Home Aktualitet Pr.ligji për ...

Pr.ligji për studentët e mjekësisë, Kushi: Ta votojmë sot, se nesër do jetë shumë vonë

23
0

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi gjatë fjalës së saj në Kuvend është shprehur se projektligji për studentët e mjekësisë nuk është anti-kushtetues, duke thënë se nëse nuk votohet sot, atëherë do të jetë shumë vonë.

“Në qoftë se ne nuk e miratojmë sot dhe në qoftë se studentët e vitit të parë nuk e dinë sot, nesër, gjatë këtyre ditëve, përpara se të hynë në provimin e digjitalizuar, atëherë ne humbasim 1 apo 2 vite kohë ndërkohë që pas një viti apo 2 vitesh mund të jetë vonë. Dua ta theksoj që në fillim se ligji nuk është antikushtetues, ligji nuk detyron askënd. Ligji i jep mundësinë të zgjedhin. Marrëveshjen do ta nënshkruajnë vetëm ata duan, që e mendojnë, që e ndjejnë që pas diplomimit duan të punojnë dhe kontribuojnë 2, 3 apo 5 vite në Shqipëri. Thelbi i ligjit është të mbështesim akoma më shumë ata që do të qëndrojnë në Shqipëri, ata që do të kontribuojnë për të ofruar shërbim shëndetësor në institucionet tona. Pra ligji jo vetëm nuk është anti kushtetues, por përkundrazi ligji është një mekanizëm që ne të përmbushim detyrimin kushtetues që ne kemi për të plotësuar nevojat me mjekë dhe profesionistë të fushës së mjekësisë në spitale, në qendra shëndetësore, pra të plotësojmë nevojat për burime njerëzore në institucionet tona shëndetësore”, tha Kushi.

Ministrja shtoi se fenomeni i largimit të mjekëve po prek dhe shumë vende të tjera, prandaj tha se është e vështirë që të parandalohet, mirëpo sipas saj, qeveria ka marrë disa masa, ndonëse nuk janë të mjaftueshme.

“Çfarë kemi bërë deri më sot, pikërisht për të plotësuar nevojat me mjekë, për të parandaluar fenomenin e largimit të mjekëve për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve? Kemi rritur numrin e kuotave në Universitetin e Mjekësisë për programin Mjekësi e Përgjithshme. Nga 250, vit pas viti e kemi rritur dhe në vitin 2024 pretendojmë të kemi 500 kuota. 500 studentë të regjistruar më vitin e parë.

Po kështu kemi rritur pagat e mjekëve, rritja e fundit ka qenë më e larta në të gjithë vitet e fundit. Kemi rritur numrin e specializimeve, kemi rritur investimet në shëndetësi, në infrastrukturë. Kemi vënë në zbatim portalin “Mjekë për Shqipërinë”, pikërisht për më shumë transparencë, por më shumë meritokracinë punësimin e mjekëve.

E nga ana tjetër, edhe në Universitetin Mjekësisë po ashtu kemi ndërmarrë reforma, kemi ndërmarrë investime, procesi i ndërkombëtarizimit, puna kërkimore shkencore, investimet në laboratorë, investimet në konviktet e studentëve. Por a mjaftojnë? Atëherë pse ikin mjekët, a mjaftojnë kaq sa kemi bërë? Natyrisht nuk mjaftojnë. Dhe arsyeja kryesore është sepse vendet e BE, vendet e zhvilluara, kërkojnë çdo ditë e më shumë mjekë. Nevojat e tyre për mjekë janë në rritje.

Ne sado t’i rrisim pagat, kushtet, infrastrukturën, ne nuk i arrijmë dot vendet e BE apo vendet e OECD. Prandaj ky fenomen do të vazhdojë. Për më tepër kur jo vetëm vende si Gjermania, Kanadaja apo Amerika, por gjithmonë shtohet lista e shteteve që kanë nevojë për mjekë”, tha ministrja.

Nga ana tjetër, sot përballë Kuvendit, u zhvillua paralelisht një protestë të studentëve kundër projektligjit që i detyron ata të zgjedhin midis një kontrate 5-vjeçare me qeverinë, apo të paguajnë më shtrenjtë për arsimin e tyre.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit