Vasili nxjerr dokumentin pa firmën e Ramës: Ky është bojkotuesi i madh, nuk e ka parë fare Buxhetin 2018
Nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili reagoi lidhur me projektbuxhetin 2018, ndërsa theksoi se opozita nuk mund të ishte pjesë e këtij shqyrtimi.
Ai nuk i kurseu akuzat në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se kryeministri nuk ka firmosur për projektbuxhetin.
“Një kryeministër paraqitet para vendit si votëbesuari kryesor. Që është ky ligj. Opozita nuk mund të ishte pjesë e shqyrtimit përveç arsyeve politike madhore të një shteti që është i kapur, konfirmim kombëtar dhe ndërkombëtar për trafiqet e drogës. Por kjo qeveri dhe ky kryeministër s’kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve. Kolegët e mi e të Rilindjes po bëhen qesharakë. Ky dokument nuk është i kryeministrit tuaj. Ai nuk di gjë fare ça është shkruar. Ditë e zezë për vendin kur kryeministri nuk mendon për popullin”, tha Vasili.
Nga fjala e Vasilit:
Dokumenti më i rëndësishëm që një qeveri, ose më mirë një Kryeministër paraqitet para vendit, është pikërisht ligji i Buxhetit të Shtetit. Gjithë të tjerët kanë rëndësinë e tyre, por fytyrën e qeverisjes e ka ky ligj.
Në mënyrë normale, opozita nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë në këtë shqyrtim për arsye madhore, sepse shteti është i kapur, është bërë njësh qeveria me trafikun e drogës dhe me trafiqe të tjera, por arsyeja themelore është se ky Kryeministër dhe kjo qeveri nuk ka të bëjë me asgjë me merakun e qytetarëve.
Kolegu im i mazhorancës foli për bojkot. Nuk i kam parë më qesharakë, kolegët e Rilindjes sesa kaq.
Jua tregoj se kush bojkoton. Ja dokumenti kryesor që Kryeministri firmos në një vend. Më i rëndësishmi i demostrimit të politikave qeveritare – nuk është firmosur nga Edi Rama. Ky është bojkotuesi i madh!
Kjo tregon neverinë e madhe që ka ai për popullin e vet. Nuk kemi parë dhe as kemi për të parë një bojkotim që një kryeministër i bën qeveritarëve. Kur ky bojkoton dokumentin e qeverisë së tij, mos ne kemi detyrë t’i bëjmë fresk?! Këtij që nuk ka kohë të të firmosë, të merret me këtë dokument?!
Orë të tëra i caktoi vetes se sa mirë është të mbrosh trafiqet, sa mirë të dekorosh sallën e Kryesisë, por bojkoti më i madh është ky: Ky dokument nuk është i Kryeministrit tuaj. Ai nuk di gjë fare se çfarë është shkruar këtu.
Ndaj, mos e merrni seriozisht. Nuk do të gjeni rast tjetër se sa i përgjegjshëm është. Këtu janë të shpërndara gjaku dhe djersa e mijëra bizneseve dhe ky “efendikoi” nuk ka kohë fare të merret me këtë. Ky bojkot që Kryeministri i ka bërë Buxhetit të shtetit është më i rrezikshmi, se ai nuk e ka fare në llogari popullin e tij,” theksoi Vasili.
KOHA JONË SONDAZH

