Beqiri: Ngërçi zgjidhet nga Kolegji, ”Kushtetuesja” e ka marrë vendimin
Ka nisur në Kolegjin Zgjedhor, seanca ku do të shqyrtohet padia e Partisë Uniteti Kombëtar, e cila kërkon anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që nuk pranoi ta çregjistrojë nga zgjedhjet pas dekretit presidencial. I pranishëm në seancë është edhe Idajet Beqiri, kryetar i PUK, i cili po shpjegon edhe arsyet e padisë së tij. Ai ka theksuar se është kapur në befasi nga vendimi i presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin, pasi ishte i bindur se zgjedhjet do zhvilloheshin.
Beqiri theksoi se i është drejtuar me padi Kolegjit pasi KQZ refuzoi ta ç’regjistronte. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Beqiri tha: ”Ne nuk kishim pse të venim në Gjykatën Kushtetuese sepse për këtë problem e kishte dhënë verdiktin e saj, atëherë nuk na ngelte veprim tjetër veçse të kërkonim të tërhiqeshim nga zgjedhjet. Ne duam të mos marrim pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe PUK të hiqet nga fletët e votimit”.
Juristi i KQZ-së në seancë ka theksuar se ky institucion nuk e konsideron dekretin e presidentit dhe vazhdon përgatitjet për zgjedhjet. Ai e ka konsideruar të pabazuar kërkesën e PUK. Anëtarë të trupës së Kolegjit janë: Artur Malaj, Shkëlqim Mustafa, Ridvan Hado, Tomorr Shkreli dhe Lindita Sinanaj.
KOHA JONË SONDAZH

