Presidenti Ilir Meta: Do jap përgjigje institucionale për çështjen e dekretit
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se për çështjen e dekretimit të kandidatit për ministër të Brendshëm, Sandër Lleshi do të japë një përgjigje institucionale.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje në Konferencën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Europës Juglindore, kreu i shtetit tha se qëndrimi i tij është në respekt të Kushtetutës dhe duke njohur gjithë funksionet e institucioneve të tjera Kushtetuese.
“Unë nuk jam përfshirë në asnjë deklaratë të tillë dhe në asnjë polemikë. Unë jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, këtë e kam bërë dhe e bëj me përkushtim maksimal dhe nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën.
Sikurse ju e dini unë jam shprehur publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar dhe kryetarin e Kuvendit për këtë çështje.
Unë vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience në pozitën e Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit edhe e di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë, edhe nga pozita e Kryeministrit edhe nga ajo e Kryetarit të Kuvendit edhe tani nga pozita e Presidentit.
Në ditët e ardhshme do të merrni përgjigje institucionale dhe korrekte dhe unë nuk kam ndër mend të përfshihem në debate të karakterit politik apo spekulativ”,- tha Presidenti Ilir Meta.
Video/Deklarata e Presidentit Ilir Meta për dekretin e Sandër Lleshit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur për largimin e Nikolla Gruevskit në Hungari pas dënimit të tij me dy vjet burg. Në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve, kreu i shtetit, edhe pse ishte i rezervuar në komentet për këtë çështje, tha se në një farë mënyrë Gruevski ka pranuar fajësinë e tij.
“Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”,- tha Presidenti Meta.
Ai solli në vëmendje edhe një rast personal, ku në vitin 1992 Prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar flet-arrest. Në atë kohë tha Meta, iu ofrua strehim politik në Greqi dhe Itali, por nuk e pranoi.
“Kam edhe një rastin tim, në vitin 1992, në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe nuk isha ketu dhe vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje padashje e njerëzve të painformuar. Për këtë cështje prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë dhe në Itali. Edhe pse isha fare i ri nuk e pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe të qëndrojnë si burrat”, tha Meta.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave të ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, i cili tha se, se ushtria helene nuk njeh kufirin mes Shqipërisë e Greqisë.
“Sot qarkulloi një lajm që shpresoj të jetë fake-news, ku një ish-ministër i një vendi fqinj që thoshte që ushtria e këtij vendi nuk njihte kufijtë e Shqipërisë. Ne duhet të jemi të qetë edhe kur këto lajme janë të vërteta dhe kur janë fake-news. Këtu është roli i mediave për të mbajtur një distancë ndaj çdo manipulimi që rrit retorikën dhe na largon nga bashkëpunimi.
Në rastin se është fake-news, të gjithë duhet të punojmë që lajme të tilla t’i izolojmë. Në rast se është i vërtetë, natyrisht çështja është edhe pak më serioze. Natyrisht, nuk jam i shqetësuar për arsye që edhe si komandat i Forcave të Armatosura, ushtria shqiptare e di kufirin e saj dhe nuk ka asnjë pretendim ndaj një vendi tjetër si vend demokratik që jemi. Jam i shqetësuar pasi duhet të theksojmë gjuhën e bashkëjetesës.
Së dyti, Ballkani është një rajon shumë i trazuar, historikisht, etnikisht dhe ka vetëm një rrugë për të ecur përpara dhe të gjithë të përdorim standardet evropiane me pakicat. E vetmja zgjidhje është bashkëjetesa dhe harmonia dhe t’i qëndrojmë asaj me të cilën është themeluar Evropa”, tha kreu i shtetit, Ilir Meta.

KOHA JONË SONDAZH

