Aksidenti i Kamëz, Basha: Duhet hetim i plotë i ngjarjes
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për aksidentin e ndodhur mbrëmë në Kamëz, ku humbi jetën një efektiv i policisë.
Pasi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të policit Ervin Haxhiaj, Basha kërkon një hetim të plotë të ngjarjes. Kreu i PD-së shton se duhet një reflektim dhe zgjidhje për situatën e rendit në vend, pasi nuk kalon asnjë ditë pa viktima.
Deklarata e kreut të PD:
“Ngjarje jashme mase tronditëse ajo mbrëmë në Kamëz, ku pas një aksidenti humbi jetën në detyrë, polici Ervin Haxhiaj. Dua të ngushëlloj nga zemra familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij, dhe uroj shërim sa më të shpejtë për dy policët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha.
Duke kërkuar hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes, dua të shpreh shqetësimin e thellë për pasigurinë në rritje, në çdo drejtim në vendin tonë si pasojë e shthurjes totale të sigurisë dhe rendit.
Nuk kalon një ditë e vetme pa një viktimë në rrugët tona, pa një përplasje me armë, apo një vrasje për shkak të drogës. Duhet një reflektim, duhet zgjidhje, vendi meriton rend dhe siguri”.

