Rama bën kryebashkiakët për ”ujë të ftohtë”: S’përgjigjen në kohë! Publikojmë emrat
Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes në sallën e hartave në Kryeministri. Në fjalën e tij, Rama u ndal tek puna e dobët e kryetarëve të bashkive, që sipas Ramës janë duke sabotuar procesin e bashkëqeverisjes, ku edhe paralajmëroi se emrat e tyre do të bëhen publikë.
”Bashkitë nuk përgjigjen shpesh në kohë, është për të ardhur keq, pasi janë për nga natyra dhe përveçse me ligj, duhet të jenë pranë njerëzve, pranë komuniteteve. E vetmja zonë konflikti që kemi ne me qytetarët është pushteti vendor. Hasim shpesh në shurdhëri dhe indiferencë, nuk kam dashur që të publikoj rastet dhe emrat e bashkive dhe kryebashkiakëve, po do jem i detyruar që ta bëj. Zotërinjtë kryebashkiakë, jo zonjat, janë zotërinj zakonisht ata që nuk përgjigjen, se zonjat kanë dhe ambicie të rizgjidhen, duhet ta llogarisin që sot se do përballen publikisht. Është e vetmja gjë që na ka mbetur pasi koordinatorët që merren me Bashkitë janë kthyer në lutësa, më shumë sesa besimtarët që shkojnë në kisha dhe xhami. Kjo duhet të mbarojë së paku nga ne, po rrënojnë dhe reputacionin e platformës. Këtë nuk mund ta lejojmë”,-tha Rama.
Sipas tij, për një shërbim më të mirë dhe më efikas të zyrave apo agjencive qeveritare duhet ushtruar presion i dyfishtë, nga lartë dhe nga poshtë.
“Ajo që është e rëndësishme është se duhet të rrisim presionin nga lart të qeverisë mbi të gjitha agjencitë e zyrat, si dhe presionin nga poshtë, të qytetarëve që kërkojnë gjithnjë e më shumë përgjegjshmëri. Kemi shkarkuar dhjetëra zyrtarë dhe punonjës përmes platformës së bashkëqeverisjes. Por është e domosdoshme që të gjithë që kanë përballë një mur shurd e qorr, e jo një punonjës apo zyrë që reagon, duhet të na drejtohen dhe të na vënë në provë. Duhet të na bëjnë palë me ta kundër shurdhërisë që vret shpresa dhe i bën njerëzit të ndihen të nëpërkëmbur e të braktisur”, u shpreh Rama.
Sa i përket platformës së bashkëqeverisjes, Rama tha se ka pasur kërkesa të shumta nga ndërkombëtarët për të ardhur e për ta vizituar zyrën e për të parë sesi funksionon.
KOHA JONË SONDAZH

