Presidenti Meta: Ndëshkoni me votë çdo parti dhe kandidat që përpiqet t’ju blerë votën
Presidentit Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndëshkojnë me votë, më 25 prill, çdo parti dhe kandidat, që përpiqet t’ju blerë votën. Në një intervistë dhënë për emisionin “Faktor” në RTSH Korça, kreu i shtetit u shpreh se këto zgjedhje janë historike dhe qytetarët duhet të kuptojnë rëndësinë që kanë për të ardhmen e tyre.
“Unë i ftoj të gjithë qytetarët të kuptojnë rëndësinë e votës së tyre, për të ardhmen e tyre dhe mbi të gjitha të fëmijëve të tyre. Një vend pa rini është si një shtëpi pa fëmijë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë, që të ndalojmë largimin e të rinjve dhe shpopullimin e Shqipërisë, sepse ata janë pasuria më e madhe e familjeve tona, qyteteve tona, komuniteteve tona dhe vendit tonë. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në këto votime historike.
Askush nuk duhet të mungojë, sepse ai që nuk voton, nuk ka të drejtë nesër as të kritikojë, dhe as të ankohet për qeverisjen që do të meritojë”,- tha kreu i shtetit.
Pjesë nga intervista e kreu të shtetit:
Pyetje (Dhorjela Çule): Ndërkohë i njëjti botim, thoshte se Parlamenti Shqiptar është një vulë aprovimesh për Shqipërinë.
Presidenti Meta: Vulë? Parlamenti Shqiptar është një noter i akteve arbitrare, që ndërmerren nga qeveria. Është një institucion monist. Kjo është shumë e qartë dhe Komisioni i Venecias sa herë ka pasur debate midis Parlamentit edhe Presidentit, i ka dhënë gjithmonë të drejtë Presidentit për të gjitha çështjet. Nuk e di a mund të quhet Parlament, por formalisht po. Parlament do të thotë që të ketë debat, do të thotë që të ketë alternativa të ndryshme, do të thotë që të ketë edhe opozitë. Nuk besoj se ka ndonjë korçar e shqiptar, që mendon se ekziston një Parlament në vendin tonë. Parlament kishte edhe në kohën e Partisë së Punës, ishte Asambleja Popullore e cila noterizonte të gjitha vendimet e udhëheqjes së Partisë së Punës.
Pyetje: Në këto zgjedhje përballja e vërtetë është Rama që synon një mandat historik, mandatin e tretë.. Nga ana tjetër opozita që po lufton fort. Si do të jetë?
Presidenti Meta: Kjo nuk është një pyetje për mua. Në këto zgjedhje është një moment historik, Shqipëria do të vendosë të shkojë në Europë, ose do të vendosë të shkojë në gropë. E thjeshtova këtë, për arsye se arbitrariteti nuk të çon askund. Vendi ynë ka një përvojë mjaft të hidhur në të kaluarën, se ku e ka çuar përqendrimi i të gjitha pushteteve, në një dorë. Sigurisht ka edhe një eksperiencë për të marrë vendimin e duhur, që unë jam i sigurt që do ta marrë sikurse nuk ka gabuar dhe në të kaluarën. Shpesh unë kujtoj referendumin e vitit 1994, kur Presidenti i atëhershëm, i cili i kishte përqendruar të gjitha pushtetet, kërkoi t’i legjitimonte ato përmes një projekti të Kushtetutës të njëanshme. Aktualisht Shqipëria është në një moment historik. Duhet të zgjedhë, të vazhdojë rrugën europiane, pra të rikthehet në shinat e integrimit europian nga ka dalë prej kohësh, ese të shkojë në një drejtim që për mua është thjesht një humnerë dhe asgjë tjetër, një drejtim tërësisht i paditur dhe i dyshimtë.
Pyetje: Zoti Meta, cili është apeli juaj nga Korça për qytetarët për 25 Prillin? Apo një mesazh të Presidentit të Republikës..?
Presidenti Meta: Unë i ftoj të gjithë qytetarët të kuptojnë rëndësinë e votës së tyre, për të ardhmen e tyre dhe mbi të gjitha të fëmijëve të tyre. Një vend pa rini është si një shtëpi pa fëmijë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë, që të ndalojmë largimin e të rinjve dhe shpopullimin e Shqipërisë, sepse ata janë pasuria më e madhe e familjeve tona, qyteteve tona, komuniteteve tona dhe vendit tonë. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në këto votime historike. Askush nuk duhet të mungojë, sepse ai që nuk voton, nuk ka të drejtë nesër as të kritikojë, dhe as të ankohet për qeverisjen që do të meritojë. Unë dëshiroj që të gjithë ata të meritojnë një qeverisje të përgjegjshme, të ndershme, që vë interesin e tyre të parin, të ndëshkojnë, çdo forcë politike dhe çdo kandidat që u bën presione, me bukën e gojës, me vendin e punës. Të ndëshkojnë çdo forcë politike dhe çdo kandidat që përpiqet t’i korruptojë. E ardhmja e tyre dhe fëmijëve të tyre nuk ka çmim. Është vota ajo që iu jep lirinë, ju jep dinjitetin dhe do të vendosë llogaridhënien në këtë vend, në të gjitha nivelet.
KOHA JONË SONDAZH

