PS kërkon hetim me çdo kusht për CEZ

Pas skandalit “Tahiri-Habilaj”, ku opozita kërkoi arrestime dhe hetime në radhët e drejtuesve lartë të qeverisë dhe mazhorancës, sot ka ardhur kundërsulmi i Partisë Socialiste.

Në mënyrë zyrtare PS ka kërkuar sot nga Prokuroria procedimin penal për një numër të madh zyrtarësh të Partisë Demokratike.

Numri dy i PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat akuzoi Prokurorinë se po mbyll hetimet për çështjen CEZ. Balla tha se janë një numër zyrtarësh të lartë PD, duke nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministrat, Ritvand Bode dhe Genc Ruli si dhe djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha që duhet të hetohen dhe merren të pandehur nga Prokuroria.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë ish-kryeministrin Sali Berisha, si personin ndaj të cilit Prokuroria ka fakte të mjaftueshme për të nisur procedimin penal. Balla akuzoi Prokurorinë se po  mbyll në mënyrë të qëllimshme hetimet ndaj Sali Berishës dhe ish-ministrave të tij. Balla përmendi disa prova kanë dalë në publik nga komisioni  hetimor për çështjen “CEZ” dhe që sipas tij Prokuroria i ka anashkaluar duke shkelur ligjin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në deklaratën e PS, ku ishin dhe gjithë deputetët e mazhorancës që kanë qenë pjesë e komisionit hetimor të CEZ, Balla theksoi disa herë emrin e Sali Berishës. Deklarata ka vlerë politike më shumë se juridike. Balla, si numri dy i PS-së sot dha sinjalin se lufta politike sa po ka filluar. “Doni peshq të mëdhenj, ja ku i keni”,- tha Balla duke ju referuar Berishës dhe ish-ministrave.

Pas tronditjes që pësoi PS me skandali “Tahiri” dhe zërave të opozitës për protesta dhe skenarë rrëzimi që qeverisë, mazhorananca ka kaluar në mbrojtje. Dhe mbrojtja më e mirë është sulmi. Balla ka publikuar sot një listë që ngjan si “listat e zeza” të eliminimeve politike. Përmendja e emrit  të Berishës dhe jo e Bashës dhe njerëzve të tij të afërt në PD duket se është dhe një diversion i PS, duke sulmuar vetëm një pjesë të opozitës, për të marrë heshtjen e pjesës tjetër.

Me kërkesën për ndjekje penale ndaj Berishës, PS ka hapur luftë totale me opozitën. Qëndrimet e forta vijnë një ditë pasi Ministria e Brendshme dhe ekspertët e huaj nisën aksionin për kapjen e “peshqve të mëdhenj”.

PS sot mori rolin e “peshkatarit” dhe orientuesit të rrjetës, duke i bërë dëmin më të madh jo vetëm aksionit të fundit, por edhe reformës në drejtësi. Kur akuzat ngrihen dhe formulohen nga politika, drejtësia do e ketë të vështirë që funksionojë normalisht. Peshkimi për “kokat e mëdha të krimit” rrezikon të kthehet në një “gjueti politike”.

DEKLARATA E PLOTE E TAULANT BALLES:

Pse skandali i madh “CEZ” nuk mund të mbyllet?!

Deklaratë e sotme për media:

Jemi këtu sot si anëtarë të Komisionit Hetimor për çështjen tashmë të njohur “CEZ” – i vetmi Komision Hetimor i cili i çoi hetimet deri në fund dhe më pas me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dërgoi një dosje të plotë ku provohej në vlerësimin tonë fajësia e personave, ku më pas i kërkuam Prokurorit të Përgjithshëm sipas ligjit për Komisionet Hetimore fillimin e procedimit penal.

Sot jemi në kushtet që jemi njohur nga ana e institucionit të Prokurorisë për dërgimin në gjykatë jo për fajtorët, por për mbylljen e kësaj çështjeje.

Nisur nga kjo, do vazhdojmë në ditët në vijim të kërkojmë: 
Pse skandali i madh “CEZ” nuk mund të mbyllet?

Pse prokuroria duhej minimalisht të kishte marrë deklarimet e personave për të cilët Komisioni Hetimor i Kuvendit të Shqipërisë në raportin e tij përfundimtar, të miratuar nga shumica e anëtarëve të Kuvendit, ka vendosur dërgimin e këtij raporti në Prokurori me qëllim fillimin e çështjes penale? Kujtoj që ky është një vendim i Kuvendit me 74 vota pro, që mban numrin 36 për vitin 2017.

Si ka mundësi që ka prokurorë që çojnë ndërmend se në Shqipërinë e vitit 2017 mund të mbyllet një aferë kaq e madhe korruptive, pa bërë qoftë edhe një hetim të vetëm?!
Kush janë këta prokurorë? Kush u ka dhënë këtyre prokurorëve pushtetin që të sillen me drejtësinë si në një pazar?!
Kush janë këta prokurorë që u është dhënë e drejta që të mos marrin fare në konsideratë provat? Ky është një akt tepër i rëndë. Nuk merret fare në konsideratë se çfarë ka hetuar Kuvendi i Shqipërisë: prova rrënqethëse të korrupsionit shtetëror.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar aspak: 
1. Sali Berishën, ish-kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për të dëshmuar” – vepra penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 143, 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar Nue Nik Kalajn për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për të dëshmuar”, “Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit, apo përkthyesit” – vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 287, 307 dhe 310 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar Genc Rulin, ish-Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës/Kryetar i Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës, për privatizimin e kompanisë OSSH tek blerësi i paracaktuar CEZ. Gjithashtu për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” – vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 248 dhe 258 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar aspak Ridvan Boden, ish-Ministër i Financave, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” – vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan të drejtë të falin pa i hetuar të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” – vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal. 
Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” – vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248/1 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan të drejtën ta falin pa e hetuar aspak, pa e thirrur qoftë edhe një herë të vetme Florion Mimën, ish zv. Ministër i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjisë së asaj kohe.

Enno Bozdon, ish zv. Ministër i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjisë.

Si ka mundësi që nuk e kanë thirrur dhe e falin pa e hetuar Ledina Mandian, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin dhe pa e hetuar aspak Shkëlzen Sali Berishën, për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan të drejtë të falin dhe pa e hetuar aspak Bujar Nepravishtën, ish-Kryetar i Entit Rregullator të Energjisë, apo Sokol Ramadanin, ish-Kryetari tjetër i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që këta persona të hetohen një për një. 
Prokurorët, dashurinë për këta persona ta mbajnë; nuk u kërkojmë aspak që të mos i duan këta persona; por prokurorët aty janë për të bërë detyrën e shtetit, jo detyrën e militantit politik.

Pse kalimi në heshtje totale i kësaj dosjeje, pa bërë as hetimin më formal i vë vulën një historie të gjatë korrupsioni, padrejtësie, përdorimit të prokurorisë si pusetë politike për të mbyllur kanalet e llumit të përgjakur të së shkuarës, të pak muajve më parë. 
Pse ky standard krejt i dyfishtë i Prokurorisë e kompromenton tërësisht këtë organ si të përdorur në funksion të luftës së dëshpëruar për pushtet të një opozite protagonistësh, që duhet të përgjigjen njëherë e më parë përpara drejtësisë dhe pastaj të shesin dëngla duke hedhur përditë baltë mbi Shqipërinë tonë!

Ne këtu, nga unë i pari, kam qenë kryetar i atij Komisioni Hetimor; zonja Kushi ka qenë anëtare e atij Komisioni Hetimor; z. Ndreu ka qenë anëtar i atij Komisioni Hetimor, kemi pritur që të na thërrasin, mua të parin, institucioni i Prokurorisë për të dëshmuar gjithçka unë di për këtë çështje, po ashtu edhe kolegët. Sigurisht nuk kemi pritur kurrë që këtë çështje ta shikonim si një pako dhurate që i dërgohet Prokurorisë në Gjykatë. Ky është një favor i fundit që Prokuroria i bën klasës së politikanëve të korruptuar.

Si ka mundësi vallë që ky grup deputetësh dhe një shumice parlamentare me mandat të qartë për zbatimin e Reformës në Drejtësi, nuk vlekan për Prokurorinë Shqiptare për të hapur një çështje, as sa dy kriminelë që flasin në telefon me njëri-tjetrin?! Biseda telefonike e dy kriminelëve vleka më shumë se një raport përfundimtar i një Komisioni Hetimor. Një raport që nuk u mor aspak në konsideratë, qoftë edhe për një hetim formal.
Minimalisht personave që numërova më lart duhej t’u merrej nga një deklaratë.

Si ka mundësi vallë që kjo lëvizje e Prokurorisë në këtë mjegullën e krijuar nga fronti i hakmarrjes për pushtetin e humbur,- ky është fronti ri, fronti i hakmarrjes për pushtetin e humbur në Shqipëri,- ndodh tamam kur sapo ka filluar Vettingu për çuarjen për skrap të prokurorëve e gjykatësve që kanë bërë rojen e pusetës për mbulimin e zullumeve të mëdha: historisë së pluralizmit shqiptar.

Si ka mundësi që Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë është marrë zyrtarisht nga organet e drejtësisë në Çeki? Atje prokuroria po heton imtësisht kompaninë CEZ, përfshirë edhe transferimin në Shqipëri të 6.854.248 euro. Në Çeki, raportin e Komisionit e kanë marrë institucionet ligjzbatuese dhe po e hetojnë. Në Shqipëri, organi i prokurorisë as nuk e merr fare në konsideratë dhe e çon dosjen për ta mbyllur në gjykatë.

Si ka mundësi që mediat në Çeki shkruajnë dje, sot, nesër, pasnesër; shkruajnë televizionet çeke, flasin për një aferë të madhe ku është përfshirë një kompani kaq e madhe, e cila ka paguar ryshfet; në Shqipëri prokuroria thotë: “S’ka prova. Po e mbyllim”.

Do i kërkoja mediave të lexonin faqe për faqe, fjalë për fjalë atë çfarë i është vënë në dijeni parlamentit nga ana e prokurorisë. Juristët do të qeshin; populli po ashtu do të qeshë, se çfarë prokurorësh kemi sot në detyrë. Për kryerjen e transaksioneve në favor të CEZ të Nue Nik Kalajt, komisioni ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se kjo shumë është marrë për të ndikuar paligjshmërisht në ish-funksionarët e lartë të asaj kohe, me qëllim realizimin e blerjes së 76% të aksionit të OSSH nga CEZ. Komisioni ka konstatuar se çfarëdolloj shërbimi na paskërkësh kryer Nue Nik Kalaj në favor të CEZ, edhe në Çeki, institucionet e së drejtës dhe mediat kanë bërë publike faktin që, nuk ka asnjë lloj asistence juridike apo ekonomike që të vleka 7 milionë euro. 7 milionë euro të cilat nga bankat e Shqipërisë kanë dalë me thasë.

E dini çfarë thotë Prokuroria në informacionin që i ka sjellë Kuvendit të Shqipërisë për këtë rast:
“Shuma e mësipërme nuk mund të konsiderohet si përfitim në kuadër të arsyetimit të mësipërm, pasi nuk rezulton që nga kjo shumë të jetë kryer ndonjë transaksion i mëtejshëm në favor të ndonjë përfituesi i cili mund të kryejë ndikim”. 
Çfarë priste Prokuroria, që Nue Nik Kalaj 7 milionë euro t’ua paguante funksionarëve të shtetit të asaj kohe me rrugë bankare?! Keni dëgjuar në ndonjë vend që ryshfeti na qenka paguar në rrugë bankare? Prokuroria çon çështjen për ta mbyllur në gjykatë, pa thirrur minimalisht Nue Nik Kalajn. Ta kishte thirrur një herë të vetme dhe t’i merrte një deklaratë e t’i thoshte: “Zotëri, si ka mundësi që ke tërhequr brenda ditës 6.8 milionë euro me thasë dhe ti nuk dihet ku i ke çuar?”

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë e ka ngarkuar Prokurorinë që për veprën penale të mosdhënies së dëshmisë, ky person minimalisht duhet të kishte një urdhër arresti për t’u shoqëruar. Të paktën si një organ që zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë, minimalisht Prokuroria duhet të kishte zbatuar një prej detyrave të saj: procedimin penal për mosdhënien e dëshmisë. Për Prokurorinë 6.8 milionë euro nuk paskan vlerë; çfarë pret prokuroria?

Kjo është një çështje shumë shqetësuese për ne.

Në informacionin tonë, kjo çështje gjykohet më datë 24 nëntor në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për mbylljen e këtij procedimi penal. Por të jeni të sigurt që drejtësia e re po vjen, dhe këta prokurorë e këta gjyqtarë që kanë vendosur ta kenë aleat korrupsionin e krimin, këta nuk kanë më vend në Shqipëri.

Doni peshq të mëdhenj? Ja ku i keni!

Shkëlzen Berisha i përgjigjet Taulant Ballës

Pas deklaratës së Tualant Ballës së Prokuroria duhet të hetojë Berishën dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha për çështjen “CEZ”, ka ardhur dhe reagimi i Shkëlzen Berishës.

Në një postim në Facebook, Shkelzën Berisha thotë se Balla duhet të paguajë gjobën për shpifje.

“Taluanti që kërkon “drejtësi” si diversion për trafikun ndërkombëtar të drogës duhet, që si çdo qytetar, të zbatojë vendimin e gjykatës dhe të paguajë gjobën për shpifje”,- shkruan Berisha.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?