Home Editorial Opozitë koti!...

Opozitë koti! Kanë frikë nga Rama!

1440
0

Opozitë koti! Ka frikë nga Rama

Nga Daniel Muçaku, kryeredaktor i KOHA JONE

Opozita bërtiste ditët e plazhit se sapo të vijë shtatori do të bëjmë namin kundër kryeministrit Rama. Ose sapo të hyjë shtatori njerëzit do të derdhen lumë para kryeministrisë kundër rritjes së cmimeve, mungesës së lirive ekonomike dhe politike, sepse Edi Rama ka marrë çdo pushtet.

Por që të organizosh një protestë të madhe dhe finale kundër një regjimi siç akuzon Berisha dhe Meta, duhen disa ditë apo javë, pasi nuk është takim para kryeministrisë, por përballje me shtetin e kryeministrit.

Ndërkohë kemi edhe tre ditë dhe hyn shtatori, por vetëm konferenca shtypi dhe “luftë me bomba” në facebook kanë dalë deri më sot si Sali Berisha ashtu edhe Ilir Meta.

Dhe për dreq kanë zgjedhur facebookun për ta masakruar Edi Ramën, por njihet publikisht se në facebook kryeministri të ha të gjallë se ka 1.6 milionë ndjekës, kur të dy Saliu dhe Meta nuk i afrohen as sëbashku.

Për konferenca shtypi opozitare nuk ia ndjen fare kryeministrit.

Ndaj ai don përballje me popull para kryeministrisë, aty duhet forcë dhe numra në njerëz sepse me gaz lotësjellës janë mbushur plot e përplot magazinat e policisë.

Natyrisht që ministri Bledi Çuç nuk është aq i ashpër sa ishte Sandër Lleshi kur gazi lotësjellës hidhej nëpër Tiranë sikur të ishte farë gruri në Myzeqe. Por prapë policia e shtetit merr urdhëra direkt nga Surreli dhe nëse Berisha me Metën nuk marrin kundragaz atëhere do ti keni të dy duke marrë frymë me zor nga Liqeni, aty ku Erion Veliaj ka bërë një pistë të re vrapimi.

Nga ana tjetër SPAK-u po përparon shpejt. Po mbledh fakte, dosje, letra dhe po përgatit thirrjet e para për ato nën hetim. Në vend që java të niste me takim zyrtar Berisha-Meta se si do të jetë protesta e madhe që kanë premtuar gjatë ditëve të nxehta të verës, ata prapë vazhdojnë sejcili në “parcelën” e tij.

Opozita ka njerëz plot pas vetes, ka popull të revoltuar, por akoma nuk po shikon se drejtuesit e kanë seriozisht përballjen me Edi Ramën. Të zhgënjyer nga Lulzim Basha që bënte namin në konferenca shtypi por kur vinte puna të dera e kryeministrisë iu thoshte se “boll për sot pasi e kemi rrëzuar rregjimin”, populli nuk beson më kollaj. Regjimi i Ramës vetëm sa forcohet dhe për çudi ka përditë e më shumë mbështetje ndërkombëtare, sidomos amerikane.

Me sa duket të dy , Berisha dhe Meta, po shikojnë me kujdes se a do të kenë kaq shumë njerëz në protestë që ta bllokojnë Tiranën. E kjo të krijon shijen e keqe se njerëzia kërkon protestë dhe rrëzim të qeverisë, por nuk ka shumë besim të dyshja drejtuese opozitare.

Pushteti po luan fort me SPAK-un, ku njerin e ka futur nën hetim dhe tjetrit ia ka gati fletë arrestin amerikan e ku pushteti luan me lojë korrieresh duke ia çuar herë njerit dhe herë tjetrit se “po heshte ti, nuk të bëjmë gjë sepse do të arrestojmë atë tjetrin”, dhe kështu i ka lenë të dy duke parë se cilit i shkojnë policët te dera e shpisë.

Nëse gjendja është shumë keq, siç thotë opozita; nëse Berisha dhe Meta na çanë kokën tash dy muaj duke thënë se në shtator do të bëjmë namin kundra qeverisë; atëhere ku e kanë datën e protestës së madhe?

Kur dhe ku?

Apo vetëm fjalë e kërcënime facebooku?!

Për kërcënime me fjalë Edi Rama rri 100 vjet në pushtet!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit