Ligjet e “Drejtësisë”, sherr mes socialistëve, Ruçi: Të miratohen brenda sesionit, do kemi probleme me ndërkombëtarët
Nga Herion Mesi
Shqyrtimi i ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi është një proces që po zvarritet nga Kuvendi dhe komisionet parlamentare prej më shumë se dy vitesh, duke u kthyer në mollë sherri” mes Kuvendit dhe qeverisë, por edhe vetë deputetëve socialistë. Shkak janë bërë vonesat e përgjigjeve të ministrive përgjegjëse për zbatimin dhe plotësimin e ligjeve me aktet e nevojshme normative, por edhe mosngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, që duhej të ishin ngritur prej më shumë se një viti më parë. Kaq ka mjaftuar që në mbledhjen me dyer të mbyllura të 11 tetorit mes krerëve të grupeve dhe komisioneve parlamentare, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi t’i kërkonte Konferencës së Kryetarëve që të nxitojnë me miratimin e tyre, pasi siç tha ai, këto drafte duhet të mbyllen brenda këtij sesioni parlamentar.
Arsyeja e këtij ultimatumi të dhënë nga Ruçi është që të shmangen problemet që mund të shkaktojë mosmiratimi i ligjeve me misionet ndërkombëtare të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, që asistuan Kuvendin gjatë këtyre viteve në draftimin e paketës ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë në shqiptare.
“Lidhur me projektligjet e Reformës në Drejtësi tërheq vëmendjen. Ne duhet ta përmbyllim patjetër në këtë sesion parlamentar të gjitha çështjet që kemi. Teza që të mos nxitohemi duhet përkthyer të mos vonohemi se kemi dy vjet që i kemi vonuar këto ligje. Nëse ka ndërmend ministria përkatëse të japi mendimet, le t’i japi mendimet. Në asnjë mënyrë të mos shkëputen kontaktet dhe të mos krijojnë problemet me dy misionet që kanë asistuar në Reformën në Drejtësi, të jemi korrektë”- iu drejtua kryeparlamentari Ruçi kreut të Komisionit te Ligjeve, Ulsi Manja dhe kryetares së Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj.
Debati në Konferencën e Kryetarëve
Ermonela Felaj – Lidhur me Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore” kam një merak që do të doja ta ndaj me Konferencën e Kryetarëve. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore” është shumë i rëndësishëm dhe do të sugjeroja që nuk duhet të nxitojmë në bërjen e këtij ligji. U diskutua një draft në të dy komisionet, në komision të Ligjeve dhe të Sigurisë, i cili është duke ndryshuar tërësisht. Ajo çka më shqetëson është se ne po ndryshojmë komplet mënyrën se si funksionon prokuroria. Ende nuk kemi organin që merret me emërimet, disiplinimin dhe shkarkimet. Futemi në një moment në policinë gjyqësore kur nuk e kemi ristrukturuar akoma këtë që e keni marrë si nisëm 2 vite më parë. Ajo çka më shqetëson është se ne nuk kemi ndarë faturën financiare të këtij ligji. Nëse deri më sot për mbi 20 vjet ka një raport të rrogës se oficerit të policisë gjyqësore me prokurorët, ku oficerët marrin 60% të rrogës së prokurorëve ky raport tani në ligj nuk ruhet. Ne kemi rritur rrogat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ende nuk ka hyrë në fuqi, por kur bëjmë një projektligj të ri për policinë gjyqësore nuk mund të marrim më parasysh këtë aspekt, pasi i bie që ne të shkatërrojmë thelbin e hetimit. Hetimin e kanë këta njerëz, nuk do ta kenë më njerëz të tjerë, prandaj mendoj që t’i japim pak më shumë kohë vetës që të sigurohemi që e përballojmë këtë faturë financiare. Na ka ndodhur që miratojmë gjëra në Kuvendin e Shqipërisë, siç është “Statusi i naftëtarit” ku Ju e dini shumë mirë që edhe sot e kësaj dite akoma nuk zbatohet ky ligj. Askush akoma nuk ka marrë asnjë lloj përfitimi financiar.
Gramoz Ruçi – Cili është problemi?
Ermonela Felaj – Problemi është se data 1 nëntor është një datë e pa arritshme për ta miratuar në parlament këtë ligj dhe e dyta është që t’i japim pak kohë vetës që ta shikojmë me kujdes. Nuk kemi përse të bëjmë një nxitim kaq të madh.
Gramoz Ruçi – Ne kemi 2 vjet me këtë ligj? Çfarë nxitimi thua!
Ermonela Felaj – Nxitim kemi ne…
Gramoz Ruçi – Çfarë nxitimi kemi ne, po e mbajmë draftin prej 2 vitesh nëpër tavolina!
Ermonela Felaj – Akoma nuk e kemi përmbyllur.
Gramoz Ruçi – Ç‘punë ka prokuroria këtu! Çka KLGJ-ja dhe KLP –ja këtu!
Ermonela Felaj – Të gjitha kompetencat këta do t’ia japin një organi që ende nuk është krijuar.
Gramoz Ruçi – Kush nuk është krijuar?
Ermonela Felaj – Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar. Edhe teksti për hir të së vërtetës është një tekst shumë herë më i dobët sesa teksti aktual që kemi ne për policinë gjyqësore. Tani unë po e ndaj se e kam shqetësim, por Ju edhe mund ta bëni, por jam e bindur që do të kemi më shumë probleme se në të shkuarën.
Ulsi Manja – Të sqaroj unë diçka, nuk kemi asnjë lloj nxitimi. Ligji ka dy vjet që rri në komision. Tani grupi i punës është duke i dhënë fund draftit. Janë ekspertët e EURALUS-it, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme që po e mbajnë ligjin. Është e vërtetë që ka pasur disa variante të këtij drafti dhe dy gjëra kanë qenë për t’u diskutuar në këtë draft. Çështja e trajtimit financiar të oficerëve të policisë gjyqësore dhe sistemi i karrierës i policisë gjyqësore. Nuk është se ne do t’ia japim KLP-së sistemin e karrierës së policisë gjyqësore, as nuk ka qenë ndonjëherë dhe as do të jetë sepse nuk mund t’i japim KLP-së një kompetencë që nuk ia ka dhënë Kushtetuta. As Prokurorit të Përgjithshëm nuk mund t’i japim një kompetencë që nuk ia ka dhënë Kushtetuta. Ndërsa çështja e trajtimit financiar është e vërtetë që sot trajtohen me ligjin aktual me 60% të pagës së prokurorit, por nëse pas janarit 2019-të paga e prokurorit shkon në limite goxha të larta, Ministria e Financës ka vënë në diskutim nëse duhet të jetë në diskutim 60% e pagës së re e prokurorit apo s’duhet të jetë sepse ka faturë financiare të papërballueshme. Gjithsesi, ne nuk është se e kemi ndarë në ligj, që do të jetë 60%, do jetë 70% apo nuk do jetë fare. Aktualisht e ka dhe mendimi ynë është që të paktën ky raport që është sot në ligjin aktual të ruhet dhe në ligjin që do të vijë, pasi në fund të fundit funksioni i policisë gjyqësore, me ligjet e reja të reformës, u është mbyllur sistemi i karrierës. Ata nuk mund të ecin më, nuk mund të gradohen prokurorë dhe nëse ne do të shërbejmë dhe tek paga pastaj, i bie që cilësia e hetimit të bjerë.
Gramoz Ruçi – Ka gjë tjetër? Nuk ka. Katër gjëra kam unë: E para, për Rregulloren e Kuvendit. Të shpërndahet të gjithëve, por në mënyrë të veçantë Kryetarëve të Komisioneve dhe Grupeve Parlamentare dhe relatorët përkatës janë miratuar me sugjerimin që deri në këtë kohë…, të caktohet një kohë për të sjellë komentet e tyre. Pavarësisht merr pjesë apo nuk merr pjesë opozita në komisione apo seanca, Rregullorja është e Kuvendit, kështu që ne do të jemi disponibël, pastaj marrin pjesë apo nuk marrin pjesë, është e drejta e tyre. Ne duhet ta miratojmë Rregulloren sipas afateve që kemi të parashikuara në planin e veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian në progres-raportin e fundit.
Problemi i dytë, lidhur me projektligjet e Reformës në Drejtësi tërheq vëmendjen. Ne duhet ta përmbyllim patjetër në këtë sesion parlamentar të gjitha çështjet që kemi. Teza që të mos nxitohemi duhet përkthyer të mos vonohemi se kemi dy vjet që i kemi vonuar këto ligje. Nëse ka ndërmend ministria përkatëse të japi mendimet, le t’i japi mendimet. Në asnjë mënyrë të mos shkëputen kontaktet dhe të mos krijojnë problemet me dy misionet që kanë asistuar në Reformën në Drejtësi, të jemi korrektë.
E treta, nëse ka faturë për p/ligjin e policisë gjyqësore, menjëherë t’i bëhet shkresë qeverisë, ku ajo të përgjigjet brenda muajit. Nëse nuk përgjigjet do miratohet projektligji siç është. Zonja Zv. Kryeministre, kështu thotë Rregullorja e Kuvendit dhe njëherë t’u përcillet kërkesa e tyre, urdhëroni kjo është fatura. Le të përgjigjen pozitivisht apo negativisht, pastaj Kuvendi do të vendosë për të.
Mimoza Pano – Kryetar lidhur me faturën i është dërguar projektligji me shkresë për t’u shprehur Qeveria për faturën dhe kanë kthyer përgjigje.
Mimoza Arbri – Përgjigjet i kemi marrë nëpërmjet ekspertëve për faturën financiare që do ketë ligji për ta diskutuar në komision. I është dërguar Ministrisë së Financës dha na ka ardhur një përgjigje nga ekspertët që merren me llogaritë e faturës dhe ato kanë dhënë 3 alternativa midis 50 apo 70 % dhe kanë përcaktuar edhe vlerën e kostos që do përfshihen. Vlerën e kanë lënë në vlerësimin e komisionit
Gramoz Ruçi – Nuk paska dalim 50, 70….. Qartë. Lidhur me këtë nismën e Erionit. E para, të shtyhet për të kapur një datë tjetër një javë më pas. Ajo konsulta të bëhet dhe ato mbledhjet e komisionit mund të bëhen edhe të përbashkëta, nëse doni të fitohet koha. E katërta, që kam është lidhur më kontrollin parlamentar. Zonja Zv. Kryeministre, konstatojmë që parlamenti miraton ligje. Në fund të ligjeve rëndësi ka të dalin aktet normative dhe udhëzimet që janë të detyrueshme për t’u nxjerrë. Konstatojmë që nuk kanë dalë. Në këtë këndvështrimin duhet ta shikoni Ju problemin, por unë do të kërkoja veçanërisht nga Kryetarët e Komisioneve, por jo vetëm, edhe administrata e Kuvendit, që t’i marrë ligjet çfarë kemi miratuar në këtë legjislaturë një për një. Themi ligji i miratuar në shtator të 2017-ës ka pasur afatin për gjashtë muaj deri në aktet nënligjore (nuk kanë dalë). Kush e ka përgjegjësinë? Filan Ministri. Ky ligj, ky ligj …. me radhë të gjithë ligjet. Të bëjmë një skaner të gjithë ligjeve që kemi miratuar deri më sot dhe ajo do të bëhet objekt diskutimi deri në seancë plenare. Ta kemi të qartë. Se miratojmë ligje dhe që për ligjet nuk merret njeri me to se aparatet e Ministrive, Ministritë se vënë ujin ne zjarr për çështjet. Kjo do të thotë që rrahim ujin në hava të gjitha. Këtu fillon pastaj, se është si histori e kambanës… pse nuk bie kambana, janë 12 arsye, por mungon kambana. Dhe e fundit që kam lidhur me planin e veprimit, menjëherë duhet ta merrni dhe të bëni kalendarin dhe duhet ta ndiqni me shumë përgjegjësi. Në qoftë se predikoni qershori, qershori…, qershori këtu fillon. Sa serioz jemi në parashikimin e planit të veprimit dhe çfarë po bëjmë për zbatimin. Prandaj, ju lutem shumë të gjithë Kryetarët e Komisioneve ta marrin planin e veprimit dhe të bëjnë planet e tyre me qëllim që ato të gjejnë zbatueshmërinë e Kuvendit, mos ketë asnjë pikëpyetje lidhur me çështjen e planit të veprimit tonë.
KOHA JONË SONDAZH

