Home Aktualitet Shembja e obj...

Shembja e objekteve pa leje në bregdet, Lamallari: Gjoba për zyrtarët që shkelën detyrën

14
0

Të hënën në Velipojë dhe Ksamil, nisi aksioni për prishjen e ndërtesave pa leje. Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh se janë prishur deri më tani 15 objekte. Sipas tij ka edhe një ndërgjegjësim, pasi disa pronarë tashmë kanë filluar vetë prishjen e objekteve.

“Dita e djeshme shkoi shumë mirë. Janë prishur dje 6 në Velipojë dhe 9 në Ksamil, operacioni vijon. Ka edhe një ndërgjegjësim të momenteve të fundit pasi u pa vullneti i qartë i qeverisë për të pastruar njëherë e mirë bregdetin dhe kemi persona që po prishin tashmë godinat e tyre. Dje patëm të paktën 4 apo 5 raste në Ksamil ku vetë pronarët, ndërtuesit u angazhuan për të prishur objektet që kishin ndërtuar, e njëjta gjë po konstatohet edhe në Velipojë pasi u njohën me ultimatumin e qeverisë.

Puna i përket tashmë strukturave shtetërore, IKMT që po mbështetet edhe nga strukturat e rendit për të shmangur konflikte. Operacioni do zgjasë deri në zhbërjen e çdo paligjshmërie në linjën bregdetare. Kemi dhe raste ku nuk mund të ndërhyhet në prishjen e gjithë objektit pasi katet e para mund të jenë me leje, po ndërhyjmë me metoda të veçanta, me prerje objekti që mos të dëmtohet pjesa tjetër. Këto janë raste sporadike.

Duhet të marrë fund epoka e ndërtimeve pa leje. Kjo në fund të ditës është të bërit shtet. Nuk mund të vazhdojmë me këtë epokë të së kaluarës, të shfrytëzimit pa leje e shkeljes flagrante. Ky nuk është një aksion, por një operacion madhor, vetëm këto janë reforma shtetbërëse. Edhe Durrësi ka shumë objekte që janë evidentuar dhe me përfundimin e aksionit në Velipojë e Ksamil, procesi do vijojë paralelisht deri në pikën e takimit nga të dyja anët, për të pastruar çdo ndërtim pa leje”, tha ai për ”Report Tv”.

Për pastrimin e inerteve, ai sqaroi se po vijon paralelisht me prishjen e ndërtimeve, duke shmangur kështu një peizazh të pakëndshëm për turistët. Lamallari theksoi po ashtu se ky aksion nuk do të vijojë vetëm me prishjen e objekteve pa leje, por edhe me gjobitjen e të gjithë zyrtarëve që kanë shkelur ligjin duke lejuar ndërtimin e objekteve pa leje.

Në Velipojë janë planifikuar për t’u prishur 15 objekte, ndërsa në Ksamil rreth 30 godina që variojnë nga një deri në pesë kate. Kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, thotë se aksioni i ndërmarrë në këtë periudhë kohore dëmton imazhin turistik të Shqipërisë dhe se prishja e ndërtesave në mes të sezonit do të ketë impakt negativ për turizmin. ”Tashmë nuk mund të fillojmë një aksion të tillë, sepse është një impakt, jashtëzakonisht negativ. Nuk jam kundër ndërtimeve pa leje, nuk jam kundër sistemimit të vijës së bregdetit, sepse është ajo çka ne kemi kërkuar ndër vite. Ajo që ne kërkojmë është, që ky aksion të spostohet së fund të tetorit, domethënë në fund të sezonit veror turistik”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit