Home Aktualitet Po ndiqnin 45...

Po ndiqnin 45-vjeçarin, Policia arreston 3 persona

145
0

Policia e Shkodrës tha se parandaloi një ngjarje kriminale, duke arrestuar 3 persona në fshatin Mjedë të Bashkisë së Vaut të Dejës. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia thotë se një 45-vjeçar, i identifikuar me inicialet A.T., kërkoi ndihmë pasi dyshonte se prej disa ditësh po e ndiqnin disa persona të panjohur nga ana e tij, të cilët lëviznin me një automjet tip “Golf”.

Pas njoftimit të marrë për një sulm të mundshëm ndaj një personi, falë ndërhyrjes së shpejtë e profesionale, bënë të mundur parandalimin e një ngjarje kriminale, duke bërë lokalizimin dhe bllokimin e automjetit të dyshuar, në fshatin Mjedë.

Gjatë kontrollit ka rezultuar se në këtë automjet qarkullonin tre shtetas dhe në brendësi të automjetit Policia gjeti dhe sekuestroi tre shkopinj bejsbolli dhe një bidon me 5 litra benzinë. Po në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me ato të Lezhës, gjetën në banesën e njërit prej këtyre shtetasve konkretisht, të shtetasit Florjan Vasija, banues në Dajç Lezhë, dy armë zjarri gjysmë automatik dhe 821 copë fishekë luftarak.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Florjan Vasija i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetasit e tjerë Z. V banues në Lezhë dhe E. D, banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër vijojnë intensivisht punën për zbardhjen edhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme”, tha Policia.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit