Debatet, PS: T’i hiqet mandati Kapllanajt! Zguri: PS po i bën presion KQZ
Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shoqëruar me debate, teksa po diskutohet mbi mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i cili rezulton i dënuar në Itali për vjedhje në vitin 2004.
Ish-kreu i KQZ, Denar Biba, është përplasur me kreun aktual, Klement Zguri, teksa i ka thënë se nuk bëri mbledhje për rastin e kryebashkiakut të djathtë, edhe pse sipas tij, Prokuroria ka dërguar materialin dhjetë ditë më parë. Ashtu si Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, edhe Biba kërkon t’i ndërpritet mandati Kapllanajt, por kjo është cilësuar si presion politik mbi KQZ nga ana e Zgurit.
Denar Biba: Edhe pse ka ardhur materiali nga Prokuroria 10 ditë më parë, kryetari i KQZ-së nuk bëri mbledhje. U detyruam ne që të thërrisnim mbledhje. Më 16 tetor të këtij viti struktura e posaçme ka kthyer përgjigjen për denim dy vjet burg në Itali.
Prokuroria ka shkuar përtej kompetencës së saj, pasi në përgjigjen për Kapllanajn ka thënë se kryebashkiaku është rehabilituar, pasi kanë kaluar 10 vite nga vendosja e dënimit. Duhet t’i ndërpritet mandati Kapllanajt.
Klement Zguri: Presioni nga politika në drejtim të KQZ-së është i patolerueshëm. Këtu është fjala për deklaratën e Ballës, dy orë më parë. Për Kapllanajn, KQZ-ja është shprehur dhe ka pasur një vëmendje të saj. Në atë kohë, edhe tek kjo listë nuk ka pasur asnjë pretendim dhe çështja është mbyllur. Deklarata Bibës është e pahijshme, se unë nuk mblodha KQZ-së për Kapllanaj.
KOHA JONË SONDAZH

