VOA: Rusia synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Perëndimi thotë se ndër vendet më të rrezikuara janë shtetet, që nuk janë anëtare të NATO-s apo Bashkimit Evropian. Mes tyre përfshihen Moldavia fqinje me Ukrainën dhe Gjeorgjia në kufi me Rusinë, që të dyja dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, së bashku me shtetet ballkanike, Kosovën dhe Bosnjën.
Por analistët paralajmërojnë se edhe shtetet anëtare të NATO-s mund të jenë në rrezik, si Estonia, Letonia dhe Lituania pranë Rusisë, si dhe Mali i Zi, qoftë nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e Moskës, ose nga përpjekjet për destabilizimin politik.
Do të ishte e vështirë që trupat ruse të arrinin në Ballkan pa angazhuar forcat e NATO-s të stacionuara në të gjitha vendet fqinje. Por Moska mund ta destabilizojë rajonin, siç bën tashmë, me ndihmën e Serbisë, aleatit të saj që e ka armatosur me tanke, sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë.
Kremlini e ka konsideruar gjithmonë Ballkanin si sferë të influencës së tij, megjithëse asnjëherë nuk ka qënë pjesë e bllokut sovjetik. Luftërat e viteve 1990 lanë të paktën 120,000 të vrarë dhe miliona të pastrehë.
Serbia, shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, fajësohet për fillimin e luftërave brutale për të parandaluar shpërbërjen e Jugosllavisë. Qendrimi i Serbisë në atë kohë i ngjan luftës aktuale të Moskës për të rikthyer Ukrainën në orbitën e saj përmes forcës ushtarake.
Perëndimi druhet se udhëheqja pro-ruse në Serbi, e cila ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, mund të përpiqet të shfrytëzojë vëmendjen e përqendruar tek Ukraina për të destabilizuar më tej fqinjët e saj, veçanërisht Bosnjën, ku pakica serbe ka kërcënuar të ndajë territoret e saj nga federata e përbashkët për t’iu bashkuar Serbisë.
Zyrtarët serbë kanë mohuar në mënyrë të përsëritur se po ndërhyjnë në shtetet fqinje, por kanë mbështetur në heshjte lëvizje separatiste të serbëve të Bosnjës dhe udhëheqësit të tyre Milorad Dodik.
Ambasada ruse në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë paralajmëroi vitin e kaluar se nëse Bosnja ndërmerr hapa drejt anëtarësimit në NATO, “vendi ynë (Rusia) do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”. Anëtarësimi në NATO do ta detyrojë Bosnjën të bëhet palë në “konfrontimin ushtarako-politik”, thuhej në paralajmërimin e ambasadës ruse në Sarajevë.
Paqeruajtësit e BE-së në Bosnje kanë njoftuar vendosjen e rreth 500 trupave shtesë në vend, duke theksuar “përkeqësimin e sigurisë ndërkombëtare që mund të përhapë destabilitet”.
Kosova, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kundër trupave serbe, i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara, që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në vend dhe të përshpejtojë integrimin e saj në NATO pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe një bazë e përhershme ushtarake amerikane është një nevojë imediate për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruante në rrjetin Facebook Ministri i Mbrojtjes të Kosovës Armand Mehaj. Nga ana tjetër, Serbia tha se kjo ishte e papranueshme.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është njohur nga më shumë se 100 vende, kryesisht vende perëndimore, por jo nga Rusia dhe Serbia.
Mali i Zi, dikur aleat që i ktheu shpinën Rusisë për t’u bashkuar me NATO-n në 2017, ka vendosur sanksione ndaj Moskës për sulmin ndaj Ukrainës dhe pritet të anëtarësohet në BE.
Vendi është i ndarë mes atyre që favorizojnë politikat pro-perëndimore dhe kampeve pro-serbe dhe pro-ruse, gjë që ka rritur tensionet.
Rusia e ka paralajmëruar vazhdimisht presidentin pro-perëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili udhëhoqi shtetin e vogël buzë Adriatikut drejt anëtarësimin në NATO, se masa ishte e paligjshme dhe pa miratimin e të gjithë malazezëve.
Përfundimisht, Rusia mund të shpresojë të përmirësojë lidhjet e saj me Malin e Zi në një përpjekje për të forcuar praninë e saj në Mesdhe./VOA/
KOHA JONË SONDAZH

