë bajrakëshe që, në saj të lidhjeve të shumta ruan dhe njëson zakonet, traditat dhe gjithçka kishte trashëguar deri atëherë. Lidhjet fetare të krishtera, lidhjet martesore në mes këtyre njësive, lidhjet e vazhdueshme shoqërore dhe ekonomike nëpërmjet panaireve etj, mbështetur mbi një kulturë të përbashkët etnologjike, kushtet e përbashkëta historike, sidomos lidhjet e përbashkëta dokësore, të njohura me emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit kanë bërë që Mirdita të jetë një krahinë e madhe etnologjike me veçoritë e veta dalluese në krahasim me krahinat përreth saj. Për më tepër, me veshjet e saj karakteristike të grave, me të folmen e vet dalluese, me organizimin unik dokesor, nëpërmjet një emigrimi të brendshëm edhe në krahinat e Pukës, Zadrimës, në Fushë-Arrëz, Lumarth, Kryezi, Qafë- Mali, Korthpulë, Laç, Naraç të Mjedës, Gomsiqe, Kallmet, Lezhë, ajo ka ardhur në rritje, aq sa u bë krahina më e madhe e Veriut, që ka luajtur një rol me rëndësi në jetën politike e kulturore kombëtare.
Prejardhja e Mirditës në gojëdhëna dhe sipas dokumenteve
Gojëdhënat për prejardhjen e mirditasve janë të shumta, por në përgjithësi përkojnë midis tyre. Sipas traditës, lidhja midis Shalës, Shoshit dhe Mirditës në thelb tregon të njëjtën gjë: afërsinë e këtyre krahinave me njëra-tjetrën. “Thuhet se Mirdita me Shalë e Shosh, me të cilët kanë qenë farefis, janë të ardhur në trojet e sotme prej viseve të Kosovës dhe u vendosën fillimisht në Zogaj afër Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës. Prej aty janë ndarë dhe secili ka zënë vendin e vet, aty ku gjenden sot”. Një traditë tjetër i nxjerr nga Dukagjini. “paskan kenë tre vllazën në Dukagjin dhe, para se me u nda prej zjarmit, deshën me nda pasuninë që kishin: një shalë kali e një shoshë. Shalën e mori ma i madhi e atij vendi ku vu shpinë i meti emni Shalë; të dytit i takoi shosha, e atij vendi ku vu shpinë i meti emni Shosh; i treti s’pat ç’ka me marrë e u tha dy vllazënve të parë: “Ktu mirë metshi e mue më qoftë e mira ditë, pse po shkoj edhe unë me gjet ndonji vend për veti”. Pavarësisht se bëhet fjalë për vllazën, duhet të kenë qenë “tri fise, vllazni të mdhaja deri diku, që kanë ardhë e zatetë në Shalë, Shosh e Mirditë”. At Benardin Palaj mendon se “ma së pari u dynd e zuni vend Mirdita në Orosh. Pas disa vjetësh u dyndën edhe të parët e Shoshit: (Gjol e Pepë Suma, të nipat e Mark Ditës e zunë vend në kodër të Shën Qurkut, ku gjetën Karmasorin e Drogobatin, që i dyndën me luftë dhe u morën vendin. Së vonshmi edhe Shala 80-vjet mbas Shoshit”.
Tradita gojore mbi ardhjen e mirditasve në trojet e sotme lidhet edhe me Hasin. Thuhet se “tre vëllezër nga ana e Gjakovës, nga Pashtriku, erdhën e zunë vend: në Orosh, Spaç dhe Kuzhnen. Prej këtej u formuan bajrakët e fisit që përbëjnë bërthamën e Mirditës së sotme”. Dom Nikollë Kimza ka shkruar se: “Mirdita e përbame nga bajrakët Orosh, Spaç, Kuzhnen e ka gojëdhanën se asht e rrjedh prej fisit Marin (o Morinë). Këta tre bajrakë emnohen gjithmonë bajrakët e fisit. Tre bajrakët e fisit se rrjedhin prej njaj fisi e kndei njani-tjetrin e thërrasin vëlla. Kët vllazni nuk e kan as vllazni shoqniet, as vllazni politike, as përkundra muhamedanëve, por n’diftim t’nji ftillese e t’nji burimi, vllazni qi rrjedh prej nji gjaku. Kët vllazni rrfejnë se e kan edhe me Shalë e me Shosh. Prej ksaj vllaznije qi rrfejnë se kanë Oroshi, Spaçi e Kuzhneni asnji n’tre nuk kanë marrë e dhanë gra deri n’kohë t’ona se thonë :” Vllau mik nuk ka si bahet”. Dishiplina fetare kurr s’i ka ndalue, as tash s’i ndalon tui kenë largue tepër gjaku i vllaznisë qi kan për mos me u martue me njani-tjetrin, por kurrë as nuk janë gjegjë e as nuk gjegjin”.
Gojëdhëna e prejardhjes nuk na çon te themeluesi i Krahinës; nuk dihet emri i të parit dhe as i themeluesve të tre vëllaznive: Orosh, Spaç e Kuzhnen. Mirdita, e parë si një fis, del i vetmi fis që nuk tregon breza. Ka gojëdhëna që Mirditën e lidhin me një fisin e vjetër që në Kosovë vazhdon të quhet Morinë, i cili ka jetuar në trevën e Pashtrikut të Hasit, ku edhe sot gjendet fshati me të njëjtin emër dhe, prej andej, është shpërndarë në disa treva të Kosovës. Në librin“E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, Pashko Vasa shkruan se “mirditorët e kanë prejardhjen nga Pashtriku” dhe shton se “i kujtohej që kishte parë një dokument të Bibë Dodës, shkruar nga Kadiu i Zadrimës në shekullin XV, ku shënohej se “Llesh Gega, Dodë Gega dhe Tanush Gega dhe një tjetër, kishin lënë malet e Pashtrikut dhe ishin vendosur në Mirditë”. Në të vërtetë, edhe pas kaq vitesh dallohet një lidhje në mes të hasjanëve pashtrikas dhe mirditorëve. Kishat e reja të ngritura në Orosh, Spaç e Kuzhnen në shekujt XVI-XVII kanë të njëjtët emra shenjtorësh si të kishave të vjetra në Has të Gjakovës: Shën Gjoni, Shën Nikolli, Shën Gjergji, Shëlbuemi, e kështu me radhë. Ndoshta popullsia e re që erdhi prej andej pruri me vete festat e të kremtet….Me interes është fakti se në disa fshatra të krishterë, por edhe myslimanë të Hasit të Gjakovës kremtohet festa e Shën Nikollës, ashtu siç bëhet në Orosh, Kuzhnen, etj. Në zonën e Pashtrikut ka fshatra të afërta me njëri-tjetrin që janë të një vëllazërie, që emërtohen Bardhaj e Letaj, siç emërtohen edhe dy vëllazëri të Blinishtit të Mirditës, çfarë na bën të mendojmë për lidhje midis tyre. Si dokument historik që dëshmon ardhjen e popullsive nga Pashtriku është ilami (vendimi i gjyqit) që lëshoi më 1443 kadiu i Zadrimës, me rastin e vendosjes në Ndërfanë të disa familjeve të shpërngulura nga fshati Pashtraq (Pashtrik) i Gjakovës. Me burime të ndryshme e me zhbirime krahasuese vërtetohet ardhja e një sasie jo të vogël popullsie nga Kosova e si pikë e kujtesës shënohet Pashtriku. Kushtet e ardhjes shpjegohen me rrethanat e pasigurisë, me trusni të pushtimit osman. Natyrisht këto trusni duhet të jenë më të hershme, që nga koha e pushtimeve sllave në shekujt XIII-XV. Këto të dhëna janë të mjaftueshme, ndërkohë ka edhe të dhëna të tjera që e lidhin trevën e Pashtrikut me Oroshin dhe me Spaçin. Kështu, pleq të fillimit të shekullit të njëzetë tregonin me shumë bindje se pararadhësit e familjes së Prengë Bibë Dodës së Oroshit kanë patur pronat e tyre në Pashtrik e në Rrafsh të Hasit, të trashëguara që kur kanë ardhur prej andej dhe merrnin qira për kullosë në mal të Pashtrikut e në tokat e tyre në Has, qira që me kohë ishte ndërprerë. Tregonin gjithashtu se edhe në fillim të këtij shekulli, nga të familjes së Gjomarkajve shkonin e vinin me familjen Maroshi në anë të Gjakovës, duke u njohur si të njëri-tjetrit. “Në Pashtrik Gjomarkajt kanë fisin e vet që thirret Marosh e asht nji familje e pasun, krejt muhamedane. Gjindt e atij fisi kanë kenë tash vonë në shpi të Gjomarkajve në Orosh qi i ka pritë e qitë për shokë fisi, edhe Gjomarkajt kanë ndejtë nja tri ditë në shpi t’Maroshëve, ma si ke Sherif Maroshi, si tu gjaku i vet, n’vjetë 1921.
Gojëdhënat e mbajnë Oroshin si vendin e parë ku u vendosën fillimisht mirditasit. Sipas Kolë Shtjefnit, i cili ka mbledhur me kujdes traditën gojore të banorëve të trevës, që në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, ” tre vllazën kanë ardhë prej Gjakove ktu në Orosh, ku ka kenë pyllë. Mbas do kohe janë nda. Njani ka ngelë në Orosh, tjetri në Spaç e tjetri në Kuzhne. Këta tre bajrakë nuk marrin as nuk napin me shoqi-shojn pse e njehin vedin për vllazën. Vetëm këta tre bajrakë janë quejt dikur Mirditë e qi duhet besue se janë Mirditë, mbasi këtë vllazni e kanë ruejt prej qindra vjetësh e deri në ditët tona pa e prishë. Nuk janë martue kurrë në mes tyne, kanë të njajtat doke e zakone, veshje e çdo gja tjetër dhe mbahen vllazni për çdo rast”.
Si vendbanim të mirditasve tradita jep Kodër Koliken apo Kodrën e Mashtërkorëve siç i thonë sot, ku në fillim “ka xanë vend i mirditasi, në mes të një pylli të shpeshtë me brej e me pisha. Janë gjetë aty shpija e Lulit dhe e Skanës. Lulit nuk i dihet prejardhja, kurse Skana thonë se ashtë i ardhun prej Kruje.
Po të dhënat historike çfarë japin? Në atë që quhet Mirditë, në kuptimin më të gjërë, në Mesjetë ka ekzistuar një popullsi e vjetër arbërore vendëse e këtë e vërtetojnë varrezat e shumta, si varrime të përbashkëta në një vend, frutikultura e zhvilluar me vreshta dhe pemë, prania e mullinjëve të blojës, ç’ka flet për popullsi të vendosur në vendbanime të përhershme. Dëshmi tjetër me rëndësi është prania e kishave të shumta dhe disa manastireve që i kanë rrënjët në Mesjetën e hershme dhe trupin në Mesjetën e Midisë.
Tek katundi Mirditë prej njëmbëdhjetë shtëpishë në vitin 1529 shihet tharmi i atij fisi. Në vitin 1671 ai katund përbëhej prej nëntëdhjetë e shtatë shtëpishë me tetëqind e njëzet e pesë banorë dhe përfshinte vendbanimet: Orosh, Lagje, Mashtërkorë e Tumerisht. Në të dhënat e para historike hyn edhe një dokument venedikas i fundit të vitit 1500, i botuar në “Starine të Zagrebit” në të cilin shkruhet : “Në malet e Lezhës gjenden fshatra të quajtura mirditëse, të populluara nga katolikë, me 12 mijë burra nën armë, të gatshëm për komandë.
Për herë të Mirditën e vendos në hartë Koroneli me emërtimin “Merediti” dhe si vend të saj përcakton luginën e sipërme të Fandit të Vogël. Prej andej ka filluar procesi i zgjerimit të saj. Franc Nopça shkruan:…”Historinë e Mirditës e përshkon tej e mbanë tendenca që të asimilojë tokat kufitare. Në veri, kohë më pare, kufiri i saj nuk arrinte as deri në Kalivare. Sot Gojani dhe territoret në veri të Kalivares i përkasin Mirditës, madje edhe Fusha e Arstit dhe Qafa e Malit ndodhen në sferën e interesave të saj. Ajo ka mundur të shtrihet edhe nga ana e Lurës duke pushtuar Gurin e Kuq”. Ky ndikim asimilimi shkon kaq larg sa Mirdita mund të mbyllte në çdo çast rrugën Prizren-Shkodër, herë në Qafën e Malit dhe herë në Kçirë, që dikur as që i takonte Mirditës. Fshati i vogël mirditas Troz, në veri të Dushit, është njëri nga vendet mirditase më të shtyra në thellësi të veriperëndimit. Sipas Prend Doçit, Mirdita e dymbëdhjetë bajrakëve si krahinë autonome, në mesin e shekullit XIX, shtrihej në një territor prej rreth 800 km2 dhe kishte 83 katunde, 2400 shtëpi dhe rreth 25 mijë banorë. Lidhja e dymbëdhjetë bajrakëve të Mirditës nuk ishte një bashkim mekanik i dhunshëm. Ajo e kishte bazën tek ai koncepti i përbashkët që buronte natyrshëm nga trashëgimia dhe toka në të cilën gjallonin të pacënuara lidhjet e vjetra materiale dhe shpirtërore në mes kulturës, besimit dhe dheut të të parëve, që në thelb për mirditorët ishin dhe mbetën të patjetërsueshme.
Në përpjekje për të ruajtur autonominë
Me pushtimin osman u shkatërrua klasa feudale vendase edhe në Malësi, ndërsa struktura e organizimit të vjetër shoqëror i përballoi të gjitha provat e vështira të kohës. Krerët mbetën në udhëheqje të qëndresës së fshatarsisë së lirë malësore. Ata drejtuan lëvizjen kryengritëse, nënshkruan në emër të krahinave ose i përfaqësuan ato në kuvende të ndryshme. Frang Bardhi në relacionin e dhënë për krahinën e Pukës, më 1637, flet gjerësisht për krerët vendas që thirreshin qefalinj. Pozitën e tyre shoqërore nga ana e jashtme e tregonin duke mbajtur në mbertheckën e grykës së këmishës një sumbull argjendi të punuar në madhësinë e një molle mesatare, kurse më të fuqishmit e më të pasurit kishin dy deri në tri sumbulla të tilla. Këta qefalinjë kur shkonin në kuvende, festa e panaire, e lidhnin kokën me rubë mendafshi për t’u dalluar nga të tjerët. Sipas një letre të shkruar në gjuhën shqipe në Gash të Malësisë së Gjakovës më 30 maj 1609 mësojmë se ishin “krerët që interesoheshin edhe për çeshtjet fetare të popullsisë”.
Nga fundi i shek. XV, pas pushtimit osman, u bë një tërheqje për të ruajtur pushtetin lokal vetëqeverisës, i cili tashti kishte hyrë brenda kornizës së të Drejtës Zakonore. Qendra e qeverisjes ishte përsëri Kuvendi që zakonisht organizohej për të arritur pajtueshmëri apo marrëveshje për problem të ndryshme. Me anë të Kanunit rregulloheshin tërësisht çështjet themelore të jetës siç ishin: qeverisja, martesa, trashëgimia, religjioni, të drejtat e kullosave etj. E vetmja punë që duhej bërë ishte ruajtja e tij në kujtesë nga një brez në brezin tjetër. Natyrisht, në hapësira të ndryshme gjeografike, normat kanunore u përshtatën me rrethanat e jetës dhe ndryshuan paksa në përmbajtje, prandaj sot e Drejta Zakonore shpreh ndryshime të caktuara dhe ndryshime të vogla, por pa u larguar nga baza e Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Të gjitha përpjekjet e turqëve për t’i nënshtruar malësorët u thyen përballë këtyre maleve, ku ata mund të hynin vetëm përmes grykash të ngushta, të ruajtura nga njerëz të vendosur që vdisnin tok me familjet e tyre, në vend që të dorëzoheshin. Përfundimisht, duke humbur shpresat se do t’i nënshtronin me forcë, turqit u propozuan një marrëveshje që kënaqte të dy palët. Sipas marrëveshjes, turqit njihnin prijësit e tyre dhe nuk kishin asnjë të drejtë të përziheshin në punët e tyre të brendëshme. Ata u garantonin vendësve ushtrimin e lirë të besimit dhe përjashtimin nga çdo lloj taksash, si për tokat që zotëronin në male, ashtu dhe për ato që mund të blinin në fushën e Zadrimës. Por, në rast lufte, ata duhet të dërgonin një kontigjent, sipas detyrimit “burrë për shpi”.
Mirdita për një kohë të gjatë u var nga sanxhaku i Dukagjinit me qendër në Pejë. Me ardhjen e Bushatllinjëve u përfshi në Pashallëkun e Shkodrës, por shumicën e kohës nuk i përfshiu të dymbëdhjetë bajrakët. Ndonëse ishte formuar uniteti krahinor dhe për çështjet më të rëndësishme funksiononte Kuvendi i Dymbëdhjetë Bajrakëve, pushtuesit osmanë e mbajtën pothuajse vazhdimisht të coptuar Krahinën nga ana administrative, për ta dobësuar faktorin e Mirditës që ishte bërë kërcënues.
Deri më sot, ende nuk janë gjetur akte zyrtare që saktësojnë kohën e krijimit të bajrakut, megjithatë duke u mbështetur në burime të tërthorta mund t’i afrohemi të vërtetës. Frang Bardhi në fjalorin e tij e shënon fjalën “bajrak” e “bajraktar” me kuptimin “flamur” e “flamurmbajtës”. Në vitin 1690 përmendet bajraktari i Kuçit të Malësisë të Madhe, i cili nisi të dërguarin e vet në Pejë për të vërtetuar lajmin e përhapur se “ushtria austriake kishte pësuar disfatë e qyteti kishte rënë në dorën e turqve”. Po kështu, disa autorë, pa shënuar burimin, ose duke përsëritur paraardhësit, përmendin një ngjarje të vitit 1696, kur në përpjekje për mbrojtjen e Ulqinit kundër sulmit venedikas luftuan edhe bajrakët e Malësisë së Shkodrës, ku u shqua për trimëri bajraktari i Hotit dhe që atëherë, Hoti u konsiderua bajrak i parë.
Si është bërë organizimi i bajrakëve të Mirditës? Për nga organizimi politik Mirdita është një lloj republike aristokratike. Përsa i përket shërbimit ushtarak, çdo shtëpi ishte e detyruar të jepte një burrë, i cili duhet të qëndronte vetëm gjashtë muaj të vitit në luftë. Me të mbaruar ky afat, ai rikthehet në shtëpinë e vet dhe mund të rithirret nën armë vetëm vitin e ardhshëm. Forcat e bajrakëve të Mirditës, ndryshe nga malësorët e tjerë të Shqipërisë së Veriut që shërbenin falas dhe përfitonin vetëm bukë e djathë gjatë fushatës, qysh prej luftërave të Epirit, merrnin racionin e ushtarëve të rregulltë dhe një pagesë bazë prej gjashtëdhjetë pjastrash (12 franga në muaj). Që nga dita e nisjes, luftëtarët e kishin të siguruar ushqimin. Popullsia e Zadrimës detyrohej t’u jepte bukë të mjaftueshme për një ditë. Fshatrat e Zadrimës, që do t’u jepnin bukë ishin të përcaktuar sipas bajrakëve: Troshani, Fishta, Blinishti, Krajni forcave të Fanit; Hajmeli, Naraçi, Kaça, Shelqeti, Laçi e Mjeda forcave të Dibrrit; Kallmeti, Mërçija, Rraboshta, do t’i jepnin bukë Oroshit; Baba, Pistulli, Paçrami, Shkjezi, Kullzi bajrakut të Kuzhnenit; Nënshati, Kodheli, Baçli, Gjadri, Gramshi do t’u jepnin bukë forcave të bajrakut të Spaçit.
Formimi i Mirditës lidhet drejtpërdrejt me rolin e familjes së Gjomarkajve. Pavarësisht nga njohja formale, autoritetet osmane herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë të tërthortë janë përpjekur të ndërhyjnë në vetëqeverisjen e Mirditës, duke ua dubluar krerëve tradicionalë funksionet kanunore me ofiqe shtetërore. Kështu Kapidani quhej edhe kajmekam dhe paguhej me rrogë nga shteti. Ndërsa në vitin 1865 autoritetet osmane e bënë edhe zyrtarisht Mirditën kajmekamllëk dhe Kapidanit i paguhej një rrogë mujore prej 600 groshësh. Ai kishte njerëzit me të cilët qeveriste, që në popull njiheshin si krerët e mëdha, nga një për çdo bajrak, që përbënin Këshillin Administrative të Kazasë. Krerët e mëdha të Mirditës sipas bajrakëve ishin: në Orosh Marpepajt; në Spaç Përmargjegjajt, në Kushnen Baca, në Fanë Dodëgegajt, në Dibërr Paluca. Kapidani kishte në administratën e tij edhe një sekretar që paguhej nga shteti. Sekretari (qatipi) i kazazë mbante korrespodencën në gjuhën osmane. Ami Bue shkruan se kapidani Preng Nikolla (duhet të jetë Bibë Doda, N.L) i paguante disa djem, me anën e të cilëve çonte në vend urdhrat e tij. Këta kryenin detyrën e xhandarëve, ishin vendës dhe mbanin veshur rroba kombëtare. Ata përgjigjeshin për ruajtjen e rendit dhe shoqërimin e Kapidanit. Këta xhandarë qëndruan nën komandën e Bibë Dodës, por nuk u pranuan më në Mirditë pas vdekjes së tij. Vetëm me pushtimin e Mirditës, në vitin 1877, u dërgua në Orosh një batalion zaptijesh me komandant Dodë Gegën, në fillim me gradën e Kapitenit dhe pastaj atë të Majorit. Pas vrasjes së tij, në atë detyrë u emëruan oficerë turq, të cilët u detyruan të qëndrojnë në Mjedë. Nga Salnameja e vilajetit të Shkodrës e vitit 1897 mësojmë se batalioni i zaptijeve të Mirditës përbëhej nga pesë kompani me katërmbëdhjetë oficerë në organikë, nga të cilët nëntë ishin mirditorë. Në vitin 1889 në bajrakë kishte grupe të vogla zaptijesh që konsideroheshin si syri dhe veshi i qeverisë. Për mbajtjen e tyre shpenzoheshin 8000 grosh në vit. Rrogat i merrnin një herë në tre muaj në Shkodër, por shpesh herë me shumë vonesë dhe, në ato kushte, shpesh nga ruajtës të rendit ktheheshin në grabitës. Zaptijet në atë periudhë varfërie ekstreme gëzonin përfitime ekonomike, ndërsa oficerët e tyre përfitime akoma më të mëdha, prandaj të joshur nga pagesa që u jepej, në repartet e zaptive u angazhuan edhe disa krerë të njohur, ndër të cilët bajraktari i Fanit dhe i Spaçit u bënë nëntoger zaptijesh. Në vitin 1895, zaptijet që vepronin në bajrakët e Ohrit qëndronin në Fushë të Lumthit. Kalimi i disa krerëve dhe bajraktarëve në stukturat ushtarake të komanduara drejtpërdrejt nga autoritetet osmane ishte goditje tjetër ndaj autonomisë së Mirditës.
Për t’i tërhequr krerët në funksione qeveritare ishte caktuar shpërblimi i tyre. Fillimisht pagesa është bërë në mënyrë natyrore. Me ferman i ishin dhënë Mirditës 100 ngarkesash misri nga e dhjeta që i paguhet shtetit prej krahinës së Zadrimës, e cila ndahej: shtatëdhjetë i shkonin Kapidanit dhe tridhjetë pleqëve të pesë bajrakëve.
Në atë periudhë ndodhnin konflikte të ndryshme për zabele, kullota, livadhe, etj që krijonin ngatërresa dhe sherre. Nganjëherë ndodhnin përleshje të armatosura për kullota, siç qe ajo në mes të Isniqit e Deçanit në kazatë e Pejës e të Gjakovës, që zgjatën shumë kohë. Njohim një deklaratë, të firmosur nga bajraktarët e kapidani i Mirditës më 16 prill 1867, pas pajtimit të arritur në mes të përfaqësuesve të Malësisë së Madhe e të Mirditës, që i dërgohej Valiut të Shkodrës, Ismail Pashës. Kur ngatërresat ishin të vështira për t’u zgjidhur me krerë dhe pleq, mblidheshin malet në kuvend të përgjithshëm e vendosnin besën e zabitit në mes të bajrakëve, që fillonte Ditën e të Shumave deri në Shënkoll. Kush vepronte kundër vendimeve të marra nxirrej jashtë vendit dhe gjobitej gjashtë qese.
Mirditasit i kanë kryer Portës së Lartë shërbime të mëdha. Kur Said Beu i Matit ngriti krye në vitet 1859-1860, ushtria turke që shkoi për ta shtypur rebelimin u ndihmua edhe nga mirditasit. Forcat e Mirditës, në krah të forcave osmane shtypën kryengritjen e Rrapo Hekalit dhe të Zenel Gjolekës, ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen e banorëve të atyre trevave, siç e thotë edhe kënga e trashëguar ndër breza: “Qaj moj Vlorë qaj e shkretë, ç’u mbushe nizamë e gegë”.
Në luftën kundër Malit të Zi në vitin 1852, mirditasit me një gjakftohtësi të admirueshme kishin mbuluar tërheqjen e ushtrisë turke. Pastaj përsëri, në janar të vitit 1853 morën pjesë në fushatën kundër Malit të Zi. Në shkurt, fisi Pipri iu dorëzua Omer Pashës, por u ndërpre aksioni turk, në atë muaj, nga shkaku i ndërhyrjes së feldmarshallit austriak Lajningen dhe në mars u lanë të lirë të gjithë robërit malazezë të luftës. Meqenëse po në atë vit plasi lufta e Krimesë, qeveria turke thirri nën armë ushtarë edhe në rrethin e Shkodrës. Përveç konsullit francez, u mundua të mblidhte vullnetarë veçanërisht kapidani i Mirditës, Bibë Doda. Për të forcuar agjitacionin e tij, u mbështet mbi një ferman, që në realitet i takonte vetëm Fanit, dhe pavarësisht nga pengesat që i vuri kleri, mundi të mblidhte rreth tremijë vetë. Këta vullnetarë, që formonin një njësi ushtarake, merrnin si shpërblim 81 franga në muaj. Kleri e kundërshtoi mobilizimin e mirditasve. Shkaku për të cilin një pjesë e klerit e kundërshtonte mbledhjen e vullnetarëve ishte se kujtonte, jo pa arsye, që vullnetarët katolikë do të përdoreshin më keq se muhamedanët. Kur mirditasit po mbronin një bastion të Silistrisë, kishin kërkuar njëzet e katër orë pushim që të çlodheshin. Kur komanda refuzoi, ata u tërhoqën vetë nga luftimet. Nga ky shkak ata i çarmatosën dhe, për dënim, i shpërndanë nëpër trupat e rregullta. Vetë Bib Doda u kthye në Orosh me pak nder. Mirditasit, që kishin mbetur në shtëpi, ishin zemëruar, që ky nuk kishte ditur të mbronte më mirë çështjen e vullnetarëve dhe, puna arriti deri aty sa ata mund t’i rrezikonin jetën.
Për të përmirësuar pozitën e Bib Dodës karshi vendit të tij, më 1855 u nis një komision mirditas, që kërkoi pranë autoriteteve osmane lirimin e vullnetarëve të tyre nga detyrimi që të rrinin edhe më tej të shpërndarë nëpër trupat e vijave; pastaj kërkoi, që t’u ktheheshin armët dhe, përveç këtyre, t’u pagueshin shpërblimet e prapambetura. Një pjesë të këtyre shpërblimeve, 25 mijë franga për 200 muhamedanë dhe 800 katolikë që ishin angazhuar nga qeveria franceze, i pagoi konsullata e Francës më 1856; kërkesat e tjerat u plotësuan nga Porta e Lartë në vitin 1857, kur ajo kishte përsëri interes t’i bënte mirditasit për vete.
Luftëtarët mirditas, pavarësisht se kujt i shërbenin, ruanin moralin e njeriut të lirë dhe kanë lënë gjurmë të pashlyera me sjelljet kalorsiake ndër beteja.
(Dr Nikoll Loka)

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit