Paskal Milo: Çështja e Himarës përdoret për prapavijë politike
Historiani dhe ish-ministri i jashtëm Paskal Milo ka qenë i ftuar në emisionin “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga ku ka komentuar për çështjen shumë të debatuar politikisht të prishjes së disa banesave në Himarë, në kuadër të një plani të ri urbanistik.
Sipas Milos, ka persona të caktuar të cilët i shfrytëzojnë zhvillimet e Himarës për t’i shndërruar në kapital politik. Ish-ministri i jashtëm ka deklaruar se autoritetet kanë për detyrë të bindin himariotët se pas prishjeve nuk ka asnjë prapaskenë politike. Kjo nevojë vjen për Milon, për shkak se nuk janë bërë konsultimet e duhura me banorët dhe shpjegimi i drejtë i situatës.
Ndërkohë me anë të një ndërhyrjeje telefonike në emision, kreu i bashkisë Himarë, Jorgo Goro ka treguar shkaqet se përse po bëhen këto prishje. Sipas tij këto godina po shemben në kuadër të projektit kombëtar për “Rilindjen Urbane” që ka për objektiv madhor shndërrimin e qytetit bregdetar në një qendër turistike, prej së cilës përfitues do të jenë të gjithë banorët e Himarës që jetojnë dhe bëjnë biznes atje. Ai është shprehur pro të drejtës së qytetarëve për të protestuar, por ka thënë se është kundër politizimit të kësaj çështjeje.
“Është një projekt që ka filluar para 3 vjetësh në kuadër të rilindjes urbane. Ky plan përfshin shëtitoren e qytetit për ta kthyer në një qendër për turizmin. Përfituesit janë të gjithë banorët dhe bizneset, por mbi të gjitha, qytetarët himariotë që do të bëjnë biznes aty.
Në çdo investim që bëhet mund te ketë kundërshtime, për shkak që mund të bëhen, ndonjë gardh, apo ndërtim. I mirëkuptoj qytetarët që protestojnë, por jo kur kauza kthehet në politike. Po t’i shohim në pamjet dalin njerëz që nuk kanë lidhje me këto prona. Kur filloi projekti të gjithë ishin dakord. Tani janë kundër, pas ndërhyrjes së forcave politike”-është shprehur kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.
KOHA JONË SONDAZH

