PD: Rama është urdhëruesi i dekorimit. Ai do mbajë përgjegjësi personale!
Partia Demokratike dhe Kryeministri Edi Rama kanë shkëmbyer sot replika të ashpra për dhënien e titullit “Qytetar Nder” i Hasit, atentatorit të Azem Hajdarit, Gafurr Mazrekut. Pasi Këshilli Bashkiak i Hasit mori vendimin, kryeministri Edi Rama tha se ky titull nuk kishte miratimin e tij. Ai kërkoi nga Prefekti i Kukësit që të mos e firmosë vendimin e Këshillit Bashkiak, ndërkohë që ky dekorim ishte paralajmëruar prej një jave nga opozita, por PS-ja heshti.
Për Partinë Demokratike vendimi i Këshillit Bashkiak është një provokim i hapur ndaj demokratëve. Në një deklaratë për mediat, pas qëndrimit të kryeministrit, Partia Demokratike e cilëson vendimin e Bashkisë Has si një përgjegjësi personale të Kryeministrit.
PD i kërkon kreut të qeverisë që të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Hasit, i cili është zgjedhur nga Partia Socialiste. Sipas PD, vetëm në këtë mënyrë Edi Rama mund të bind opinionin në distancimin e tij nga ky akt. “Derisa të bëjë këtë akt të vërtetë distancimi, Partia Demokratike e konsideron Edi Ramën si urdhëruesin e dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!”,– thuhet në reagimin e PD.
Reagimi i Partisë Demokratike:
“Asgjë nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin kriminal për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit Liderin e Lëvizjes Studentore Azem Hajdari!
Firma e prefektit nuk është zgjidhja! Është vetëm një mjet që Edi Rama të mos marrë përgjegjësi! Edi Rama nuk mund të lajë duart si Ponc Pilati dhe të fshihet pas Prefektit, sepse Kryetari i Bashkisë së Hasit është i tij, se ai ishte në dijeni të propozimit të kryebashkiakut të tij dhe, mbi të gjitha, Edi Rama ka në dorë ta shkarkojë atë.
Që të tregojë distancim të vërtetë prej vendimit kriminal, Edi Rama duhet ta shkarkojë sot Kryetarin e Bashkisë së Hasit, përfaqësues i Partisë Socialiste, i zgjedhur nga Edi Rama. Të ruajë të njëjtin standard si me këshilltarët e Kukësit që morën pjesë në protestë, të cilët, në pamundësi për t’i shkarkuar, i përjashtoi nga Partia Socialiste.
Derisa të bëjë këtë akt të vërtetë distancimi, Partia Demokratike e konsideron Edi Ramën si urdhëruesin e dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!”.
Reagimi i Kryeministrisë:
“Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për sulmet e shëmtuara ndaj tij, lidhur me një vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit, me të cilin ai jo vetëm s’ka asnjë lidhje, por e konsideron një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar.
Ai bën me dije se i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosje së atij vendimi, ndërkohë që sot në mbledhjen e grupit parlamentar e ka dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit. Duke i konsideruar akuzat vulgare të Partisë Demokratike, si një shpërdorim politik të radhës së emrit e të kujtimit të Azem Hajdarit, kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se ato s’janë asgjë tjetër veçse ana tjetër e medaljes së këtij episodi të politikës qorre e shurdhe të interesave më të ulëta“.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT
KOHA JONË SONDAZH

