Kotzias për ikjen e Bushatit: Ishte kundër ndryshimit të kufijve
Në një intervistë radiofonike, ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias foli edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai kritikon në fillim opozitën greke “Demokracinë e Re” dhe tonet që përdor në lidhje me Ankaranë e Tiranën, duke theksuar se politika e Jashtme greke nuk duhet të ketë të njëjtat tone, ose të konkurrojë performancat e diplomacisë turke dhe shqiptare.
Kotzias i ka quajtur të papranueshme deklaratat e kreut të opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis, se me veprimet e saj, Shqipëria nuk do të mund të bëhet pjesë e BE-së. “Këto çështje kryhen vetëm me veprime diplomatike serioze dhe do t’i kujtoja “Demokracisë së Re” se e bëri Shqipërinë pjesë të NATO-s pa asnjë kusht”, ka deklaruar Kotzias.
Gjithashtu, ish-kreu i diplomacisë greke ka komentuar edhe ndryshimet e kabinetit qeveritar në Shqipëri, veçanërisht ndryshimin e ministrit të Jashtëm. “Në këtë historinë e toneve të larta, më racionali, më luftëtari për pikëpamjet e tij, i ri në moshë, por një njeri shumë i pjekur, ministri i Jashtëm më serioz që kishte Shqipëria për të negociuar, zoti Bushati u largua nga detyra. E u largua, për mendimin tim, jo sepse kishte shumë vite ministër, siç thuhet në Shqipëri. Por, sepse kishte një pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës, domethënë nuk pajtohej me ndryshimin e kufijve”, ka thënë ai.
“Dhe e dyta – ka sqaruar Kotzias, – sepse kishim bërë këtë përpjekje për një paketë marrëveshjesh, e cila kishte përfunduar, por kishte dy probleme. Njëri nga pala shqiptare, pasi nuk ekzistonte Gjykata Kushtetuese që të certifikonte ndryshimet në një sërë çështjesh, sepse kishte vetëm dy nga 11 gjykatësit në këtë moment; dhe i dyti, sepse sa i përket Shqipërisë, ka edhe në shtetin grek një segment fundamentalist për të cilin nuk kam vendosur ende që të flas, por e kam informuar me detaje kryeministrin para se të largohem”, ka thënë ai.
KOHA JONË SONDAZH

