Nis mbledhja e Komisionit të Ligjeve, Bajram Begaj nuk do të jetë i pranishëm në Kuvend gjatë votimit
Ka nisur mbledhja e Komisionit të Ligjeve, për të bërë verifikimet në lidhje me kandidatin për president Bajram Begaj, i cili u propozua me firmë nga 37 deputetë.
Burime bëjnë me dije se vetë Begaj nuk do të jetë i pranishëm as në Komision, dhe as gjatë votimit gjatë seancës në Kuvend.
Drejtuesja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u shpreh se nuk ka asnjë ndalim kushtetues dhe ligjor që e ndalon kandidimin e Begajt për postin e presidentit.
“Begaj ka lindur në Shqipëri, nuk ka hequr asnjëherë dorë nga shtetësia, plotëson kriterin e moshës, 10 vitet e fundit ka jetuar në Shqipëri”, u shpreh mes të tjerave Bushka, e cila citoi dhe dekretin që u firmos nga presidenti Meta për lirimin nga detyra të Begajt.
Kjo pasi Kushtetuta e ndalon që ushtarakët aktivë të marrin poste të tjera publike.
Në Komisionin e Ligjeve kishte vetëm një përfaqësues nga opozita, Oerd Bylykbashi, ndërkohë që Alibeaj, Bardhi dhe Korreshi bojkotuan mbledhjen.
KOHA JONË SONDAZH

