Kosta Barka: Vitaliteti elektroral i Partisë Demokratike
Nga Kosta Barka*
Gjatë bisedës me një grup prodhuesish fasonë të veshjeve dhe këpucëve nga Shoqata e Fasonëve të Shqipërisë , kryetari i PD-së zoti Lulzim Basha tha: ”Unë nuk do ta shoh veten nesër si bosi, si shefi, si Skënderbeu juaj por si njeriu që do qaj hallet me ju për t’ua zgjidhur me fuqinë që më jep kushtetuta dhe ligji. Është një fuqi e madh në qoftë se përdoret ashtu siç duhet për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve”.
Si një koncept etik koncepti i kushtetueshmërisë dhe respektimit të ligjit është shumë i rëndësishëm për idetë rreth demokracisë në shoqëritë moderne. Pikërisht te Kushtetuta dhe ligjet e gjejnë forcën dhe motivimin zyrtarët dhe politikanët e përgjegjshëm. Në botën moderne s’ka demokraci pa kushtetutë. Madje, një demokraci të vërtetë, kushtetutat janë më të rëndësishme se zgjedhjet. Por kryeministri Rama, pa asnjë përgjegjësi qeverisëse, e ka bërë kushtetutën leckë, duke luajtur me institucionet demokratike të themeluara në vend, duke bërë ndërhyrje arbitrare në thelbin e kushtetutës, duke zvogëluar rolin e forcës së shtetit, duke sfumuar rolin e pushteteve të tjera të pavarura, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme sistemin elektoral, duke rrezikuar legjitimitetin e zgjedhjeve, nga e cila kushtëzohet dhe legjitimohet vetë qeveria.
Në një demokraci liberale qëllimet e zyrtarëve publikë janë të realizohen objektivat e përcaktuar nga qeveria në përputhje me vlerat, standartet dhe procedurat e ligjëruara në Kushtetutën e vendit. Vetëm kështu kuptohet devotshmëria e çdo zyrtari, deri te kryeministri i vendit, ndaj shërbimit publik.
Ka ardhur koha që edhe politikanët tanë të lënë mënjanë ambicjet e tyre personale dhe pushtetin politik ta përdorin në të mirë të shoqërisë. Askush nuk është hero, (pa le hero kombëtar) apo i pazëvëndësueshëm.
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku qeveria Rama do të thirret para gjyqit të arsyes, duket se do të fryjë një erë e re institucionale. Aroma e ligjit dhe autoritetit do i bashkangjitet shtetit. Kryeministri iu ardhshëm zoti Basha, të cilin e presin halle të mëdha në qeverisje, për shkak të lëmshit të ngatërruar që do të lërë në ekonomi dhe në jetën e vendit paraardhësi i tij, garanton se do të flasë nga pozita shtetërore dhe jo me instiktin e Unit, siç është mësuar të “ligjërojë” zoti Rama.
Për të rimodeluar konfiguracionin institucional të qeverisjes, PD është e vendosur të ndjekë interesin publik dhe jo interesat e oligarkëve.
Interesi publik, ose më saktë interesi i përbashkët, është koncept i vjetër sa vetë filozofia. Ai njihet që në kohën e Platonit dhe Aristotelit. Është pikërisht interesi publik që nxit sjelljen etike dhe nuk është thjesht një term i përdorur për leverdi politike. Aristoteli thoshte: “Posti i qeverisësit ishte krijuar pikë së pari për të qeverisurit”. Sipas pikëpamjes së tij vetëm një shtet i tillë mund të quhej “sistem natyral”. Sistemi oligarkiko-propagandistik që krijoi “Rilindja” është një sistem i denatyruar, ku punët e shtetit kanë mbetuar në duart e një grushti njerëzish, apo të një njeriu të vetëm të papërgjegjshëm, i cili hallin më të madh ka se çfarë do të thonë njerëzit për të kur të gremiset nga pushteti.
Në 8 vitet e qeverisjes së socializmit oligarkik të Ramës, të egos pushteto-uzurpative të këtij njeriu që po shndërrohet në fantazmë të vetvetes, duke pozuar me këpucë e brekë të grisura, jemi ballafaquar me fakte të zymta mbi abuzimet e të drejtave të njeriut, allishverishet me mafian, kanabizimin e vendit, arrogancën e policisë, diktatin mbi mediat, gjobat abuzive, shkatërrimin e qendrave muzeale-historike, prishjet selektive të ndërtimeve, burgimet për një faturë të thjeshtë energjie, zhdukjen e konkurrencës produktive dhe lulëzimin e monopoleve etj.
PD e ka të qartë se ndodhet sot para një prove morale ndershmërie. Ndaj theksi vihet te përgjegjshmëria publike e të zgjedhurve, për të përballuar sfidat e një demokracie dhe qeverisjeje funksionale. Përgjegjshmëria në shërbimin publik të një demokracie është e një rëndësie të veçantë. Ajo funksionon në shkallë hierarkike deri te përfaqësuesit e zgjedhur.
Që PD të prodhojë një grup parlamentar dinjitoz, i cili të drejtojë me përgjegjësi, përkushtim e profesionalizëm mazhorancën në Parlament, në procesin e seleksionimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, duhet të sigurojë vlera dhe aste të pakontestuara nga publiku, me vlera të aprovuara nga mjedisi politik dhe në përputhje me këto vlera, për të përmbushur pritshmëritë e publikut, për të rimenazhuar realitetet në ndryshim të zonave të brendshme e të jashtme elektorale, në xhunglën e re politike që ka prodhuar qeverisja monopartiake e Ramës, në katrahurën e një qeverisjesje vendore pa mandate nga populli.
Duhen vendime të pjekura nga zyrtarë të përgjegjshëm dhe përgjegjës. Demokracitë e përgjegjshme liberale kërkojnë administrim të mirë dhe duket se në këtë rrugë është fokusi i kryetarit të PD-së, zotit Basha. Si një demokrat liberal ai ka kërkuar që vlerat përkatëse, të krijuara kronologjikisht në partinë demokratike, të çmohen e të ruhen.
Interesi i përgjithshëm, largimi i qeverisë klepto-oligarkike të Ramës, ka rëndësi të dorës së parë. Është puna e drejtuesve ta saj, kandidatëve për deputetë dhe e gjithë veprimtarëve, të qëmtojnë nevojat e shoqërisë dhe t’i përkthejnë këto neveoja në angazhime elektorale, apo në terma të statuteve efektive. Kjo mund të bëhet me njerëz që janë të aftë të shohin qartë dhe të evidentojnë se cilat janë interesat më të mira të shoqërisë dhe çfarë është interesi publik dhe devotshmëria në kryerjen e shërbimeve publike. Kandidatët për deputetë duhet të vijnë nga bota vitale dhe fluide e përvojës, të përshtatur mirë me inkurajimin e kompetencës morale dhe etike të nevojshme për t’u shërbyer vlerave më të larta të njerëzve. Kriteri i përfaqësimit është garanci për një vlerësim më të mirë politiko – social të qeverisjes së ardhshme.
Interesi publik nuk ekziston përveçse si interes i grupeve të cilat formojnë organizatat politike. Interesat sociale, apo mirëqënia sociale, mbartin një traditë që buron nga programi i partisë demokartike, i cili ka mbijetuar në gjithë këto vite dhe është vlerësuar pozitivisht nga tërësia shoqërore.
PD është parti e vlerave njerëzore dhe e moralit politik. Ajo nuk ofron drejtësi me dy standarte siç bën sot Edi Rama, por ofron të njëjtën drejtësi për të gjithë qytetarët, të njëjtin shans, të njëjtin dinjitet, pa diskriminuar askënd. Kjo nuk ka buruar nga hiçi, por ka të bëjë me dimensionin eksperiencë. Dëshmia më sinjifikative është Plani ekonomik i PD-së, i cili u shpalos së fundi dhe që ofron shumë mundësi dhe partneritete të reja kombëtare, shton mundësitë për lehtësimin e varfërisë dhe pjesëmarrje më të gjerë në jetën demokratike. Premtimet qeverisëse të PD-së e çojnë nocionin e legjitimitetit demokratik një hap më tej.
*Ish-ministër
KOHA JONË SONDAZH

