Protesta e studentëve, të rinjtë gati një peticion për Edi Ramën
Protesta e studentëve po merr një formë të re. Ata po përgatiten t’i dërgojnë kryeministrit Edi Rama një peticion me 8 plus 1 pika të shtjelluara dhe të detajuara për të qenë më të qartë në atë që kërkojnë dhe në atë që duan të plotësohen pas disa vendimeve të qeverisë për uljen e tarifave. Në vartësi të zgjidhjes ose jo të tyre do ndërmerren edhe hapa të tjerë të reagimit.
Xhuljan Guçe, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i ftuar bashkë me disa studentë të tjerë në emisionin ”Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, tha se ky këshill por edhe këshillat e fakulteteve dhe universiteteve të tjera janë duke përgatitur një peticion me pika të shtjelluara.
”Brenda pak ditëve ne do ta kemi të përgatitur këtë peticion dhe do tia dërgojmë kryeministrit, ministres së Arsimit dhe instancave të tjera të shtetit në të cilat do të kërkojmë në mënyrë të detajuar gjithçka që ne mendojmë. Ne do ti lëmë kryeministrit afat të përcaktuar për plotësimin e tyre dhe në vartësi të përgjigjes do të ndërmarrim hapa atë tjerë”,-tha Guçe. Guçe shtoi se në këtë peticion e reja është se studentët kërkojnë ulje tarifash jo vetëm për nivelin bachelor por edhe master.
KOHA JONË SONDAZH

