Pagat e mjekëve do rriten. Kryeministri inspekton punimet në maternitetin e ri të Sarandës
Kryeministri Rama inspektoi punimet e maternitetit të ri të Sarandës, ku ministrja e Shëndetësisë i paraqiti detajet e investimit.
“ Dikur ka qenë në një zonë në qendër të Sarandës, por komplet i degraduar, sot në një ndërtim të ri në një investim të buxhetit të shtetit të kaluar në vitin 2017 me vlerën e 36 milionë euro, bashkë me pajisjet”, tha Ogerta Manastirlliu.
Për nënat dhe foshnjat që takoi kreu i Qeverisë kishte edhe një dhuratë, ndërsa i njohu edhe me përfitimet financiare të bonusit të bebeve.
Mjekët treguan se aparaturat mjekësore janë moderne por problem mbetet mungesa e mjekëve specialistë që nuk preferojnë të shkëputen nga Tirana.
Në fund, Kryeministri rikujtoi edhe njëherë vendimin e Qeverisë për të rritur pagat vitin e ardhshëm për të gjithë personelin mjekësor.
“Do të keni rritje tjetër rrogash, infermierët, mjekët e gjithë personeli, dhe krahasuar nga ku u nisëm jemi përpara”, tha Rama.
Sipas Qeverisë, maternitete të tilla do të ketë edhe Kukësi, Korça, Pogradeci e Berati.
Teksa takoi nënat e reja, Rama njoftoi se do të ndërtohen edhe disa të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
“Një maternitet i ri që ta shohin tërë Kadrinjtë e të qepin gojën për ca kohë, ndërkohë që ja si ky do të bëhen edhe të tjera maternitete të tjera gjatë këtij mandati, Kukësi, Korça, Pogradeci, Berati”, shkruan Rama përmbi videos së publikuar në rrjetin social “Facebook”, duke përsëritur kështu fjalën e dhënë nga materniteti i ri i Sarandës.
Deklaratave të mëparshme për bonuset e bebeve, Rama iu ka bashkangjitur edhe thirrjen për shtimin e lindjeve.
“Në janar kemi 300 mjekët e parë, pastaj do të vijojmë me bonuset. Ky është spitali i rilindjes. Tani do të bëjmë edhe rritjen e rrogave për infermierët, mjekët dhe të gjithë personelit. Krahasuar me nga u nisëm jemi shumë mirë, por në krahasim se ku duam të shkojmë kemi shumë përpara. Tani t’i nxisim të bëjnë më shumë fëmijë”- tha Rama.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1996629520634397/
KOHA JONË SONDAZH

