Veliaj në Itali, arrihet marrëveshje për menaxhimin e mbetjeve të Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar një vizitë në Bashkinë e Veronës dhe atë të Vicencës, dy qytete me të cilat ka një sërë bashkëpunimesh mes institucioneve lokale në fusha të ndryshme ekonomike dhe tregtare, ndërsa së fundmi është thelluar edhe më shumë bashkëpunimi në menaxhimin e mbetjeve.
Kompania “Eco Tirana”, e cila është në partneritet me Bashkinë e Veronës, tashmë do të zgjerojë bashkëpunimin edhe me bashkinë e Vicencës, falë marrëveshjes mes dy qyteteve italiane.
“Ishte kënaqësi e veçantë sot të vizitoja mikun tim, kryetarin e Bashkisë së Viçencës për ta falënderuar për gjithë komunitetin shqiptar që jeton këtu, që janë të integruar e që janë kthyer në një histori suksesi, ku disa prej tyre punojnë në komunën e Viçencës, ndërkohë që kemi edhe një krushqi, nëse mund ta quajmë krushqi tregtare, duke qenë se komuna e Viçencës dhe komuna e Veronës janë bërë ortak në menaxhimin e shërbimeve të qytetit, përfshirë edhe atë të pastrimit, janë automatikisht edhe ortakët tanë të rinj në pastrimin e qytetit të Tiranës. Duke qenë se sot kishim një takim të marrëdhënieve tona të menaxhimit të këtyre shërbimeve, sidomos të pastrimit të Tiranës, dyfishimin e territorit që tani do të pastrojë ‘Eco Tirana’” u shpreh Veliaj pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Vicenzës Francesco Rucco.
Ndërsa kryebashkiaku i Vicenzës Francesco Rucco, u shpreh i gatshëm për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin lokal mes dy vendeve. “Sigurisht, do kem rastin për të vizituar dhe për të parë se si Tirana ka ndryshuar falë kryebashkiakut përgjatë këtyre viteve e po ashtu do tentojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në aspektin industrial, pasi shoqëritë tona janë shoqëri të shëndosha, që punojnë mirë. Kjo është edhe një mundësi që të dy qytetet, Vicenza dhe Tirana të mund të bashkëpunojnë për Kryeqytetin e Rinisë akoma më mirë se me Kryeqytetin e Kulturës, ku jemi pjesëmarrës dhe kemi një shkëmbim kulturor mes dy realiteteve që janë shumë afër dhe që kanë ndihmuar njëra-tjetrën edhe në momente të vështira. Dua të kujtoj se populli shqiptar i ka ardhur në ndihmë Italisë, përgjatë momentit më të vështirë të Covid në disa qytete italiane dhe kjo nuk mund të harrohet,” u shpreh Rucco.