Home Aktualitet Sardenja nën ...

Sardenja nën vëzhgimin e shkencëtarëve. Në një minierë të ishullit mesdhetar mund të shkruhet e ardhmja e fizikës botërore

361
0

Nga: Eridion Gjetja

Zbulimet e viteve të fundit të valëve gravitacionale (GW) kanë hapur shtigje të reja në vëzhgimin dhe kuptimin e fenomeneve kozmike. Projekte premtuese me teknologji gjithnjë e më të përparuar janë në studim e sipër. Një nga këto projekte është pikërisht Oservatori Europian Einstein Telescope ET, qëllimi i të cilit është hetimi i mekanizmeve të universit me anë të valëve gravitacionale.

Në kuadër të këtij projekti, vetëm pak ditë më parë, më 7 dhe më 8 qershor është përmbyllur Simpoziumi i XII-të i ET, i zhvilluar pranë Akademisë së Shkencave Hungareze. Takimi i Budapestit shënon edhe lindjen e një bashkëpunimi të mirëfilltë shkencor për këtë infrastrukturë kërkimore e cila pritet të revolucionoj njohuritë tona mbi historinë kozmike.

Aktualisht dy sitet kandidate për projektin ET janë, ai i Limburgut, provincë në kufirin mes Gjermanisë, Hollandës dhe Belgjikës dhe ai i Sardenjës. Ky i fundit është identifikuar në minierën, tashmë joaktive, të Sos Enattos, në zonën e quajtur Lula. Përsa i përket sondazheve deri më tani të kryera ai i sardenjës mbetet siti më i përshtatshëm për këtë lloj projekti. Bëhet fjalë për instaurimin e një instrumenti me preçizion të lartë, funksionimi optimal i të cilit ka nevojë për kushte të veçanta.

Siç e shpjegon për ”Koha Jonë” një nga shkencëtarët e përfshirë në projektin ET Alessandro Cardini, drejtues pranë Institutit Kombëtar të Fizikës Bërthamore Italiane në seksionin e Kaljarit në Sardenja.

“Duke u bërë fjalë për një instrument jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëvizjeve sizmike të natyrës, të lëkundjeve fryt i veprimtarisë së njeriut apo edhe aktiviteteve të atmosferës kemi nevojë për një sit nëntokësor ku këto ndërhyrje të jenë të reduktuara në minimun. Presim që ky interferometër, që është një intreferometër i brezit të tretë, të jetë 10 herë më i ndjeshëm se instrumentet që sot janë në përdorim, që janë oservatorët VIRGO dhe LIGO, aktiviteti i të cilëvë zhvillohet mbi sipërfaqen e tokës”.

Realizimi i oservatorit parashikon gërmimin e një tuneli në formën e trekëndëshi barabrinjës prej 10 kilometrash, kostoja e të cilit, përfshi këtu edhe instaurimin e aparaturave, kap vlerën e 2 miliard eurove. Autoritetet e Sardenjës me anë të Presidentit të Krahinës Autonome të Sardenjës, Christian Solinas, kanë shprehur mbështetjen e plotë të krahinës për realizimin e këtij projekti. Gjasat për vënjen në jetë të ET Telescope në ish minierën e Sos Enattos janë të mëdha, por edhe në rast të kundërt miniera do përdoret për rilieve shkencore të rëndësishme siç konfirmon Cardini.

“Kushtet për eksperimente shkencore brenda minieres janë aq të mira sa që është vendosur të krijohet një laborator për matjen e gravitetit. Në optikën eksperimentit ARKIMEDES do të instaurohet një peshore ultra preçize që do të synojë matjen e e pëshës së boshllëkut”.

Jemi në një fazë ku shkenca po bën hapa prej gjigandi dhe pritshmëritë nga ET Telescope janë më të drejtë të larta. Lajmi i mirë i formimit të grupit të bashkëpunimit është një hap i rëndësishëm i cili shpresojmë të ndiqet shpejt nga ai i zgjedhjes së sitit për ndërtimin e oservatorit. Për momentin nuk na mbetet tjetër veç se të presim por pamvarësisht se ku do të instaurohet, Oservatori Eistein Telescope, do të na mundësojë studimin e valëve gravitacionale që nga agimi i formimit të yjeve dhe galaksive e ndoshta dhe më tej.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit