Vasili: Buxheti i shkollëpakësisë dhe hajduterisë
Petrit Vasili është indinjuar me qeverinë “Rama 2” ku rendit disa nga çështjet që sipas tij duhet të ishin zgjidhur.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së kujton disa premtime të qeverisë “Rama 1” ku ai kërkon shpjegime se pse s’janë zgjidhur.
Megjithëse ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe ndan përgjegjësi për të, Vasili nuk nguron t’i cilësojë si premtime idiote.
Postimi i Petrit Vasilit
Buxheti i shkollëpakësisë dhe hajdutërisë.
Buxheti i 2019 po “shëtit” nëpër komisionet parlamentare, po bën adetin apo qokën si prelud i vjedhjes gjigande të radhës.
Shkollëpakësia ka ndërtuar një buxhet mediokër e shkatërrimtar si ditë e zezë për ekonominë e mijëra familjeve shqiptare, ndërsa hajdutëria ka ndërtuar një buxhet si ditë e bardhë për oligarkët bashkëklientë të pushtetit.
Asnjë element vizionar, asnjë shpresë për ulje të pabarazisë shoqerorë, asnjë lajm i mirë për të varfërit, asnjë ndryshim në shëndetësi e arsim, asgjë për bujqesinë, taksa më të larta.
Ku është Shëndetësia Falas premtimi më idiot por edhe më i poshtër e më shkatërrimtar i shkollëpaktit që praktikisht po zhbën cdo ditë shëndetësinë kombëtare.
Por është shumë i qartë dhe vizionar ky buxhet në pagesat e koncesioneve, që mbushin xhepat e oligarkisë dhe qeverisë.
Një borxh kombëtar që vetëm rritet dhe në mënyrë kriminale fshihet e arrin mbi 72%.
Thëllimi i varfërisë që i dëbon shqiptarët nga atdheu i tyre.
100 milion euro pagesa për koncesione.
40 milion dollarë taksa më shumë.
1 e treta të ardhurave grabitet në taksa që nuk prodhojnë shërbime.
Dhjetra mijëra familjeve që u hiqet ndihma ekonomike dhe flakën në skamje.
Asnjë investim madhor i huaj apo në infrastrukturë që rrit ekonominë por mbi të gjitha punësimin.
Asnjë shpresë për ulje të papunësisë.
Këto janë lajmet e zeza që vijnë nga një buxhet të përgaditur nga hajdutëria dhe shkollëpakësia të bëra bashkë.
Ky është buxheti që ju ofron shqiptarëve vetëm largimin nga vendi pasi ua kthen përditshmërinë atyre në një ferr mbijetesë të pamundur.
KOHA JONË SONDAZH

