Home Forum Saimir Kadiu:...

Saimir Kadiu: Jam i impresionuar me kualitetet e qeverisë së Mehdi Frashërit, ku 90% e popullatës ishte analfabete

121
0

Nga Saimir Kadiu

Që nga 4 dhjetori 1912, kur u krijua qeveria e parë e shtetit shqiptar me kryeministër Ismail Qemalin, kanë kaluar 112 vjet. Me dhjetëra qeveri e kanë drejtuar Shqipërinë qysh nga ajo datë, disa më javë disa më vite dhe disa të tjera me dekada. Nga leximet empirike pa u futur në detaje dhe në krahasime të thella jam i impresionuar me kualitetet e qeverisë së Mehdi Frashërit (21 tetor 1935-7 nëntor 1936):

1-Mehdi FRASHËRI (28 shkurt 1872- 25 MAJ 1963)-Kryeministër dhe Ministër i Drejtësisë (diplomuar ne Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mylkie-i-Sehahané” në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative)

2-Fuat ASLLANI (1897-1981)-Ministër i Punëve të Jashtme (diplomuar në Universitetin e Vienës për Drejtësi).

3-Et’hem TOTO (1898-1937)-Ministër i Punëve të Brendëshme (diplomuar në Firence për oficer xhandermerie).

4-Rrok GERA (1901 -1969)-Ministër i Financave (diplomuar në Universitetin e Vienës për Ekonomi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare).

5-Nush BUSHATI (1896-1973)-Ministër i Arsimit (diplomuar për drejtësi në Universitetin e Vienës).

6. Ndoc NARAÇI (1899-1987)-Ministër i Punëve Botore (diplomuar për Inxhinieri Elektrike në Universitetin Politeknik të Vienës).

7-Dhimitër BERATI (1886 -1970)-Ministër i Ekonomisë Kombëtare, (diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politiko-Administrative dhe në Fakultetin e Drejtësisë të Bukureshtit).

Nuk besoj që qeveri të tjera të kenë patur në përbërje nivele të tilla intelektuale. Dhe të mendosh që një qeveri e tillë i përket vitit 1935, ku të paktën 90% e popullatës shqiptare ishte analfabete. Një tjetër cilesi e kësaj qeverie ishte përfaqësimi i të krishterëve në qeveri (3 katolikë, 1 ortodoks dhe 3 myslimanë)… gjë që tregon edhe tolerancën dhe mirëkuptimin fetar në Shqiperi. Mehdi Frashëri vdiq në Rome 60 vjet më parë më 25 maj 1963. Në ceremoninë e varrimit fjalimin solemn e mbajti Dhimitër Berati, një nga ministrat e qeverisë së tij.

Mehdi Frashëri ishte një prej politikanëve dhe diplomatëve më të famshëm të historisë së Shqipërisë, në gjysmën e parë të shekullit të kaluara, i cili për 15 vite përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve dhe para se të kthehej në atdheun e tij, për vite me radhë kishte shërbyer si nënprefekt i Thrakisë dhe Guvernator i Jerusalemit dhe i gjithë Palestinës.

Mehdi Frashëri u lind në fshatin Frashër të Përmetit, më 28 shkurt të vitit 1872. Familja Frashëri nga e cila rridhte dhe Mehdiu, ishte një familje fisnike bejlerësh dhe një nga më të dëgjuara në Jugun e Shqipërisë. Të parët e asaj familje kanë qenë të njohur si feudalë të mëdhenj dhe pronat e tyre shtriheshin deri në malin e Tomorrit.
Familja e tij nuk kishte asnjë lidhje farefisnore me familjen e vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, ose më saktë duhet të kenë pasur një lidhje gjaku shumë të largët.

Pas disa konflikteve të karakterit politik që ajo familje pati me Portën e Lartë në Stamboll, ata u internuan familjarisht në Turqi. Në atë kohë që ndodhi internimi i familjes nga fshati Frashër për në Turqi, Mehdiu ishte nxënës në shkollën e mesme të qytetit të Manastirit, (Bitola) të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1894. Pas mbarimit të kësaj shkolle Mehdiu, fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur mësimet në Universitetin e Stambollit për Shkencat Politike dhe Ekonomike, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1898.

Duke u nisur nga rezultatet e larta që ai arriti në ato degë, qeveria turke e ftoi të punonte në administratën e saj. Në vitin 1912, ai u caktua Përfaqësues i Qeverisë shqiptare, pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë dhe disa vite më vonë, në 1919-ën ai u caktua në postin e Ministrit të Brendshëm dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Pas Kongresit të Lushnjës, në funksionin e Ministrit të Brendshëm, Mehdi bej Frashëri dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921, ku ai u zgjodh deputet, të cilat nga qarqet e huaja diplomatike u konsideruan zgjedhje të lira e demokratike. Në atë kohë ai u morr shumë dhe me problemet ekonomike, të vendit dhe me iniciativën e tij personale, bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”.

Në atë periudhë që ishin duke u hedhur themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Mehdi beu kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e Reformës Agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923 e deri në vitin 1939, me disa ndërprerje të shkurtër, Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë, pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës.

Në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Mehdi bej Frashëri shkoi vetë në Radio-Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar, duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundra pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi i cili u ndoq me interes të madh, nga mijra qytetarëve, Mehdi beu duke folur në emër të popullit shqiptar, e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidenta”.

Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës, Mehdi beu, nuk u largua nga Shqipëria ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi të qëndronte në krye të detyrës së tij, deri në minutën e fundit dhe u fut në Legatën turke në Tiranë, duke u kërkuar atyre strehim politik. Më pas autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi beun, si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshmëri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali, duke e mbyllur në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943.

Në 1943-in kur kapitulloi Italia fashiste dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa personalitete të politikës shqiptare të asaj kohe, si: Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani etj., gjatë bisedimeve që patën me përfaqësuesin fuqiplotë të Hitlerit në Ballkan (Nojenbauer), i kërkuan atij që të ndërhynte pranë qeverisë së tij, që Mehdi bej Frashëri, i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët, më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin, në Tiranë dhe ai së bashku me Lef Nosin, Patër Anton Harapin dhe Fuat Dibrën, të cilët konsideroheshin si personat polikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës, i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues, ku për herë të parë morën pjesë, me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës.

Në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Mehdi Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët me në krye Enver Hoxhën. Gjatë asaj periudhe, si dhe më përpara në viteve e Monarkisë së Zogut, Mehdi bej Frashëri, kishte banuar në Tiranë në një shtëpi tek Rruga e Dibrës, të cilën ua kishte marrë me qera familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij (vila afër RTSH-së ku prej shumë vitesh ka qenë rezidenca e Ambasadës Ruse), ai e kishte lëshuar me qera për të përballuar jetesën e familjes. Me ne fund ne ish shtepine e tij aty ku mbi ish-Vilën Frashëri eshte ngritur një pallat shumëkatësh, është vendosur një bust i Mehdi Frashëri.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit