Zgjedhjet e 25 prillit. Vota quhet e pavlefshme nëse votohet për një parti dhe kandidatin e një partie tjetër
Vendosja e “senatorëve” të PS në vendet humbëse në listat e kandidatëve nga Edi Rama ka krijuar paqartësi edhe në radhët e militantëve të Partisë Socialiste. Një pjesë e strukturave të PS po orientojnë qytetarët që të vijojnë numrat e kandidatëve të tyre, duke argumentuar se mund të votojnë kë parti të duan, mjafton të zgjedhin emrin (numrin) e kandidatit të tyre të preferuar.
Në fakt kjo praktikë votimi do të shpallë votat të pavlefshme. Kodi Zgjedhor parashikon se mund të votohet vetëm për një parti politike dhe kandidatët e saj në listë, por jo për kandidatë të listave të partive të tjera. Një votim i tillë, praktikisht e shpallë votën të pavlefshme.
Neni 117 i Kodit Zgjedhor:
Llojet e votave dhe kriteret për vlerësimin e votës
1. Fletët e votimit ndahen në vota të vlefshme ose në vota të pavlefshme.
2. Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërën nga subjektet zgjedhore dhe/ose vetëm për njërin nga kandidatët e tij. Kur është votuar për më shumë se një kandidat të të njëjtit subjekt zgjedhor, vota i llogaritet vetëm subjektit zgjedhor.
3. Vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur:
a) fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja;
b) fletës së votimit i mungojnë vulat e parashikuara në nenin 103 të këtij Kodi;
c) në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që bëjnë të pamundur vlerësimin e votës;
ç) në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
d) është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit;
dh) nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit;
e) është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër zgjedhor;
e/1) nuk është e qartë se për kë është votuar; ose
ë) zgjedhësi ka votuar për një person apo subjekt që nuk është në fletën e votimit.
4. Vlerësimi i votave synon të identifikojë, sa të jetë e mundur, qëllimin e zgjedhësit. Në zbatim të këtij neni, KQZ-ja përgatit udhëzues të veçantë për të lehtësuar punën dhe unifikuar praktikën e vlerësimit të fletëve nga ana e komisioneve dhe personave të ngarkuar nga ky Kod për numërimin dhe vlerësimin e votave.
KOHA JONË SONDAZH

