Basha: Rama pazar me 600 mijë refugjatë, që Europa t’i harrojë drogën
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zbuluar nga foltorja e Kuvendit, vendimin e marrë nga Gjermania për çështjen e negociatave, duke e quajtur atë lajmin më të keq për shqiptarët. Nga ana tjetër, Basha ka akuzuar ashpër Ramën se po luan me vendin, duke bërë pazar për 600 mijë refugjatët që do të pranojë.
”Nuk ka asnjë pikë përgjegjësie dhe keqardhje për shqiptarët që largohen, i vjen keq për sirianët, nuk i bëhet vonë këtij, pasi nuk i bëhet vonë as për ata që ka në krah, vetëm për pushtetin e tij, e bën me shpresën se do i harrojnë, drogën, krimin, korrupsionin se do blejë heshtjen e Evropës me refugjatë, ka marrë fund, harroje Edi Rama. Po e bën edhe për para, se kampet e refugjatëve janë tendera”,-tha Basha.
Të mërkurën, një deklaratë e zv/ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj, për televizionin gjerman ZDF, në lidhje me kapacitetet e Shqipërisë për të pritur emigrantët, u kthye në temë debati në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku opozita akuzoi qeverinë se do të sjellë në Shqipëri 600 mijë refugjatë sirianë.
“Shqipëria do të kthehet në një vend ku do të mblidhen terroristë pikë së pari. Është trafik qeniesh njerëzore që po përgatit Edi Rama. Do të kesh mall që të shohësh shumicë shqiptare. Shumica do të jenë pakistanezë, irakianë, iranianë dhe sirianë. Shqiptarët do të kthehen në pakicë. Nuk do të ketë vend më për shqiptarët”, tha deputeti demokrat Flamur Noka.
Ndërsa socialistja Elona Gjebrea deklaroi: “Në mënyrë absolute nuk duhet të krijojmë panik për situata që nuk ekzistojnë dhe për situata për të cilat Këshilli i Ministrave është shprehur qartë. Bëhet fjalë që të përgatitemi për kapacitetet që kemi. Nuk do të presim 600 mijë”.
KOHA JONË SONDAZH

