Basha dhe Rama zihen keq në sallën e Kuvendit
Debate të ashpra në parlament mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Kreu i demokratëve ka sulmuar kryeministrin duke thënë se po përgatitet që t’i lërë në dorë mbledhjen e TVSH-së vëllati të tij, Olsi Ramës, ndërsa ulja e TVSH-së për turizmin në fakt do të bëhet vetëm për ato biznese mike të kryeministrit, të cilat do të pastrojnë paratë e drogës.
“Duke futur në skemën e TVSH gati 100 mijë biznese Rama do justifikohet se shteti nuk ka mundësi dhe kapacitet për të mbikëqyrur këtë numër biznesesh dhe ndaj duhet të jepet me koncesion. Dhe këtë do t’ia japë vëllait të tij, Olsi Ramës. Mjerimi i përket fëmijëve të Bulqizës dhe mbarë vendit, ndërsa koncesionet përgatiten për vëllain e kryeministrit dhe klientët e tij.
Masa e dytë e rëndësishme e buxhetit është heqja e tatimit mbi fitimin dhe ulja e TVSh me 6 % për të gjitha hotelet luksoze. Por hotelet që do ta përfitojnë do të jepen me vendim të kryeministrit. Edhe këtë vendim e ka kundërshtuar FMN dhe ekspertët. Përgjigjja është e thjeshtë, por e ndërmerr për të mbështetur “Santaquarantat” e parave të drogës, të ndërtuar nga Balilajt me shokë. Në këtë mënyrë paratë e pista do të investohet në hotele, dhe për to nuk do të ketë asnjë mbikëqyrje.”-tha Basha.
Por në kundërpërgjigje, Kryeministri ka deklaruar se njëri ndër “këta pastrues” parash të cilët pretendon Basha, është në fakt një biznesmen i njohur për mbështetjen e hapur ndaj PD-së. Kryeministri Edi Rama e nisi replikën e tij me këshilla për Bashën duke i thënë se duhet të rritet dhe të bëjë akte prej lideri. Kryeministri tha se Monika Kryemadhi nuk të bën të ndihesh më i fortë, por të zvogëlon.
Po ashtu Rama tha se vëllai i tij është një njeri i zakonshëm dhe jo një kunat i famshëm duke patur parasysh këtu kunatin e Bashës.
“Bëhu vetja, prano vogëlsinë tënde dhe rritu Lul se PD ka nevojë për një lider të rritur jo për një fëmijë që nuk rritet dot, këto nuk janë batuta, janë fjalët e një njeriu që të do, që ka bërë përpjekje të sinqerta të ndihmojë të rritesh, të bësh një akt prej lideri dhe të vetmin akt prej lideri ti e mohove dhe e mohon. Lul, Monika të bën të ndihesh më i fortë por nuk të rrit dot, të zvogëlon, ndaj, bëj si të duash, hajde prapë këtu, fillo me sharje e shpifje. Vëllai im është njeri i zakonshëm jo kunat i famshëm por unë kurrë asnjëherë nuk vij me librin e shtëpisë së tjetrit, nuk vij për të bërë lufta me ju.” – tha Rama
“Avni Ponari, ndërtues dhe sponsor i PD, kërkon të ndërtojë një hotel me 5 yje në Valbonë. Po pastron para? të Kujt? Po investon para të tij legjitime. Kjo është kërkesa e parë.”-vazhdoi Rama. Dhe më pas i përmendi kunatin, Bashës.
Nga ana e tij kreu demokrat Basha sulmoi fort dhe egër kryeministrin Rama, duke i kujtuar se është vegël në duart e mafies dhe e oligarkëve.

KOHA JONË SONDAZH

