Home Aktualitet Premtimi për ...

Premtimi për 8 vjet, u katandis në 1 vit e gjysëm

112
0

Nga: Lufti Dervishi

Qershor 2020: Rama jep lajmin për biznesin e vogël: Pas tatim-fitimit hiqet edhe TVSH. Pa taksa deri në vitin 2029.

22 shtator 2020 “Çdo biznes me xhiro nga 0 deri në 14 milionë lekë do të paguajë zero tatim-fitimi. Çdo biznes me xhiro nga 0 deri në 10 mln lekë do të paguajë 0 TVSh. Kjo është një mbështetje unikale në rajon”, tha Rama. “Janë mbi 93 mijë biznese që përbëjnë 77% të totalit që përjashtohen nga taksat. Ky ishte dhe zotimi ynë”.

16 mars 2022-“Ka edhe një anë tjetër: të rrisim taksën e biznesit të vogël, t’ia bëjmë 10 % taksë mbi fitimin dhe 20 % TVSH dhe pastaj diçka kompensojmë. T’u vendosim edhe taksë 10 % mbi rrogën të gjithë tyre që kanë rroga. Por ne nuk mund t’i bëjmë këto”, tha Rama, ndërsa shtoi se kjo qeveri ka vendosur të zerojë taksën e biznesit të vogël dhe ka rritur taksën për biznesin e madh në 15 %.

16 maj 2022-“Shumë shpejt nga data një qershor ne do të paraqesim ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat i cili pikërisht do të targetojë, profesionet e lira, do të targetojë ato profesione të cilat sot individët çelin biznese ja sheshin bizneseve të tjera si shërbime duke eliminuar pagesën e taksave. Kjo nga hyrja në fuqi e ligjit që do të prezantohet së shpejti nuk do të jetë më e mundur pasi të gjithë profesionet e lira do të duhet të paguajnë…. Ministrja e Financave…

Fjala e dhënë, fjala e mbajtur është një refren që dëgjohet shpesh nga qeveria. Premtimin për zero taksa për biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë, qeveria e jetësoi më 1 janar të 2021. Premtimi ishte për 8 vjet deri më 2029. Por, tani qeveria ka ndërruar mendje. Dhe mund të ketë të drejtë për të rishikuar fashën 14 milionë lekë, por gjuha e përdorur të kujton luftën ndaj kulakëve”.

Profesionet e lira janë njerëzit që nxjerrin vetë “bukën e gojës”, paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, taksat lokale dhe çdo tarifë tjetër që lidhet me biznesin e tyre. Janë nëse mund të quhen shtresa e mesme, shtresa që paguan më shumë se çdo shtresë tjetër (shtresa e lartë nuk shpenzon) taksën indirekte të TVSH sepse konsumon më shumë se të tjerët. Nuk janë njerëz që kanë shkelur ligjet, por kanë besuar te premtimi i qeverisë, te fjala e dhënë.

Askush nuk mund të thotë me saktësi sesa herë është ndërhyrë në ligjin e taksave dhe tatimeve, por ajo që është karakteristikë prej dekadash është paparashikueshmëria: bën llogaritë me ligjin dhe ligji ndryshon jo nga një mandat në tjetrin, por disa herë brenda mandatit. Pyetja është kur bëhen zotimet a bëhen llogaritë? A parashikohet efekti financiar? Mundësitë për abuzime? Konsultimet me grupet e interesit? Apo ecet “me të parë e me të bërë”?

Në mënyrë të përsëritur kemi dëgjuar deputetë të shumicës në Parlament dhe në debate televizive marrëzira të tipit: “asnjë lek nuk do të paguajnë shqiptarët, do t’i paguajë buxheti” – nuk janë thënë nga njerëz që nuk e dinë se çfarë është buxheti, por janë thënë duke menduar se shqiptarët janë budallenj. Buxheti për bëhet nga taksat/tatimet/tarifat që paguajmë dhe nga borxhet që merren.

Kur votohet një herë në katër vjet, nuk votohet vetëm kush do të na përfaqësojë politikisht, votohet për ata që mban fjalën e dhënë, por mbi të gjitha votohet edhe se kush do të menaxhojë paratë tona, pra buxhetin! Profesionistët e lirë që do të “targetojë” ligji special pas 2 javësh, për fat janë shumë dhe nuk janë nga ata që besojnë se “shqiptarët nuk do të paguajnë asnjë kokërr leku, se do t’i paguajë buxheti”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit