Anëtarësimi në 2050? Bregu: As viti i luanit apo miut ai që çel derën e BE-së
Anëtarësimi i Shqipërisë në bllokun e BE-së, është kthyer si lajm fallxhoresh politike, të paktën kështu shihet nga syri i ish-ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Duke marrë shkas nga lajmet e orëve të fundit se: “Shqipëria dhe Bosnja në BE … jo para vitit 2050”, ish-deputetja e PD-së ka ironizuar por në të njëjtën kohë ka treguar edhe se kur do të çelet dera e Europës për Shqipërinë.
Në një postim në rrjetin social facebook, ish-ministrja shkruan se në vend të datës së anëtarësimit, Shqipëria të mendojë për sistemin demokratik në vend, pasi nga niveli i demkoracisë në vend ndikon tek data e anëtarësimit.
“Më shumë se për datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Evropë, më mirë është ta vrasim mendjen për datën e anëtarësimit tonë në sistemin e vërtetë demokratik. Meqë këtë vend se bëmë kurrë demokratik sa duhet, pak kush beson se e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara. Kjo na kërcënon më shumë se kalendari e data anëtarësimit”,-shkruan Bregu.
Mbi lajmet se blloku kërcënohet nga shkrirja,Bregu shprehet se Europa më shumë kërcënohet nga mungesa e frymëzimit. “Sa për Europën siç është sot, nuk kërcënohet nga zhdukja prej hirit, si Pompei, më shumë se kërcënohet nga mungesa e frymëzimit, në ngërç prej frikërave e krizave të veta”,-shton më tej ish-ministrja e Integrimit.
Në fund ish-deputetja demokrate, me ironi shkruan se dita e anëtarësimit do të vijë kur të marrë fund faza e vetëkënaqësisë në teatrin politik.
“Ndaj mos u hallakasni me lajme fallxhoresh politike, nëse do të jetë viti i luanit apo miut ai që do të na çelë derën e Europës. Do të jetë, kur t’ i vijë fundi fazës së vetëkënaqësisë në teatrin tonë politik, ku, si dielli i verës, të bien në kokë sa profesionistët e mashtrimit, aq dhe profesionistët e pushtetit. Ndjesë për kë se kupton këtë stilin që siç thoshte Antonio Gramsci, marksist nga Italia, vjen prej pesimizmit të intelektit dhe optimizmit të dëshirës :):)”,-mbyll komentin ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. /R.SH/
KOHA JONË SONDAZH

