Përmbytjet/Endrit Braimllari: Jemi në situatë emergjence kombëtare
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari deklaroi sot se situata e përmbytjeve ka krijuar emergjencë kombëtare. Në një deklaratë për mediat, Braimllari tha se qeveria duhet të kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Deklarata e plotë e Braimllarit:
Situata në të cilën po kalon vendi është në një emergjencë të përmasave kombëtare. Dëmet dhe pasojat janë shumë të rënda. Qytetarët po përballen me një situatë të jashtëzakonshme ndaj të cilës ndihen të pafuqishëm dhe pa mbështetjen e duhur.
Hapi i parë do të ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësisë natyrore që do të thotë marrjen e plotë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë për përballimin e situatës, por edhe detyrimet që rrjedhin pas qetësimit të kësaj situate.
Shprehim ngushëllime për familjen e punonjësit të OSHE që humbi jetën në krye të detyrës duke sakrifikuar për qytetarët. Urojmë shërim të shpejtë për 2 punonjësit e tjerë të OSHE që ndodhen aktualisht në spital.
Shprehim publikisht vlerësim për pjesëtarët e forcave të armatosura, efektivët e policisë dhe në veçanti efektivët e ndërhyrjes së shpejtë që po përballojnë këtë situatë në terren.
Kemi ngritur shtabet tona në çdo Bashki të vendit për ndjekjen nga afër të situatës.
Të gjithë deputetët dhe strukturat e LSI-së po ndjekin nga afër në terren situatën problematike dhe vështirësitë e qytetarëve, duke i adresuar në Shtabet e Emergjencës, duke ofruar mbështetje dhe solidaritetin e tyre në këtë moment të vështirë.
Kjo ndjekje do të vazhdojë deri në përmirësimin e kësaj situate dhe informimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në kohë reale.
KOHA JONË SONDAZH

