Dje me Bajernin, sot me Juventusin, Manjani: Rama, pseudo mbeti në çdo gjë
Kryeministri Edi Rama dy ditët e fundit ka dalë vetë në terren për të inspektuar zonat e përmbytura në qytete të ndryshme. Të premten në drekë, kreu i qeverisë ishte i pranishëm në një zonë problematike si Ura e Mifolit në qytetin e Vlorës.
Përtej interesimit për problematikat që shkaktuan përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, ajo që bëri përshtypje në këtë takim ishte xhupi i Edi Ramës, i cili i përkiste skuadrës gjermane të futbollit, Bajern Mynih.
Ndërsa sot, teksa vizitoi fshatin e Ferrasit në Fier, ku në orët e mëngjesit Forcat e Armatosura evakuuan 20 banorë për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm, Rama u shfaq sërish me një xhup skuadre, por kësaj radhe ai kishte zgjedhur ekipin e tij të preferuar, Juventusin.

Duke marrë shkas nga ky “ndërrim fanellash” brenda 24 orëve të kryeministrit, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka ironizuar këtë fenomen të Ramës.
Përmes një komenti të shkurtër në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, duke e komentuar në aspektin psikologjik të sjelljes së Ramës, Manjani e etiketon kryeministrin si “pseudo”.
“Për shkak se këtu ku jam nuk lejohet përdorimi masiv i internetit, nuk marr shumë lajme nga atdheu. Por një lajm më erdhi. Sportisti i dështuar, Kryeministri,paska bërë show me një xhup të Bayern. Ne tifozët Bavarez i falim noi rrobë njerëzve në nevojë… Pseudo mbeti në çdo gjë!”- u shpreh Manjani në reagimin e tij.

KOHA JONË SONDAZH

