Reagimi i Zaloshnjës ndaj një shkrimi në “Koha Jonë”
Reagimi i Zaloshnjës ndaj një shkrimi në “Koha Jonë”.
Në shkrimin e botuar në faqen e internetit të gazetës “Koha Jonë”, me titull “Zaloshnja: Nëse bëhen zgjedhje të parakohshme 50 % PS dhe 50 % PD-LSI” ( e nënshkruar nga Spiten Pruelli), thuhet ndër të tjera se “Zaloshnja, ndonëse i pavarur në statistikat e tij, prapë ka një dozë melankolie për të majtën, sidomos për Edi Ramën”.
Se sa “melankolik” jam për Edi Ramën nuk e tregojnë fjalët, por shifrat (meqënëse sondazhet e mija i kam publikuar para çdo palë zgjedhje)
Kështu, në një sondazh që publikova në Top Channel para se të fillonte numërimi i votave në zgjedhjet e qershorit të këtij viti, parashikova se PS nuk do të merrte dot më shumë se 73 mandate. Në fakt PS-ja mori 74…
Një sondazh që publikova në Top Channel, tre muaj para zgjedhjeve lokale të 2015-ës (kur ende nuk ishin përcaktuar kandidatët), tregonte se kandidatët për kryebashkiakë të mazhorancës do të merrnin 800 mijë vota dhe ata të opozitës 650 mijë vota, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në muajin mars. Tre muaj më vonë, pasi ishin caktuar kandidatët dhe ishte bërë fushatë, rezultati doli 830 mijë me 670 mijë…
Një muaj para zgjedhjeve te 2013-es, publikova ne gazeten “Dita” një sondazh që parashikonte fitore të koalicionit te majtë me 54.5% të votave në rang kombëtar. Në zgjedhje, ky koalicion mori 57.6% të votave…
Një muaj para zgjedhjeve të 2011-ës, parashikova në TV Klan fitoren e Ramës në Tiranë me 52.5% të votave. Ndersa ne Top Story parashikova se probabiliteti që Basha të merrte qoftë edhe 1 votë të vetme me shumë se Rama ishte me pak se 1%. Në fakt, Rama mori 50% të votave (10 më shumë se Basha), por i humbi zgjedhjet, pasi u gjetën nja 80 fletë votimi në KQZ për Bashën, të cilat ishin hedhur në “kutitë e gabuara”. (Një dështim spektakolar pësoi atë vit – 2011 – firma Gani Bobi, e cila parashikoi një fitore të Bashës me 58% të votave, ndërkohë që ai mezi e barazoi Ramën).
KOHA JONË SONDAZH

