Edhe Afrim Krasniqi dënon sulmet e gazetës Tema ndaj senatorit italian
Politikë E Martë, 26 Janar 2021 22:40
Nga Afrim Krasniqi-
Meqenëse në Tiranën e korruptuar politike është bërë zakon që për hir të luftës ditore politike baltoset kushdo, dhe sot e kishte radhën politikani i njohur italian Pier Ferdinando Casini, po publikoj nga arkiva personale një foto me të. Janë të rrallë politikanët përtej detit që kanë bërë më shumë për Shqipërinë sesa ai. Ambasadori italian kishte të drejtë sot në reagimin e ashpër dhe irritimin ndaj mënyrës sesi sillet politika/media orientale/militante shqiptare.
Pjesë nga deklarata e ambasadorit italian, Fabrizio Bucci.
“Kryetari Casini është një figurë e lartë institucionale italiane që, gjatë karrierës së tij të pasur në nivel kombëtar e ndërkombëtar (ndër funksionet e ndryshme që ka mbajtur përmendim atë të ish- kryetarit të Dhomës së Deputetëve dhe të Komisionit për Çështjet me Jashtë në Senat, europarlamentarit, presidentit të Internacionales Demokratike të Qendrës, kryetarit të Unionit Ndër-parlamentar, profesorit universitar) i ka shërbyer gjithmonë Republikës italiane me respektin maksimal ndaj shtetit dhe institucioneve.
Polemika politike është kripa e demokracisë dhe unë, si ambasador i Italisë në këtë vend, nuk mund veçse ta vlerësoj si zhvillim pozitiv të një rrugëtimi drejt konsolidimit të institucioneve dhe të shoqërisë shqiptare. Një rrugëtim që Italia e ka mbështetur gjithmonë që prej rënies së regjimit komunist. Por përballja politike shqiptare – edhe pse me tone të larta – nuk mund e nuk duhet absolutisht të arrijë deri në atë pikë sa të hedhë qoftë edhe dyshimin më të vogël mbi integritetin e një përfaqësuesi të lartë të institucioneve italiane sikurse kryetari Casini.
Këtë nuk mund ta toleroj tani dhe as nuk do ta toleroj në të ardhmen. Liria e shtypit është e shenjtë dhe Italia e ka mbrojtur dhe do ta mbrojë gjithmonë. Por kjo liri nuk mund të arrijë deri në sulme personale të pabaza, për më tepër për të goditur të tjerë. Për fat të keq shkrimi i botuar në të përditshmen tuaj bën pikërisht këtë, me një qasje që, më shumë se sa e guximshme, është një fyerje për të gjithë italianët.
Për të gjitha këto arsye dëshiroj t’ju shpreh indinjatën time të thellë,gjithë keqardhjen dhe tronditjen time, si ambasador dhe si shtetas, për shkrimin e botuar, ndaj kryetrarit Casini si dhe për dëmin që i është shkaktuar imazhit të Italisë”.
KOHA JONË SONDAZH