Home Aktualitet Papa Françesk...

Papa Françesku, të rinjve të Venecias: krijoni risi, lërini celularët, imitoni stilin e Zotit

31
0
Të rinjve italianë, që i takoi në Venecia, gjatë udhëtimit të tij të sotëm, Papa Françesku u bëri thirrje të ngrihen në këmbë, t’ia hapin zemrën Zotit, ta falënderojnë atë, ta duan jetën, që u ka dhuruar. E pastaj, të shkojnë, të ecin me të tjerët, të kërkojnë të vetmuarit, ta ngjyrosin botën me krijimtari e rrugët e jetës me Ungjill
R.SH. – Vatikan

         Bazilika e Shëndetit, dashur nga Republika e dikurshme e Venedikut – Serenissima – si lutje e falënderim për Zojën, Nënën e Zotit, e cila shpëtoi qytetin e Venecias nga murtaja, në vitin 1630, ishte skenari madhështor ku u zhvillua takimi i tretë i Papës Françesku, me të rinjtë, që kishin ardhur nga të gjitha dioqezat e rajonit Veneto.

Çohuni e shkoni!

Ati i Shenjtë mbërriti me motobarkë mbi lagunë e pastaj, përshëndeti turmën e gëzueshme rinore, që e priti në sheshin para kishës, nën hijen e dy kupolave karakteristike të saj: ajo më e madhja, ideuar duke pasur parasysh Rruzaren e ajo më e vogla, mbi shenjtërore. Në majë të kupolës së madhe, shtatorja e Virgjërës së Bekuar, me skeptrin e “Capitana da mar” (Kapitenes së Detit). Papa u tha të rinjve të ndajnë së bashku “mrekullinë, që janë”, sepse janë bij të Zotit, gjithnjë i ri në Jezu Krishtin, i cili i do të rinjtë e gjithmonë i befason. Për ta pranuar këtë bukuri dhe për ta ushqyer gëzimin, që vjen prej saj, Papa u sugjeroi të rinjve dy fjalë: të ngrihen në këmbë e të shkojnë.

“Çohuni nga toka, sepse ne jemi krijuar për Qiellin. Çohuni larg trishtimit, për ta ngritur vështrimin drejt lartësive. Ngrihuni për të qëndruar në këmbë përballë jetës, jo ulur në divan. Çohuni për t’i thënë ‘ja ku jam!’ Zotit, që beson në ne. Ngrihuni në këmbë për të mirëpritur dhuratën që jemi, për të kuptuar, para çdo gjëje tjetër, se jemi të çmuar dhe të pazëvendësueshëm”.

Papa me motovedetë

Kur biem, të ringrihemi sërish

Çohuni në mëngjes, duke e falënderuar Hyjin për jetën, duke thënë Atynën, fjalët e para të së cilës na kujtojnë se jemi bij të dashur të Atit Qiellor. Edhe kur biem, duhet ta lejojmë Zotin të na ndihmojë të ngrihemi sërish, pa frikë, pa menduar se nuk e meritojmë, u tha Papa të rinjve.

“Kur gaboni dhe bini, çfarë bën Ai? Rri aty, pranë jush dhe ju buzëqesh, gati t’ju kapë për dore… Po ju them diçka që më sugjeron kjo. A është bukur ta shikosh nga lart poshtë dikë? Është bukur apo jo? Jo, nuk është bukur. Por kur mund ta shikoni nga lart poshtë dikë? Kur e ndihmoni të ngrihet. E vetmja herë, që mund ta shikojmë njeriun nga lart poshtë është kur e ndihmojmë të çohet. Kështu bën Jezusi me ne, kur biem. Na shikon nga lart poshtë. E, kjo është bukur. Nuk e besoni? Hapni Ungjillin dhe shikoni ç’bëri me Pjetrin, me Maria Magdalenën, me Zakeun, me shumë të tjerë: mrekulli me brishtësinë e tyre.Zoti bën mrekulli me brishtësinë tonë!”

Papa me të rinjtë

Së bashku e jo të izoluar

Për të ndenjur në këmbë, duhet durim dhe këmbëngulje, vijoi këshillat Ati i Shenjtë. Sot, jetojmë me emocione të shpejta, me ndjenja të çastit, por horizontet e objektivat e mëdha nuk arrihen menjëherë e as duke improvizuar: Lutem kur dua, shkoj në meshë kur kam kohë, bëj mirë nëse e ndiej… Kështu nuk arrihen rezultatet e dëshiruara, nënvizoi Françesku, që i këshilloi të rinjtë të punojnë së bashku, duke u shkëputur nga celulari, pavarësisht se të tjerët bëjnë ndryshe.

“E ju, pa frikë, shkoni kundër rrymës: merreni jetën në dorë, hyni në atë lojë; fikeni televizorin dhe hapni Ungjillin; lëreni celularin dhe takoni njerëzit! Celulari është shumë i dobishëm, për të komunikuar, është i dobishëm, por kini kujdes kur celulari ju pengon t’i takoni njerëzit. Përdoreni telefonin celular, por takojini njerëzit! Ju e dini se ç’është një përqafim, një puthje, një shtrëngim duarsh: njerëzit. Mos e harroni këtë: përdoreni telefonin celular, por takohuni me njerëzit”.

Impenjohuni për të tjerët!

Pasi ngrihen në këmbë në jetë, të rinjtë duhet të shkojnë e të bëhen dhuratë për të tjerët. Papa i nxiti të mos sillen rreth hijes së tyre. Nuk duhet ta lëmë trishtimin të na marrë energjitë më të mira, u nënvizoi Papa të rinjve. Ati i Shenjtë i këshilloi të dalin nga bota e hipnotizuar e mediave sociale dhe të krijojnë risi. “Një lutje e bërë nga zemra, një faqe që shkruan, një ëndërr që e bën realitet, një gjest dashurie për dikë që nuk mund të ta kthejë: kjo do të thotë të krijosh, të imitosh stilin e Zotit”. Papa Françesku e përfundoi takimin me të rinjtë venedikas, me fjalët:

“I ri, që dëshiron të marrësh në dorë jetën tënde, çohu! Hape zemrën për Zotin, falënderoje, përqafoje bukurinë që je; duaje jetën tënde. E pastaj, shko! Çohu, dashuro dhe shko! Dil, ec me të tjerët, kërko të vetmuarit, ngjyrose botën me krijimtarinë tënde, pikturoji rrugët e jetës me Ungjillin. Çohu dhe shko – përsëriti Papa, duke i ftuar të rinjtë t’i thonë këto dy folje bashkë me të. – Jezusi ta bën këtë ftesë. Shumë njerëzve, që i ndihmoi dhe i shëroi, Ai u tha: ‘Çohu dhe shko’ (shih Lk 17,19). Dëgjoje këtë thirrje, përsërite brenda vetes, mbaje në zemër. Si ishte – i pyeti sërish të rinjtë, për të dëgjuar prej tyre: ‘Çohu dhe shko!’”

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit