Një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë është spastrim etnik i thënë ndryshe. Mos e bëni!
Nga Agron Bajrami/
Mund të lehtësojë rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian, por shtetet me etni homogjene janë rrezik për katastrofa. E them nga përvoja e historisë së famijes sime.
Ballkani po zien sërish. Këtë herë, shkak janë bërë spekulimet e shumta që Kosova dhe Serbia mund t’u japim fund mosmarrëveshjeve dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç thuhet se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje, që do të ndihmonte në stabilizimin e Ballkanit, dhe do t’u hapte dyert drejt Bashkimit Europian të dyja shteteve. Bisedimet po ndërmjetësohen nga shefja e politikës së jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini. 10 vjet pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, do të mbyllej kapitulli i fundit i shpërbërjes së Ish-Jogusllavisë.
Duket si ironi fati, në të vërtetë. Dy liderët që ishin në kampet kundërshtare në luftën e viteve 1998-1999, ku mbetën të vrarë mijëra civilë kosovarë, dhjetëra mijëra shtëpi u dogjën dhe u shkatërruan, më shumë se një milion njerëz u dëbuan dhe u zhvendosën – dhe që përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s – do t’i sheshonin urrejtjet dhe armiqësitë e tyre për hir të një të ardhmejeje më të mirë për popullin e tyre. Një arritje e madhe më në fund?
Përkundrazi, mund të kthehet në një makth. Marrëveshja në fjalë ndonjëherë quhet “korrigjim kufijsh”, ose “shkëmbim territoresh”. As Thaçi e as Vuçiç nuk kanë dhënë shumë detaje, por duket se marrëveshja do të sillte bashkimin e një pjese të territorit verior të Kosovës, me një popullsi shumicë serbe, me Serbinë; ndërkohë një pjesë e Serbisë jugore, rajoni i njohur si Lugina e Preshevës, popullsia e të cilit është shumicë shqiptare, do të bashkohej me Kosovën.
Ky shkëmbim territoresh do të rezultojë në më pak serbë që jetojnë në Kosovë dhe më pak shqiptarë në Serbi. Të dy vendet do të bëheshin më “të pastra etnikisht”. Shumë persona do të duhet të largohen nga shtëpitë e tyre dhe vendet e lindjes. Shkurtimisht, do të kishte një shkëmbim të popullsive, jo vetëm të territoreve.
Charles Kupchan, ish-këshilltar i Barack Obama-s dhe tani profesor në Universitetin “Georgetown”, e ka përshkruar planin si “spastrim etnik paqësor”. Mbështetës për idenë e shkëmbimit të territoreve, ai beson se “pragmatizmi ka nevojë për parim”. Lutem që kjo të mos ndodhë.
Krijimi i territoreve dhe shteteve etnikisht homogjene (me pak fjalë, çlirimi i pakicave) nuk është një ide e re. Në Kosovë, gjatë gjithë historisë, ka ndodhur shumë herë. Dhe gjithmonë ka lënë plagë të thella që thjesht nuk do të shërohen. Pothuajse çdo shpitar i Kosovës ka histori familjare për ta garantuar këtë. Po ju rrëfej të miat.
E para kthehet në vitet e përfundimit të sundimit otoman në Ballkan. Në vitin 1877-1878, familja e nënës sime ishte në mesin e dhjetëra mijëra shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre në fshatin Berjan i Poshtëm, që gjendet në Serbinë e sotme jugore. Edhe tani, gjatë takimeve familjare, të afërmit e moshuar kujtojnë historitë e tyre të gjyshërve – për shtëpitë, fushat dhe varrezat që lanë pas. Dëbimi i tyre ishte spastrim etnik, që u bë i pakthyeshëm nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878.
Një tjetër histori familjare vjen nga gjyshi im i ndjerë. Si fëmijë, shikoja sytë e tij të përlotur dhe dëgjoja zërin e tij të thellë që i dridhej, teksa kujtonte një natë të vitit 1927, kur ai, babai dhe vëllai i tij më i madh duhej të largoheshin nga shtëpia dhe dyqani i tyre në qytetin Pravishtë – tani Eleftheropoli, në Greqinë lindore. Kjo ndodhi si pasojë e një marrëveshjeje greko-turke të Lozanës mbi shkëmbimin e popullsisë. Ai nuk ishte atdheu i tyre, por ishte gjithçka që kishin për të siguruar familjen e tyre në Kosovë. Atyre iu dha vetëm pak minuta kohë për të bërë plaçkat gati, nuk kishte dhunë, gjithçka ishte e qetë, siç do ta përshkruante gjyshi, vite më vonë. Megjithatë, ishte spastrim etnik.
Gjithashtu, vetëm pak minuta për t’u larguar iu dha shumë shqiptarëve të Kosovës nga forcat ushtarake dhe të sigurisë serbe, në mars të vitit 1999, kur fushata e spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviçit ishte në lëvizje të plotë. Ishte represive, e dhunshme, e përgjakshme dhe kriminale. Shumë u vranë, shumica u dëbuan. Mbi një milion njerëz u kthyen në refugjatë, përfshirë thuajse të gjithë familjen e nënës sime, pasardhës të atyre që u dëbuan nga Serbia jugore, 120 vjet më parë – siç ishin shumë të afërm nga ana e babait, pasardhës të atyre që duhej të braktisnin dyqanin në Greqinë lindore. Vetë përfundova si refugjat, në Maqedoni. Ne ishim të gjithë viktima të spastrimit etnik, dhe u desh ndërhyrja e NATO-s që ta ndryshonte këtë.
Unë nuk mendoj se ata që mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet. Ata injorojnë atë çka është e qartë. Spastrimi etnik është një krim, paqësor ose jo. Përveç se është moralisht i papranueshëm dhe anti-evropian, plani gjithashtu do të shkaktonte paqëndrueshmëri të madhe dhe afatgjatë politike dhe të sigurisë në të gjithë rajonin. Nëse Kosova dhe Serbia lejohen të shkëmbejnë territore dhe njerëz, si mund të mohohet diku tjetër? Shumë komunitete në rajon nuk e pëlqejnë gjendjen në të cilën jetojnë: serbët dhe kroatët në Bosnje, muslimanët në Serbi, shqiptarët në Maqedoni, apo edhe hungarezët në Sllovaki dhe turqit në Qipro.
Kjo është arsyeja pse shumë kundërshtojnë “zgjidhjen” e cila duket se po shqyrtohet. Në Kosovë, shkëmbimi i territoreve është refuzuar nga shumica e partive parlamentare, si dhe nga koalicioni qeverisës. Statusi dhe kufijtë e Kosovës rrjedhin nga pavarësia e saj në vitin 2008, bazuar në një plan të propozuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari. Kjo zgjidhje u gjet nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë në përputhje me ligjin.
Nuk ka asnjë mbështetje për idenë e shkëmbimit të territoreve në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Marrëveshja nuk do të ratifikohej nga parlamenti i Kosovës, edhe nëse Presidenti Thaçi do ta nënshkruante atë. Dhe një shumicë e serbëve të Kosovës janë gjithashtu kundër tij, pasi shumë do të përfundonin “në anën e gabuar të kufirit”.
Marrëveshja e kufirit është gjithashtu e papranueshme për shumë vende perëndimore, veçanërisht për Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Angela Merkel e ka bërë të qartë se ajo kundërshton çdo ndryshim kufitar në Ballkan. “Kjo duhet të thuhet përsëri dhe përsëri, sepse herë pas here ka përpjekje për të folur ndoshta për kufijtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë”, paralajmëroi ajo në gusht.
Pra, pyetja e vërtetë për BE-në është kjo: përse Brukseli do të do ta mbështeste nocionin e një plani që, kaq thellësisht, kundërshton vlerat europiane, që është kundërshtuar nga kryeqytetet europiane dhe shumica e njerëzve që mund të preken nuk e duan? Federica Mogherini mund dhe duhet të japë disa përgjigje.
KOHA JONË SONDAZH

