Rama: Ja dhe vizat s’u rikthyen. BE: Jeni nën monitorim
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Komisionit Europian për të rrëzuar kërkesën e Holadës për rikthimin e vizave për shqiptarët. Kreu i qeverisë thotë se e vërteta doli fiks sikur e kishte thënë.
“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter” tha Rama.
Komisioni Europian mësohet se është shprehur se pas vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria nuk plotësohen mekanizmat për pezullimin e vizave duke rrëzuar kërkesën e Holandës. Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka përshëndetur vendimin e Komisionit të BE për të mos pezulluar regjimin e vizave për shqiptarët, por megjithatë ka theksuar se do të vazhdohet monitorimi nga afër i Shqipërisë në përmbushjen e standarteve të lidhura me vizat. “Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës së Holandës dhe bazuar në të dhënat përkatëse të informacionit në dispozicion, Komisioni i BE-së ka vendosur që në situatën aktuale nuk janë plotësuar rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave. Komisioni sigurisht do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza. Tani është koha që, pas këtij konfirmimi, Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj të rëndësishme të vitit 2010 dhe për të ecur përpara me energji të përtërira, duke pasur parasysh vendimin e rëndësishëm të Këshillit të BE-së në tetor”,- shkruan Soreca.
KOHA JONË SONDAZH

