Kokëdhima: Ky është buxheti i borxheve dhe varfërisë
ZGJIDHJA e cilësoi projektbuxhetin që po diskutohet sot në parlament si të borxheve dhe të varfërisë. Në një reagim në Facebook, forca politike e drejtuar nga Koço Kokëdhima, deklaroi se, përtej shifrave të fryra, buxheti nuk i sjell asnjë zhvillim ekonomisë shqiptare, përkundrazi, do të rrisë më tej barrën e taksave për qytetarët, që është sot është më e lartë dhe do t’i zhysë ata në borxhe të fshehura, që do t’ua lënë ta paguajnë brezat e ardhshëm. ZGJIDHJA thekson se buxheti mbushet me taksat që paguajnë qytetarët dhe bizneset dhe ata duhet ta dinë se ku, si dhe sa mirë do të shpenzohen paratë e tyre, prandaj duhet bërë rishpërndarja e drejtë e të ardhurave, në përputhje me prioritetet e zhvillimit dhe objektivat strategjike, përmes investimeve kapitale dhe shpenzimeve efiçente në funksion të rritjes ekonomike.
Statusi në Facebook
Buxheti i borxheve dhe varfërisë. Kuvendi Shqiptar po diskuton sot projektbuxhetin e vitit 2018. Një projektbuxhet që përtej shifrave të fryra, nuk i sjell asnjë zhvillim ekonomisë shqiptare. Përkundrazi, ky buxhet do të rrisë më tej barrën e taksave për qytetarët, që është sot është më e lartë dhe do t’i zhysë ata në borxhe të fshehura, që do t’ua lënë ta paguajnë brezat e ardhshëm.
Vetëm nga ndryshimi i formulës së llogaritjes së pronës, shqiptarët do të paguajnë 25 milionë euro më shumë. Barrë e shtuar do të jetë dhe futja e skemës së TVSH-së tek bizneset e vogla. TVSH-ja është një taksë që e paguan konsumatori përmes çmimeve fundore, prandaj të jeni të sigurt që atë do e paguajmë të gjithë, përmes shtrenjtimit të çmimit. Pa llogaritur ato mijëra biznese që do të duhet të mbyllen dhe të mbeten pa punë, pasi nuk do të përballojnë dot koston e shtuar. Qytetarëve të zakonshëm u shtohet ngarkesa fiskale, ndërsa të pasurve u hiqet ajo, përmes përjashtimit të hoteleve me 5 yje nga tatim fitimi, taksa e infrastrukturës dhe e pronës. Absurde kjo për një qeveri që e konsideron veten të majtë.
Të gjithë ne, do të duhet të paguajmë në vitin 2018 edhe 70 milionë euro për koncesionet, që, përveçse janë klienteliste, nuk po i sjellin asnjë vlerë të shtuar ekonomisë. Gjysma e tyre do të shkojë për koncesionet e dështuara në fushën e shëndetësisë, ndërsa shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë kushtet skandaloze të spitaleve shqiptare dhe pagesat nënë dorë.
Qeveria po përgatit projektin “1 miliard euro”, përmes partneritetit publik-privat, duke mos bërë asnjë transparencë për koston dhe eficencën e tyre. Të jeni të sigurt që këto projekte, do të fryhen pa fund si rrjedhojë e lidhjeve korruptive të përfituesve të tyre me qeveritarët, do të rrisin ndjeshëm borxhin publik dhe do ta shpejtojnë ditën e vështirë të shkatërrimit të balancave të buxhetit dhe kolapsit të financave të shtetit.
ZGJIDHJA do të sjellë një filozofi krejt ndryshe në planifikimin dhe menaxhimin e financave publike. Buxheti mbushet me taksat që paguajnë qytetarët dhe bizneset dhe ata duhet ta dinë se ku, si dhe sa mirë do të shpenzohen paratë e tyre. Rishpërndarja e drejtë e të ardhurave, në përputhje me prioritetet e zhvillimit dhe objektivat strategjike, përmes investimeve kapitale dhe shpenzimeve efiçente në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të shërbimeve e përfitimeve për qytetarët, do të jetë në fokus të politikave të ZGJIDHJA-s. #ZgjidhjaPërBuxhetin
KOHA JONË SONDAZH

