Balla: Opozita ka marrë pushimet, nuk vjen në Kuvend as për buxhetin
Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me Z. Qazim Sejdini morën pjesë në Llogaridhënien Publike të Bashkisë Elbasan me banorë të Njësisë Administrative Labinot Mal. Takimi synon identifikimin e problematikave të qytetarëve dhe diskutimin për zgjidhjen e tyre.
Duke vënë theksin tek pjesa më e rëndësishme e investimeve, Balla tha se kryesore janë investimet në shëndetësi dhe arsim. Në Labinot Mal sapo ka përfunduar rikonstruksioni total i qendrës shëndetësore e cila deri disa muaj më parë ishte në gjendje të degraduar.
“Për mua investimet më të rëndësishme janë në sistemin shëndetësor. Ju pata dhënë fjalën dhe brenda vitit u rikonstruktua qendra shëndetësore. Ju garantoj që kësaj qendre nuk ka për t’i munguar asnjë pajisje apo medikament. Brenda vitit të ardhshëm kemi planifikuar rikonstruksionin edhe të dy qendrave të tjera shëndetësore në këtë zonë.
Nuk jam i kënaqur nga çfarë është bërë deri tani, por ajo që ne kemi bërë deri tani është tërësisht e dallueshme me faktin se si ka qenë trajtuar Njësia Administrative Labinot Mal deri në vitin 2015.
Për mua shëndetësia dhe arsimi janë dy themelet tona” tha Balla.
Për Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit ky nuk është takimi i parë dhe as i fundit. Bashkia e Elbasanit do të mbledhë sërish qytetarët përpara hartimit të buxhetit për të diskutuar përparësitë dhe nevojat për investime:
“Ky nuk është takimi i fundit. Ne së shpejti kemi buxhetin e bashkisë dhe do të mblidhemi sërisht për të diskutuar paratë që kemi në dispozicion për Labinotin Mal dhe ku duhet t’i përdorim këto para. Do të jemi transparent për gjithçka që do bëjmë dhe duhet të bëjmë. Jemi ju ata që vendosni për investimet që keni më të domosdoshme.”
Përpara banorëve të Labinotit, Balla tha se është e pafalshme që opozita mungon në Kuvend në kohën kur diskutohet buxheti, pra kur shtrohen nevojat e qytetarëve për investime, rritje pagash apo pensionesh:
“T’ju them të drejtën Kuvendi i Shqipërisë funksionon normalisht, pavarësisht se deputetët e opozitës nuk dihet ku janë.
E rëndësishme është që deputetët e opozitës të kuptojnë se qytetari që e ka votuar do ta shohë në parlament deputetin e tij.
Unë nuk gjej një vend tjetër në botë që opozita të mungojë në Kuvend për diskutimin e buxhetit. Nuk ka më të rëndësishme për një deputet se sa të jetë në parlament për të diskutuar buxhetin e shtetit, se kur do të bëhet kanali vaditës, se kur do të bëhet rruga.
Sa i përket atyre historive të akuzave, filmimeve, telenovelave me babale, pa babale të jeni të sigurtë që prokuroria dhe gjykata do t’i shkojnë deri në fund. Unë nuk e di çfarë do t’i ngelet PD-së pas kësaj historie, por partia ka harruar të përdorë selinë e partisë, foltoren e PD-së, foltoren e Kuvendit për të folur një herë se çfarë do bëhet me pensionet, se çfarë do bëhet me pagat, se çfarë do bëhet me ndihmën ekonomike.”
Balla kërkoi gjithashtu nga banorët e Labinotit Mal të kenë një komunikim më aktiv me deputetin e tyre dhe të shprehin shqetësimin për çdo zyrtar të korruptuar, për çdo mungesë shërbimi apo abuzimi me detyrën. Vetëm në këtë mënyrë, tha Balla do të kemi një qeverisje më të mirë dhe një Shqipëri ashtu siç e duam.
KOHA JONË SONDAZH

