Presidenti vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” volejbollistin e spikatur dinamovit, Enis Terihati

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” volejbollistin e spikatur të “Dinamo”-s dhe Ekipit Kombëtar, Enis Terihati, me motivacionin: “Për kontributin e madh dhe mjeshtërinë në arritjen e rezultateve të larta me ekipin e volejbollit ‘Dinamo’ dhe Ekipin Kombëtar. Lojtar i dalluar në suksesin më të madh të ‘Dinamo’-s, duke u renditur në katër skuadrat më të mira të Europës. Pedagog i përgatitur, i dashur dhe i respektuar; shembull dinjiteti i qytetarit të kulturuar”.

Në përshëndetjen e Tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të volejbollit dhe sportit shqiptar, Kreu i Shtetit u shpreh:

“E konsideroj një privilegj të nderoj sot një figurë të shquar të një sporti dhe një skuadre të suksesshme në volejboll si “Dinamo” e madhe.

Swiss Digital Desktop Reklama

Profesor Enis Terihati ka një kontribut të shquar në zhvillimin dhe rezultatet e ekipit të volejbollit “Dinamo”, por edhe Ekipit Kombëtar. Ai e ka nisur karrierën e tij sportive në vitin 1961 për t’u bërë titullar i ekipit të madh të “Dinamos” në vitet 1966 – 1980.

Swiss Digital Mobile Reklama

 

Enis Terihati ose siç e quanin në sportin e volejbollit Niska, ka qenë një lojtar jashtëzakonisht i kompletuar dhe  tepër me autoritet.

Në ato vite, ai i përkiste volejbollistëve shtatlartë, të rrallë në volejbollin e asaj kohe.

Ai karakterizohej nga një inteligjencë sportive, që kishte lidhje me kulturën familjare dhe me formimin e tij intelektual.

Një lojtar që nuk shfaqte në lojë emocione negative, i qetë, i saktë dhe i përgatitur për çdo situatë.

Një lojtar i spikatur sidomos në lojën nga qendra me topin e shkurtër, sa ky element përbënte një çelës individual suksesi për skuadrën e madhe “Dinamo”, por  edhe për Ekipin Kombëtar.

Ai gjithashtu ka qenë një lojtar bllokues i shkëlqyer, sa çdo kundërshtar duhet t’i bënte mirë llogaritë përballë tij.

 

Por një nga cilësitë e domosdoshme në lojën e tij ishte karakteri gjithmonë pozitiv dhe sjellja e tij në frymën e skuadrës.

Ka qenë dhe mbetet një shembull i lojtarit Fair – Play pavarësisht nga zhvillimet e ndeshjes. Korrekt me arbitrat dhe i dashur për tifozët dhe sportdashësit e volejbollit.

Ai ka qenë titullar i “Dinamo”-s së madhe në vitin 1972 kur ajo u rendit në 4 skuadrat më të mira të Europës, që do ta ëndërronim sot, të përsëritej për çdo skuadër shqiptare.

Po kështu ka qenë titullar i “Dinamos” në fitimin e 15 titujve kampion dhe 9 herë të Kupës së Republikës.

 

Profesor Niska numëron mbi 40 ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar dhe mbi 100 ndeshje ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore me ekipin “Dinamo”.

Duke e uruar ish-profesorin tim në shkollën e mesme ‘Sami Frashëri’, dua t’i përcjell vlerësimet më të mira edhe trajnerit legjendar të “Dinamos”, mjeshtrit të madh Vangjel Koja, i cili me pasionin dhe punën e tij të palodhur ka arritur të formojë volejbollistë të këtij kalibri, por edhe shumë të tjerë, një pjesë e të cilëve na nderojnë sot, por edhe të tjerë që nuk kanë pasur mundësi për arsye të kufizimeve, që të jenë sot të pranishëm.

Faleminderit!”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?