Task Force për reformën e ujit, Rama: Keni 90 ditë kohë
Dje Kryeministri Edi Rama paralajmëroi mbjedhjen e ”Task-Force” për reformën në ujin e pijshëm dhe sot në mbledhjen për njoftimin e detajeve lidhur me aksionin e madh, kreu i qeverisë u drejtua shqiptarëve me një thirrje publike.
”Thirrje publike për konsumatorët që furnizohen me ujë që të vetërregullojnë situatën dhe lidhin kontratat brenda 90 ditëve. Njëkohësisht do të nisë prerja e lidhjeve të paligjshme pa penalizime në këtë periudhë tranzitore, për të vazhduar në shkurt me kontrollin derë më derë dhe penalizimet ligjore për çdo vjedhje të ujit”,-njofton Rama në facebook.
Gjatë mbledhjes, Rama kujtoi se Shqipëria është vendi i dytë më i pasur me burimet ujore, teksa në krahun tjetër jemi i vetmi vend me probleme serioze në furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm. Kreu i qeverisë shtoi se me përjashtim të 7 qyteteve uji shkon në rubinete vetëm 4 deri në 5 orë në ditë. Si përgjegjëse për këtë situatë Rama tha se pikë së pari është qeverisja qendrore, e cila në 27 vite nuk e ka zgjidhur këtë problem.
“Është një situatë që ska si bëhet më keq. Dhe vetëm një reformë e ngjashme me atë që patëm për ënergjinë elektrike do të na shpëtonte. Nuk do ta fillojmë me penalizime. Vjedhja e ujit si vjedhja e energjisë dënohet nga kodi penal, por do të japim kohë që të vetërregullohen. Do të fillojmë menjëherë prerjen e lidhjeve të paligjshme, por nuk do të shoqërohet me penalizime për 90 ditë”,-tha Rama
Kryeministri informoi se deri në muajin qershor do të pajisen me matësa të gjithë ata që do të vetërregullohen, ndërsa në më pak se një vit, beteja do të fokusohet tek ndryshimi i mendësisë. “Për fat të mirë si me energjinë, shembullin e kemi të qartë. Nuk janë të gjithë që vjedhin ujin apo energjinë”.
Ndërsa Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka bërë të ditur planin e reformës së ujit, ku tha se nuk do të ketë më abuzime në këtë sektor. Objektivi i parë i reformës do të jenë vetë institucionet e shtetit dhe nëpunësit e administratës publike, për të vijuar më pas me bizneset e në fund konsumatorët.
“Shoqëritë e ujësjellësve duhet të marrin masa për të gjitha faturat, kujtoj që kemi të bëjmë me tituj ekzekutiv. Objektivi i parë, respektimi i ligjit nga vetë institucionet e shtetit dhe nëpunësit e administratës publike. Ky proces disiplinimi do të nisë menjëherë”, tha Gjiknuri.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155286472126523/
KOHA JONË SONDAZH

