Monika Kryemadhi: 19 vota e LSI janë pro statusit të minatorëve
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sot se 19 votat e deputetëve të LSI do të jenë pro miratimit të statusit të minatorit, nëse qeveria e sjellë projektin në Kuvend.
Deklarata e kryetares së LSI u bë sot në një takim me minatorët në Bulqizë. Kryemadhi u shpreh se minatorët janë pjesa që ka sakrifikuar për një vend më të mirë dhe sot shpërblehen shumë pak për punën e tyre. “Minatorët kanë sakrifikuar jetën e tyre për një vend më të mirë. Minatorët nuk kërkojnë lëmoshë, lëmosha është fyerje për ta. Minatorët kërkojnë atë që u takon. Qeveria të ulet dhe të mos vonojë të sjellë në parlament statusin e minatorit. LSI nuk është në opozite me qeverinë për statusin e minatorit. Nëse qeveria sjellë statusin e minatorit ne Kuvend, të 19 votat e LSI-së do të jenë pro”,- tha Kryemadhi.
Duke u ndalur në koston financiare që ka miratimi i statusit të minatorit, Kryemadhi tha se vetëm në një vit qeveria ka dhënë 40 milionë euro për oligarkët, ndërsa fatura e statusit të minatorëve është disa herë më pak.
“Qeveria 40 milionë euro i dha këtë vit për kazanin e oligarkëve, fatura e statusit të minatorëve është më pak se 10 milionë euro”,- u shpreh Monika Kryemadhi.

KOHA JONË SONDAZH

