Vasili: Biznesmenët e ndershëm nuk i përcakton Kryeministri, por ligji
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar sot për gazetarët buxhetin e vitit 2018 dhe deklaratat që u bënë në Kuvend për oligarkët. Vasili tha se biznesmenët nuk duhen ndarë sipas partive, por sipas respektimit që i bëjnë ligjit.
Kreu i deputetëve të LSI-së tha se nuk e përcakton Kryeministri se cili biznesmen është i ndershëm apo shkel ligjin. “Nuk është Kryeministri që duke dhënë koncesionin apo lejen e ndërtimit të radhës jep edhe amnistinë e radhës për biznesmenin e radhës. I bie që meqenëse në Tiranë apo në qytete të tjera janë mbjellë, në qeverisje të ndryshme, pemë të ndryshme te kemi ca plepa apo ca lajthi apo ca molla që janë të kësaj partie apo ca të një partie tjetër. Na bie që të kemi me teser partie edhe pemët e rrugës”,- u shpreh Vasili në konferencën e dhënë sot për gazetarët.
Më poshtë përgjigja e plotë e Vasilit për biznesmenët.
Pyetje: Z. Vasili, a njihni ndonjë oligark me emër të përveçëm që po përfiton nga kjo paketë fiskale e qeverisë?
Nuk më interesojnë fare emrat e përveçëm. Dje për herë të parë kam dëgjuar që më në fund biznesi u bë partiak. Në konceptin tim dhe të forcës politike në të cilën u bëj pjesë biznesi është biznes, ka një raport me ligjin. Mund të jetë i ndershëm, mund të jetë i pandershëm. Në një botë të kriminalizuar të gjithë janë të dyshuar. Ka kryeministra të inkriminuar, ka ministra të inkriminuar, mund të ketë dhe biznesmenë të inkriminuar. Kryesorja dhe mbi të gjitha për mua dhe për LSI-në është që biznesmenët nuk kanë parti. Kanë një raport korrektese me ligjin, janë evazorë apo jo, burimi i parave të tyre është i pastër apo i pisët. Dhe këtë gjë nuk e përcakton Kryeministri, i cili ka idenë e një njeriu super njeri, shpërdoruesit të madh të pushtetit që në rast se i jep një koncesion dikujt natyrshëm ky njeri është korrekt, është i pastër dhe nuk ka asnjë problem. Nuk është Kryeministri që duke dhënë koncesionin apo lejen e ndërtimit të radhës jep edhe amnistinë e radhës për biznesmenin e radhës. I bie që meqenëse në Tiranë apo në qytete të tjera janë mbjellë, në qeverisje të ndryshme, pemë të ndryshme te kemi ca plepa apo ca lajthi apo ca molla që janë të kësaj partie apo ca të një partie tjetër. Na bie që të kemi me teser partie edhe pemët e rrugës.
KOHA JONË SONDAZH

