Home Aktualitet PASHK PERVATH...

PASHK PERVATHI, ARTISTI QË BASHKON NË NJË TALENTIN, PUNËN DHE MIRËSINË

45
0

Nga SHPENDI TOPOLLAJ-

Përherë kurreshtja e pashuar e shoqërisë njerëzore, sikur të mos mjaftonte mrekullia e asaj që dilte nga dora e artistëve të mëdhenj, ka dashur të dijë edhe për rrugën që ata kanë përshkuar deri te gjenialiteti. Ndaj dhe librat e shkruar për jetën e tyre, janë lexuar dhe lexohen me ëndje edhe për faktin se kanë treguar sesi kur bashkohet talenti me vullnetin dhe vendosmërinë për të triumfuar mbi çdo pengesë e vështirësi, arrihet suksesi, për të mos thënë, pavdekësia. Dhe mendoni pastaj, kur këtë jetë e kanë shkruar në formë kujtimesh, vetë ata, sikurse ka bërë dhe piktori ynë i shquar Pashk Pervathi me librin voluminoz “Rrugëtimi im”, ku na shfaqet para syve një rrugëtim që edhe pse i ra atdheut dhe botës anë e kënd, mesa duket do të mbetet një rreth vicioz, ku nisja dhe mbërritja do të takohen në të njëjtën pikë; në Lezhën e tij të dashur.

Ai që e njeh sado pak jetën e Plutarkut, dijetarit grek, beniamin i dy perandorëve Trajan e Hadrian, duhet ta dijë se kur i thoshin që ta linte Heronenë, vendlindjen e tij të shtrenjtë, dhe të shkonte për të jetuar përfundimisht në Romë ose Athinë, përgjigjej: Unë e di që Heronea është një fshat i vogël, por nuk do të largohem kurrë prej këtu, sepse nuk dua të bëhet edhe më e vogël me largimin tim. Henry Ward Beecher, intelektuali amerikan që sivjet kishte 210 vjetorin e lindjes, ka thënë një herë se “Çdo artist zhyt furçën e tij në shpirtin e tij dhe pikturon natyrën e tij në pikturat e tij”. Por duke shfletuar librin e Pashkut, vëren se shpirtin e tij të pastër dhe të ndjeshëm, ai e shpërfaq jo vetëm në tablotë e tij mjeshtërore, por edhe në të shkruar, sido që tregohet i rezervuar për ta quajtur veten shkrimtar të mirëfilltë. Aty ka me shumicë përveç kulturës së përgjithshme dhe profesionale edhe sinqeritet, objektivitet, dashuri njerëzore deri edhe për ndonjë fatkeq të margjinalizuar, ka mirënjohje, vlerësim për të tjerët, përvojë, solidaritet, arritje, por edhe disfata e zhgënjime, dhe kudo mbizotëron një klimë e pandarë paqeje, pra, sikurse shprehet qysh në krye, vetë jeta e tij “e pasajuar dhe pa truke”. Pashku nuk e ndan profilin e tij artistik, madje as lavdinë dhe famën që fitoi, nga gjithë zhvillimi i artit të pikturës në vendin tonë, nga puna e nderuar e atyre që lanë gjurmë të pashlyera në këtë art hyjnor, nga pasioni e përkushtimi i mësuesve e pedagogëve të tij, duke filluar nga vendlindja, Manatia e më tej në Akademinë e Arteve. Dashamirësia ime për magjinë e artit të pikturës, ka bërë që të kem shokë e miq shumë nga piktorët e njohur. Dhe ndihem mirë, kur në bisedat me ta, kam vërejtur po atë konsideratë për Pashkun, për vlerat e tij si njeri i ndershëm, punëtor i pashoq dhe artist nga më të talentuarit që shkolla jonë ka nxjerrë. Nga ana e tij Pashku ka mbetur po ai, si atëherë kur e shihte në vitrinë një top dhe babai nuk kishte mundësi t`ia blinte, apo kur ende fëmijë i duhej të punonte dy javë rresht për një palë këpucë, ashtu edhe kur pikturat e tij kërkoheshin anë e kënd botës. Ai nuk do të bënte përjashtim nga ata, për të cilët filozofi Gottold Lesingu thosh se “Të gjithë të mëdhenjtë janë modestë”. Dhe modesti shkëlqimtar Pashk Pervathi qysh kur ende fëmijë startoi me kopjimin në kartonat e paketës “Diamanti” të atyre letrave spathi në spitalin e Shkodrës, ku qe shtruar nga hepatiti e deri sa çeli dhjetra e dhjetra ekspozita vetjake apo në grup, brenda dhe jashtë vendit, apo sot që zotëron Galeri arti në Tiranë  e Lezhë, mbeti ai fisniku rreth të cilit kanë kënaqësi të mblidhen shokët e miqtë e vjetër e të rinj, e sidomos emrat e shquar të pikturës, letrave e deri politikës. Ata të gjithë e kanë thënë fjalën e tyre të ngrohtë dhe të merituar për Pashkun njeri dhe artist, duke e konsideruar atë “Model i bukurisë harmonike” (K. Buza), piktor që “një kopsht plot dritë tenton ta rizbulosh” (G. Leka), piktor që vrapon pas dritës e ngjyrave dhe ndalet derisa të dalë ylberi për ta kapërcyer atë (akademik R. Ferri), “Impresionohesh nga ato peizazhe me ngjyra të pastra plot kolorit dhe hapësira të thella” (Gj. Gjokaj), “Pikturën e tij e njoh pa e parë nënshkrimin e emrit në vepër” (I. Lulani), “piktor me profil të qartë” (H. Nallbani), “Tablotë e tij largojnë çdo trishtim e dëshpërim” (P. Kokushta), “Te kontakti me natyrën, Pashk Pervathi është hetues” (A. Gjekmarkaj), “Të duket sikur gjethet do të bijen… dhe kjo është një përvojë … mahnitëse… që të lë pa frymë” (M. Green), “Duket si një portret (bëhet fjalë për atë të At Gjergj Fishtës), që ka arritur të përmbledhë në një të gjithë portretet e mëparshme të krijuara nga ata dhjetra e qindra piktorë (më parë)” (R. Marku), “Temperamenti shpërthyes i pemëve të tij vjeshtore është himn i jetës” (F. Pagani), “Ai, si një poet lirik e sheh natyrën si pjesë shpirtërore që e frymëzon” (A. Hado), “Pashk Pervathi revolucionari dekorativ i gjinisë së peizazhit” (O. Gripshi), etj. Dhe simbërriti deri këtu, pra deri tek yjet, ky djalë i një familjeje të thjeshtë që edhe kur konkuronte e kthenin pas dhe e çonin të kryente shërbimin ushtarak, ky burrë i martuar që i nxitur nga prindërit dhe Lulja, bashkëshortja e tij, ndoqi dhe përfundoi me rezultate të larta, studimet në Akademi, të cilën ai vetë e quan sfidë, nga meraku se mos thoshin për të “Ua, sa i moshuar qenka ky studenti!” .Ai tani kishte besim se nuk do të dëgjonte më fjalët e ndonjë skeptiku dashakeq “Hë mo, se amator është!” dhe ashtu siç shprehet për të shkrimtari Preç Zogaj, zgjodhi si moto maksimën e Leon Tolstoit se “E mira e njerëzve është jeta.

Kurse e mira e jetës është puna”. Madje ai këtu shihte dhe dinjitetin e njeriut. Edhe i paarritshmi Leonardo da Vinçi po te puna e gjente lumturinë. I theksova këto se janë mësimi më i vyer që del nga leximi i jetës së këtij artisti të kudo gjendur me kavaletën, telajot, penelat dhe bojrat e tij. I ndarë në më shumë se 130 kapituj, libri fare mirë mund të quhet edhe një përmbledhje tregimesh interesante, por që i bashkon në një fasada ku ky mozaik shumëngjyrësh ekspozohet. Por më shumë se kaq, ato janë të ngjeshura me kuriozitete vendesh e njerëzish, impresione nga ekspozitat dhe galeritë më të famshme në botë, ku e ka quajtur fat ballafaqimin me kryeveprat e mjeshtrave të mëdhenj të të gjitha kohrave, kujtimet e ëmbla nga atdheu sa herë ka shkuar diku apo zgjedh vendin e duhur larg tij që të pikturojë, si fjala vjen kur shkon drejt fshatit Miao në Kinë, i kujtohet Gjirokastra e Berati ynë dhe falenderim e respekt për atë që ka bërë çifti Toçi me organizimin e kolonive të piktorëve, deri te krijimi i grupimit të peizazhistëve “Plein Air”. E gjithë kjo, atij i kujton shkollën Barbizonase që u krijua afër pyllit të dëgjuar Fonteblo (Fontainebleau), 50 – 60 km. afër Parisit, ku abdikoi për herë të parë Napoleoni dhe që pati jetëgjatësi mbi një shekull dhe ndikim të padiskutueshëm në pikturën e mëpastajme. Për seriozitetin e organizimit të këtyre kolonive, dhe atmosferën që krijohet nga pjesëmarrësit piktorë të shquar, kudo që ata shkojnë, bëjnë që Pashku të shkruaj: “Ekspozitat në qendrat e qyteteve në ditën e fundit të kolonive ktheheshin në festa…”, çka ne i kemi parë edhe në filmat dokumentarë që ka realizuar gazetari televiziv Tomë Therçaj. Edhe vetë Pashku me ato bredhjet e tij të pambarimta e plot pasion, në kërkim të peizazhit, sepse na nxjerr mallin e autorit të veprave “Shqiptarja” dhe “Haideja” Jean Baptiste Camille Corot që nuk la vend të Francës pa shkuar e vizatuar. Veç nuk duhet harruar se ky piktor, nuk ka sesi të mbetet rob i përshkrimeve; ai tani fare mirë mund të japë leksione për artin e të pikturuarit. Kështu, ai kur gjendet te “Malet e Vetëtimës” në linjën Himarë – Dhërmi, shkruan: “Nuk duhej kërkuar shumë për të gjetur peizazhin që do të pikturoje në Potam. Mjaft të ishe i vëmendshëm për të kapur një detaj nga ai breg dhe ai do të mjaftonte për të bërë një vepër”. Van Gogh kishte mendimin se “ti mund ta gjesh bukurinë e saj kudo”. Ose kur thotë se “…vepra e parë ka mbetur ndër më të mirat. E arsyen unë e gjej veçse te ngarkesa emocionale dhe dëshira e madhe për të pikturuar në vendin e ri”. Po kështu, ai gjithmonë merr në konsideratë edhe tekat e kohës si ndryshimi i dritës së diellit e deri tek era për të cilën teksa donte të pikturonte e shqetësonte “Frika se era e mëngjesit mund të fillonte dhe qetësia reflektuese e liqenit të Plavës mund të prishej nga momenti në moment më bëri të nxitoj”. Piktori Pervathi nuk e fotografon natyrën, ai e sheh atë me sytë e tij duke i hequr e shtuar diçka nga vetja, për ta zbukuruar edhe më shumë.

Domethënës është edhe fakti se Pashk Pervathi, si njeri me mendje të hapur nuk shfaq asnjë shenjë shpërfillje a përbuzje për kolegë të çdo kombësie, qofshin ata kinezë apo serbë si Zoltan Kovaç. Ai ashtu sikurse shprehej ai i dituri i lashtësisë, për dashuri ishte lindur e jo për urrejtje. Dhe ky tipar i tij vjen së pari nga formimi intelektual dhe shpirti i guximshëm i një demokrati të vërtetë. Kjo dashuri e mirësi, atij i lexohet kudo, te peizazhet, portretet, natyrat e qeta, te fjala e urtë dhe e mençur, në fytyrë, dhe ja tani edhe në këtë libër të mrekullueshëm, për të cilin shkrimtari Ndue Dedaj thotë “Ky jetëshkrim i tij është një autoportret letrar, ku piktori ia ka dalë mbanë të luajë me mjetet e publicistikës, memuaristikës dhe letërsisë”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit