O vemi, o s’vemi…

Fejton nga Thoma  Goga –

Në fakt këtu s’ka rrugë të mesme. Hë, më thoni, ka rrugë tjetër kur thua: “O vemi, o s’vemi”? Tani më erdhi në fiqir edhe batuta nga një komedi shqiptare. E dashura i thotë partnerit: “Unë o të marr ty, o marr një tjetër…”. Kjo ndryshon ca me të parën, se ka një zgjidhje më të vjetër. Shkurt, nuk merr asnjë e rri beqare.

Si myzeqar që jam, nuk mund të anashkaloj një batutë që e ka origjinën nga tifozat e Fierit. Lindi para viteve ’90, kur luante “Traktori” i Lushnjes me “Apoloninë”. Saktësisht ishte: “Kemi – s’kemi në Lushnje do vemi”. Edhe këtu s’kishte rrugë të mesme. Ca me bicikleta, ca në këmbë dhe stadiumi kafshonte gjuhën me dhëmbë. S’kishte vende e tifozat rrinin me një këmbë. Sakrificë fifozllëku për skuadrën e zemrës. Ja ku ishte Lushnja. Po kalove “vijën e ngjalës” në dalje të Fierit dhe “urën e xha Nasit” në Gorre, vajte të “kulaçi plasmasit”. Ama shteti, apo pushteti popullor merrte masa, se tifozllëku hynte te “shfaqjet e huaja”. Ndaj kontrollonte mirë lëvizjet. Po edhe populli i shtoi batutës së parë një bisht: “Po na bllokuan rrugën kryesore, do i biem nga Ura Vajgurore”. Nejse gjetkë e kam llafin.

Swiss Digital Desktop Reklama

O vemi, o s’vemi…Kemi 27 vjet që na ulërijnë veshët; “do shkojmë në Europë, do shkojmë në Europë…”. Ca thonë do vemi. Ca thonë se nuk i plotësojmë kushtet e s’vemi. Po mirë mo, plotëso standartet apo “konitat” e shko. Mirëpo këtu ka ngecur muhabeti. Një llaf goje. Prandaj shqiptarët gjetën rrugë të tjera për të shkuar në Europë. Ia mbathin në shtigje të tjera. U hapën ambasadat dhe shqiptarët i mbushën plot. Në Europë shkuan. Po nga mali sa kanë ikur? Kush i numëroi?! Të gjithë në Europë i ke. Po anijet plot me njerëz që dukeshin si dallandyshet kur shtegtojnë! Andej janë. Jo vetëm në Europë, por edhe nëpër botë. E di ç’keni ju shqiptarë? Ikni, ikni e këtu të këndojë qyqja…

Swiss Digital Mobile Reklama

Po edhe Europa plakë s’e “ha thatë”. E di mirë, ndaj ka vënë ca detyra shtëpie. “Ore, ta fusim këtë djall “Albani” në Europë që shqiptarët të rrinë në shtëpi”. Madje i keni parë? Vijnë javë për javë vetë se ne s’dimë të bëjmë as detyrat. Ose s’duam. Ca vjet u morëm me hashash. Ca vjet me koncesione dhe monopole. Ca nafta, ca kromi, Gërdeci, domatja, kastraveci…Po u hodhe te drejtësia, është llahtar. Atje dhe burrat dalin me barrë… “Vetëtingu” po i kalon në sitë. Po ku të lë Babalja, mo, të shkoç në Europë? Filma, filma dhe “qinema pa para…”. Qeveritë shkojnë e vijnë e premtojnë “mrekullinë”. Po shqiptarët nuk e hanë këtë koqe ulli. Nuk presin asgjë nga qeveria. E dinë mirë se nga i bie më shkurt për në Europë. Kanë vënë mend nga historia. E ç’bëjnë, thoni ju? Ja atë që bënë edhe të tjerët; ia mbathin. Për atë Zot, sikur të mos kishte kufij, edhe unë me plakën time do ia kishim mbathur. S’është turp ta rrëfej, po deri në Lushnje kemi vajtur. Sikur të plotësohen standartet, apo ato “konitat”, pse duhet të ikim nga shtëpia?

– Po sikur të mos ketë fare kufij, – pyetën një ditë edhe kafsharët Çeçon tim, – ç’bënet me vendin tënë?

– Vetëm zagarët do rrinë në stan, – u përgjigj hazër xhevap “shefi” – Edhe ju e paski këtë mendje, o shejtan?! Ejani këtu mo, se ju jeni e ardhmja e “stanit” të madh. Do më lini dyfekët dhe dybekët varur. Do i marrë malli edhe zagarët…

Pastaj filloi t’i marrë me të mirë.

– Më keni ngritur një problem në atë letrën e famshme. Kërkoni një banjo “allafrënga” këtej nga stani. Keni të “ndrejtën” tuaj. Edhe pse kemi gjithë ato ferra, koçimare dhe një përrua për t’u larë, do ua plotësonj “konitat”. Ju ka Çeçua xhan, mos më lini vetëm në këtë atdhe për një copë hale…Dhe nashti, o këndojmë, mo? Si thoni, t’ja marrëm një herë shtruar?

Kafsharët u afruan. I pari e mori “shefi” stanit. Tjerët mbanë iso:

…“O vemi, o s’vemi,

Në mes të “pillit” do vemi,

Atje halenë

do ngrehëm edhe ne…”.

Ishte version lab sipas stilit të ustait.

– Hë ju këndofshin zorrët!… – tha  Çeçua duke qeshur. – Dhe mblidheni rradaken se, me këtë hale që do bëjmë tok, stani ynë do hyjë më shpejt në Europë. Nga kjo “vepër” do bënen farmak nga inati stanet e Tepelenës e të Tërbaçit. Po nuk e mbajta llafin, më varni te vidhi Prokopisë.

Kështu mbaroi atë ditë edhe “informacionin politik”…

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?